Ish-lojtari i Kombëtares tregon Europianin e parë, Bukoviku: Në Danimarkë humbëm nga skema 4-2-4 (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2020 | 20:04

Ish-lojtari i Kombëtares tregon Europianin e parë, Bukoviku: Në Danimarkë humbëm nga skema 4-2-4 (VIDEO)

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kur sapo ka festuar 80-vjetorin e lindjes, Pavllo (Ben) Bukoviku, i rikthehet debutimit të Kombëtares në atë kompeticion, ku ka luajtur si titullar në dy sfidat e para ndaj Danimarkës në 1963-shin e largët. Ish-lojtar titullar, protagonist i Kombëtares, i 17 Nëntorit të famshëm, vendimtar me lojën, golat e tij në takimet ndërkombëtare, finalet epokale të asaj periudhe të artë bardhezi, ai kujton:

Pavllo_Bukoviku_(1964)

“Unë ia kam pasuar topin Panos nga vija anësore, kur ai realizoi ndaj danezëve”. Bukoviku, përgatitjet për përballjet me Danimarkën në konkurrimin e parë europian, çfarë ndodhi gjysmëshekulli më parë? Disa javë para Danimarkës u luajt Shqipëri-Bullgari me skuadrat olimpike, që për ne ishte Kombëtarja. Ishte një sfidë për turneun paraeliminator të Lojërave Olimpike të Tokios. Trajnerë ishin Boriçi dhe Alla.

Para kësaj sfide zhvilluam një miqësore me një seleksionim të Tiranës, ku unë realizova golin e fitores. Me Bullgarinë në Tiranë humbëm 1-0, i njëjti rezultat edhe në Sofje pas dy javësh, një takim që u luajt në mbrëmje. Pas eliminimit u mendua për një ndryshim në Kombëtare. U larguan moshat e vjetra, u afrua një grup me lojtarë të rinj. Kjo skuadër shkoi edhe në Danimarkë.

Shqiperi-Danimark

Çfarë kujtoni nga ato përballje?

Duhet të luanim ndaj Greqisë, por ata u tërhoqën për çështje politike, dhe i morëm ndeshjet në tavolinë. Përballë do të kishim Danimarkën, që kishte eliminuar lehtësisht me rezultate të thella Maltën. Takimin e parë e zhvilluam në Kopenhagen dhe skuadra përbëhej nga lojtarë të Partizanit, 17 Nëntorit e Dinamos. Humbëm thellë, ndonëse luajtëm mirë.

Luajtët mirë, por humbët thellë… Pse?

Po. Ndikuan disa arsye. Ishte e para ndeshje në Perëndim. Tjetër flitej e propagandohej këtu, tjetër gjë ishte atje. Emocionet, ambientimi, përgjegjësia. Trajneri Boriçi na vendosi në fushë me skemën 4-2-4, një modul i ri, modern, por i papraktikuar nga ne. Ishim të paambientuar me atë sistem loje. I pësuam golat, pasi dy qendrat e mbrojtjes Halili-Frashëri nuk orientoheshin me njeritjetrin, çka u shfrytëzua nga sulmuesit e tyre.

I mbani mend lojtarët që udhëtuan për në Danimarkë?

Ruaj gazetën “Sporti”. Kur u nisëm, kanë qenë Maliqati, Topi, Deliallisi, Halili, Kasmi, Frashëri, A. Mema, Shllaku, Daiu, Kraja, Vorfi, Bushati, Pano, Duro dhe unë. Trajnerë ishin Boriçi dhe M. Alla, ndërsa Pandi Allabashi, një njeri fisnik, ishte përgjegjës ekipi.

Tetor, Tiranë, çfarë atmosfere mbizotëronte para ndeshjes së kthimit?

Zhvilluam një miqësore me Besën dhe fituam 4-1. Dy gola i realizova unë. Më pas një barazim në miqësoren tjetër Partizani-Kombëtarja 1-1. Sigurisht, rezultati i parë 0-4 në Kopenhagen e kushtëzonte takimin. Sidoqoftë, kishte kuriozitet. Danimarka ishte skuadër e madhe dhe në stadium kanë qenë mbi 30 mijë spektatorë. Biletat u shitën me planifikim.

Ndeshjen e dytë e fitoi Shqipëria 1-0 me trajner Konçin. A pati lëvizje edhe te lojtarët?

