Ish-kapiteni Xhafaj, thirrje Veliut: Merr “frenat” e ekipit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2018 | 22:20

Ish-kapiteni Xhafaj, thirrje Veliut: Merr “frenat” e ekipit!

Ish-sulmuesi vlonjat, Daniel Xhafaj, ka mbe tur i surprizuar nga ecuria negative e Flamurtarit në fazën e tretë dhe fillimin e së katërtës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se nuk e shikon ekipin e Duros si të rrezikuar për mbijetesën dhe lojtarët me peshë në ekip duhet të marrin në dorë situatën për ta ndryshuar atë. Xhafaj komenton edhe dënimin e Skënderbeut dhe garën për Europë mes klubeve të Superiores.

daniel_xhafaj

Flamurtari ka humbur duke pësuar tre gola në shtëpi ndaj Skënderbeut. Keni një koment për atë ndeshje?

Unë e ndoqa takimin. Edhe pse jam larg në Amerikë, nuk e lë pa ndjekur Flamurtarin. Nuk e mendoja që ndeshja do shkonte në atë mënyrë. Mendoja se do ishte më e luftuar sidomos pas fitores në mesjavë. Të them të drejtën jam i befasuar dhe se prisja që gjërat të shkonin në atë mënyrë.

Rrezikon skuadra qëndrimin në Superiore pas këtij rezultati?

Rrezikim për të rënë nga kategoria as që e mendoj dhe nuk mendoj se ka. Por, ajo që rrezikohet është pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Ekipi i Duros do të ketë edhe një tjetër ndeshje ndaj Skënderbeut, atë të kthimit në Kupë. Si e parashikoni atë përballje?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Është një takim që pritet çdo gjë. Kështu që unë mendoj se kjo javë që kaloi duhet të jetë si një eksperiencë që nuk duhet të përsëritet në ndeshjen e kthimit.

Daniel Xhafaj

Në dy fazat e para vlonjatët ishin mes ekipeve të kreut, ndërsa tani i afrohen fundit. Ka një shpjegim një rënie e tillë?

Është një surprizë e hidhur për këdo që është tifoz dhe dashamirës i Flamurtarit. Mendoj se tani është koha që lojtarët me eksperiencë dhe karakter të mbledhin skuadrën dhe një nga këta lojtar është Franc Veliu. Ai është lider në rolin e vet, është lojtar që ka fituar trofe dhe është edhe vlonjat. Në qoftë se në ndonjë nga intervistat e mia e kam theksuar këtë fakt, kjo është bërë pasi në këto situata jo të mira është e nevojshme prezenca e këtyre lojtarëve.

Përballja e javës duket e lehtë, pasi Flamurtari do të luajë ndaj Lushnjës…

Jo vetëm ndeshja me Lushnjën, por për Flamurtarin çdo ndeshje ka rëndësi të madhe, për këtë fazë të rëndësishme të kampionatit.

Skënderbeu ka marrë një dënim të rëndë nga UEFA me 10 vite pezullim nga Europa dhe 1 milion euro gjobë. Keni një koment?

Është e rëndë jo vetëm për korçarët. Skënderbeu vrau frikën dhe jo rastësisht është pjesëmarrës në tre vitet e fundit dy herë në Europa Ligë. Shpresoj që ky vendim të ndryshojë.

Mos ndoshta ky vendim është një shembull që UEFA ka bërë ose një sinjal që edhe klubet e tjera shqiptare duhet të tremben?

Po, sigurisht që po. Ne jemi vend i vogël dhe dënimet i marrim shembullore.

Si e shikoni garën për Europë nga Kukësi te Laçi, Partizani, Luftëtari dhe Flamurtari. Kush mendoni se mund të mbetet jashtë?

Sipas mendimit tim, Kukësi dhe Partizani janë pretendentët për vendin e dytë dhe të tretë. Laçi mendoj se do jetë në vend të katërt, bashkë me të edhe Flamurtari.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"