Ish-kapiteni Veliu shpreh keqardhje për Flamurtarin: Nuk e kam parë kurrë kaq keq, ka vetëm një zgjidhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 18:29

Ish-kapiteni Veliu shpreh keqardhje për Flamurtarin: Nuk e kam parë kurrë kaq keq, ka vetëm një zgjidhje

Franc Veliu shpreh keqardhje për Flamurtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati thekson se nuk mban mend që ekipi të ketë qenë në një situatë kaq të vështirë në nisje të një sezoni.

franc veliu

Ish-kapiteni mendon se lojtarët kanë cilësi, e megjithatë ecuria u përgjigjet edhe financave. Mbrojtësi që këtë verë u transferua te Gjilani, flet edhe për aventurën në Kosovë dhe raportet me trajnerin apo lojtarët. Foli edhe për garën në Kategorinë Superiore, ku Partizanin e sheh si pretendentin kryesor.

Franci, a po e ndiqni Flamurtarin?

Pa dyshim që po, e ndjek në çdo ndeshje kur kam mundësinë. Më vjen sinqerisht keq për vendin dhe situatën që ndodhet.

A mbani mend ndonjë sezon që të ketë qenë nisur kaq keq?

Nuk mbaj mend të ketë pasur këtë ecuri më parë Flamurtari në javët e para. Shpresoj të bëhet diçka sa më shpejt.

veliu

Sa e rrezikon ky Flamurtar rënien?

Për vetë pozitat, është ekipi i parë që rrezikon. E them këtë se nuk po shoh që diçka të lëvizë për mirë aty. Më vjen keq, pasi lojtarët kanë cilësi dhe nuk e meritojnë vendin që kanë në tabelë. Thjesht duhet t’u marrësh maksimumin dhe pastaj më e rëndësishmja të mos ketë më probleme financiare, sepse nuk do të jetë pozitive për vazhdimësinë.

Çfarë ka ndodhur në Vlorë?

Unë mendoj se lojtarët e kanë humbur besimin. E thashë, ka lojtarë shumë të mirë në përbërje dhe me pak më shumë besim dhe sakrificë mund të marrin shumë rezultate pozitive. Duke i krahasuar me lojtarët e ekipeve të tjera, nuk e meritojnë vendin në tabelë, por kjo duhet të ecë paralel me financat. Uroj me sinqeritet që të bëhet diçka dhe Flamurtarin ta shikoj në vendin që e meriton.

Ndryshime në pankinë, shkarkohet Sadedini dhe duket se Luan Birçe është pasuesi i tij. Si e shikoni këtë zhvillim?

Si çdo punë, edhe në futboll vjen momenti që do t’ia lësh vendin dikujt tjetër. Respekt për profesor Sadedinin, respekt po ashtu edhe për trajnerin ne detyrë, profesor Luanin. Për mendimin tim, është një njeri me vizion dhe shumë i aftë në punën e tij. Shpresoj që të rregullohen sa më shpejt edhe gjërat e tjera, që edhe stafi aktual ta ketë më të thjeshtë vijimin e punës së tyre.

Çfarë mendoni se do të sjellë Birçe si trajner?

Unë kam besim se do të fusë, për të mos thënë që e ka futur tashmë, një frymë të re dhe pozitive në ekip. U duk qartë dhe këto dy ndeshje, por jo çdo gjë varet nga trajneri. Janë futbollistët ata që duhet të japin gjithçka në fushë, me pak më shumë sakrificë dhe besim do t’ia dalin.

Kush mendoni se do të jetë kampion në fund?

Është një kampionat i hapur dhe janë disa ekipe në garë. Lufta për titull do të bëhet shumë e ashpër deri në fund. Besoj se Partizani, Kukësi, Tirana dhe Teuta do të rivalizojnë deri në fund. Partizani besoj është një nga skuadrat pretendente për titull.

Si po shkon te Gjilani?

Mjaft mirë. Po luaj rregullisht, edhe pse nuk jam ende në 100% tim. Kënaqësia shtohet edhe më shumë kur pak javë më parë shënova edhe golin e parë me fanellën e Gjilanit, në ndeshjen me Feronikelin. Jam i lumtur me fitoren e fundit me Ferizajn, pasi na jep qetësi dhe vazhdimësi. Shpresoj të ruajmë ritmin dhe, pse jo, të jemi kampion.

Si janë marrëdhëniet me trajnerin Mezani?

Me Mezanin kam marrëdhënie shumë të mira. Nuk është hera e parë që punojmë bashkë.

Atje keni gjetur shumë lojtarë të Superligës shqiptare. Me kë shoqëroheni më shumë?

Po, është e vërtetë që jemi shumë lojtarë nga Superliga si dhe lojtarë me të cilët unë kam luajtur te Flamurtari. Me të gjithë kam marrëdhënie shumë të mira, por më shumë rri me Bushiçin, Ruçin, Prognin, Grecën e Useinin (qesh).

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"