Pas kthimit nga Danimarka pati një ndryshim trajnerësh, Zyber Konçi dhe Boriçi zëvendës. Një lëvizje, gjykoj, nga rezultati i takimit të parë, po kështu edhe në formacion. Në Tiranë, në portë luajti Shefqet Topi i Besës si dhe futbollistët E. Ibërshimi, A. Mema, A. Zaho. Nuk u aktivizuan Vorfi, Duro, Pilika, Kasmi. Çështje taktike, dikush me provime, Kraja i sëmurë, por edhe nga dëmtimet.

Edhe këtu luani 4-2-4, kritikoheni nga shtypi vendës dhe sulmi cilësohet si pika më e dobët?

Po, se sikurse e thashë, 4-2-4 ishe modul modern, i përdorur në futbollin botëror të asaj periudhe. E nisëm lojën me katër sulmues, Pano, unë dhe në krah Zaho e Ibërshimi. Por, gjatë lojës, unë u orientova të kthehem mbrapa në mesfushë e të mbuloj një kundërshtar. Nisur nga vendosja e danezëve vetëm në mbrojtje, duhet ta kishim përqendruar në sulm lojën tonë.

Shqiperia kunder Danimarkes

Ju kujtohet goli i Panos?

U shënua në fillim të lojës. Ishte një rivënie anësore, në krahun e tribunës qendrore sektorit A. Unë e rifuta topin në lojë duke ia pasuar Panos, ai e mbajti me gjoks dhe goditi befasishëm nga 20 metra në të djathtë të portierit nga porta veriore. Ka qenë terren pak rrëshqitës sepse para takimit ra shi. Kujtoj se, përveç golit, Bushati goditi dy herë shtyllat dhe Ibërshimi ka humbur një rast ideal. Ai takim duhet të ishte fituar thellë. Të paktën pjesa e parë duhet të përfundonte 3 ose 4 – 0.

unnamed

Ju dhe Frashëri figuroni si lojtarë të Partizanit e jo të 17 Nëntorit?

Frashëri po, se kryente shërbimin ushtarak. Ndërsa unë jo. E kisha përfunduar disa vite më parë ushtrinë. Me Partizanin, atë vit, bashkë me Bytyçin shkuam në Vietnam. Gëzoja formë të mirë dhe në turneun e Hanoit kam realizuar një gol deçiziv ndaj Honvedit. Partizani më mori edhe ndaj Këlnit, por nuk luajta.

Jeni futbollist protagonist i 17 Nëntorit, titullar në atë dekadë. Luajtët edhe ndaj Holandës, por pse nuk luajtët ndaj Jugosllavisë e RFGJ-së në dhjetorin e paharruar?

Luajta në Holandë e në Belfast ndaj Irlandës, përballë Bestit. Ato janë katër takimet e mia me Kombëtaren, ndonëse isha në formë. Jam grumbulluar edhe ndaj Jugosllavisë, por nuk më aktivizuan. Nëse shihni formacionet e atyre viteve, jam titullar vetëm jashtë, jo në Shqipëri. E shpjegoj se atje nuk kishte luks, ishin ndeshje ku duhet të vrapoje gjatë 90 minutave. Duheshin lojtarë fizikisht të përgatitur. Edhe për një arsye tjetër: Nuk kishte zëvendësime. Të njëjtët lojtarë luanin nga fillimi i takimit deri në fund. Kujtoj se në Holandë kemi qenë 13 futbollistë, 11 të formacionit dhe dy rezerva.

Shqiptari-Danimark

Beni, keni festuar 80-vjetorin në qershor, muaj kur edhe keni debutuar me Kombëtaren kuqezi?

Jeni shumë i mbajtur, cili është sekreti? Po, e vërtetë. Më 6 qershor kam bërë 80- vjetorin. Ikin vitet. Sa mirë që e kujtuat. Qershor ka qenë edhe kur kam zhvilluar ndeshjen e parë me Kombëtaren në eliminatoret e Kampionatit Europian në Kopenhagen. Sekreti i moshës? Jam dalluar si lojtar i fortë, me rendiment në skuadër, një mesfushor i palodhur, energjik, në mbrojtje, sulm, por edhe golashënues. Pa harruar që për shumë vite kam qenë edhe arbitër futbolli. Dhe i tillë kam mbetur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"