Ish-kapiteni Sakaj ngre alarmin: Flamurtari do përfundojë si Dinamo. Nuk ka më shpresë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 10:27

Ish-kapiteni Sakaj ngre alarmin: Flamurtari do përfundojë si Dinamo. Nuk ka më shpresë

Artan Sakaj tashmë e shikon të pashpresë Flamurtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ishkapiteni druhet se ky ekip mund të përfundojë si Dinamo që lëngoi për disa vite radhazi. Sipas Sakajt, gjithçka lidhet me situatën financiare, ndërsa thotë se klubi nuk ka strategji për të ardhmen. Ish-mbrojtësi vlerëson pozitivisht djemtë e rinj të Akademisë, por sipas tij ambienti aktual nuk i lejon të shprehen.

Sakaj, sa i ka shpresat ky Flamurtar të qëndrojë në Superligë?

Unë mendoj se aty nuk ka më asnjë shpresë. Nuk është puna për këtë vit, por është çështja se a do të ringrihet vitin tjetër? Te Flamurtari kanë vite që nuk kanë një plan. Është një situatë e pashpresë.

Cilat janë shkaqet e kësaj situate? 

Përderisa ikën përgatitësi atletik, ikën fizioterapisti, do të thotë se po ikin pasi nuk po paguhen. Nuk e di çfarë plani kanë. Por më duket se nuk kanë plan fare. Në këto kushte, kam frikë se mos katandisen si Dinamo që lëngoi disa vite rresht.

Cili duhet ta japë zgjidhjen?

Klubin duhet ta marrë bashkia në dorë. Duhet që ajo të bëjë administrimin. Kjo mendoj se është zgjidhja e duhur.

Drejtuesit e klubit thonë se zgjidhje është ligji i privatizimit. Mendoni edhe ju kështu?

Për mua ligji i privatizimit nuk është se do të japë zgjidhje edhe nëse do të miratohet. Unë them se të gjitha klubet duhet që të jenë SHA.

artan sakaj flamurtari

Sa keqardhje keni për këtë Flamurtar?

Mua më vjen shumë keq për Flamurtarin që po lëngon dhe është në rënie. Por më vjen mirë që ka djem të rinj me mjaft vlera dhe të talentuar si: Qarri, Haruni dhe Kreshpa, që po bëjnë mirë. Por nuk më vjen mirë pasi aty nuk po rriten dot në këtë situatë. Nëse do kishte lekë, nuk do ishte kjo gjendje, pasi ekipi ka cilësi brenda.

Mendoni se klubi është sforcuar që ka mundësuar federimin e katër lojtarëve brazilianë? 

Për brazilianët nuk dua të flas. Më vjen keq që Flamurtari është në këtë situatë. Gropa financiare që ka klubi, as që më intereson fare, pasi ata kanë krijuar gropa më të mëdha. Ndërsa dua të veçoj dy futbollistë që ishin blerje të këtij sezoni, kosovarin Nebiu dhe shkodranin Pjeshka. Janë afrime cilësore dhe që e kanë treguar veten.

Të shtunën Bylis-Flamurtari. Si e shikoni këtë përballje?

Për ndeshjen me Bylisin nuk flas dot për rezultatin. Nuk di çfarë të them, por nga ana tjetër e theksoj përsëri që më vjen keq për djemtë e rinj që luajnë në një ekip që nuk u jep mundësinë të shprehen dhe ta ndiejnë veten mirë. Do ta shikoj këtë ndeshje vetëm për këta djem. Për rezultatin nuk kam çfarë të them.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"