Ish-kapiteni Rudi Vata tregon të pathënat: Demollari, trajneri më i keq që më ka stërvitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 21:42

Ish-kapiteni Rudi Vata tregon të pathënat: Demollari, trajneri më i keq që më ka stërvitur

Në një intervistë për prestigjiozen “The Sun”, por për versionin skocez, përpara ndeshjes Skoci-Shqipëri, Rudi Vata e zgjodhi Sulejman Demollarin si lojtarin më të mirë me të cilin kishte luajtur, por në të njëjtën kohë e konsideroi edhe si trajnerin më të keq që e ka stërvitur. Dhe në këtë rast, lajmin e bën kjo e dyta. “Demollari ishte një lojtar fantastik, një nga më të mirët në historinë e Shqipërisë. Ai e kaloi karrierën e tij në Rumani, aq sa edhe legjenda rumune George Haxhi e ka konsideruar si një nga më të mirët me të cilët Haxhi kishte luajtur. Por, Demollari ishte edhe trajneri më i keq, me të cilin kam punuar. Ishte trajneri im i fundit në Kombëtare. Nuk arrinte të përcillte dot vlerat që kishte si lojtar në atë të menaxhimit të skuadrës. Ishte më i keqi që më ka stërvitur”, tregoi Rudi Vata.

Rudi-vata

MATEUS DHE MARADONA – Për sa u përket kujtimeve të tjera të karrierës së tij, Rudi Vata nuk mund të mos fliste për rivalët më të fortë. “Kam pasur fatin që të luaj kundër, por në të njëjtën kohë që të shkëmbej edhe fanella me yje të mëdha si Erik Kantona, Jurgen Klinsman, vëllezërit Laudrup apo edhe Hristo Stoiçkov. Gjithsesi, për sa i përket rivalit më të fortë që kam hasur, ai ka qenë pa dyshim Lotar Mateus. Ai kishte gjithçka i duhet një futbollisti: mund të luante në çdo pozicion të fushës; dinte të shënonte, të mbronte dhe ishte një lider i jashtëzakonshëm”.

Duke mbetur te sfera e emrave të mëdhenj, Rudi Vata nuk harron edhe takimet me dy legjenda si Diego Maradona dhe Franc Bekenbauer. “Po, e kam pasur këtë fat, por në të njëjtën kohë jam takuar edhe me Diego Armando Maradonën, në Romë, teksa ai merrte pjesë në emisionin ‘Dancing With The Start’. Ajo që më surprizoi më shumë ishte fakti sesa i vogël (fizikisht) ishte”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"