Ish-kapiteni Pisha: Dinamo është 99% e ngjitur, më vjen keq për atë që digjet mes Skënderbeut e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 23:24

Ish-kapiteni Pisha: Dinamo është 99% e ngjitur, më vjen keq për atë që digjet mes Skënderbeut e Flamurtarit

Fundjava rikthen Kategorinë e Parë dhe rrjedhimisht emocionet e garës për ngjitjen. Dinamo luan me Korabin të hënën, në një kohë që do t’i ketë mësuar rezultatet e rivalëve. Kjo gjë nuk është se i vjen në ndihmë sidoqoftë, nëse nuk bën detyrën në ndeshjen e saj.

pisha

Kur kanë mbetur edhe 6 finale, gabimet janë zyrtarisht të ndaluara. I këtij mendimi është edhe Arjan Pisha, ishkapiten i kryeqytetasve për shumë vite. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai gjykon se blutë do të jenë se s’bën në elitë, ndërkohë që vlerëson lëvizjet e fundit të klubit për të afruar gjakun dinamovit. Sheh edhe defekte dhe sidomos në mbrojtje, ndaj kërkon më shumë pjekuri në këtë repart.

Dinamo ka afruar së fundmi në staf dy dinamovitë si Mehmeti dhe Pinari, por edhe ish-trajnerin Faruk Sejdini. Si i gjykon Pisha këto lëvizje?
Janë në të mirë të Dinamos, nuk ka dyshim. Ka nevojë ai klub dhe ajo skuadër, për ata që e njohin më mirë ambientin. Janë një lëvizje e rëndësishme e drejtuesve afrimi i profesor Farukut apo edhe i trajnerit dhe ndihmëstrajnerit, që janë dy djem shumë të mirë. I vlerësoj dhe besoj se do t’i shërbejnë Dinamos, por është e natyrshme që kërkojnë kohën e vet për të dhënë rezultate.

Mund të ishin bërë më parë këto lëvizje apo “më mirë vonë se kurrë”?
Ne jemi mësuar me këtë shprehje, por unë do të thosha se e rëndësishme është që janë afruar njerëz që e njohin mirë Dinamon. Tani le të shohim si do të shkojnë gjërat, por kam besim se do të ecin pozitivisht.

Ka një garë të fortë mes Skënderbeut, Dinamos dhe Flamurtarit për 2 vendet që të ngjitin direkt në elitë. Kush do të “digjet” në këtë mes?
Është një garë e fortë, e bukur dhe intriguese. Për mendimin tim, të tria këto skuadra e meritojnë të jenë në Superiore. Do të më vijë sinqerisht keq për atë që mund të “digjet” në fund.

Dinamon e sheh në dyshen e parë?
Dinamon e shoh në Superiore 99%. E kam thënë që në fillim se kjo skuadër duhet ta sigurojë se s’bën ngjitjen në Superiore dhe kam besim se do ta sigurojë. Nuk di ta them se kush do të jetë skuadra tjetër që do të ngjitet direkt.

Pse jeni kaq optimist, i referoheni thjesht skuadrës, kalendarit apo…?
Ky është mendimi im, besoj realisht se Dinamo do të jetë në elitë sezonin tjetër. Skuadrën e ka, e kam thënë gjithmonë, pavarësisht se ka bërë disa gabime, që e kanë vështirësuar rrugën. Ka disa gjëra të vogla që duhen rregulluar për të pasur më shumë siguri në këto gjashtë ndeshje që kanë mbetur, që janë të gjitha të rëndësishme njësoj.

Për çfarë gabimesh e keni fjalën?
Për mua, skuadra duhet të jetë më e pjekur në mbrojtje. E kam parë në disa ndeshje që ka bërë gabime në këtë repart, ku në fakt i ka lojtarët. Duhet të bëjë diçka më shumë në lojën mbrojtëse për të mos pësuar kaq gola. Mbrojtja është ajo që të shpëton dhe duhet të kesh gjithmonë kujdes, në çdo ndeshje. Stafi i ri ka pak kohë dhe besoj se po punon në këtë drejtim. Në futboll gjithashtu ka shumë rëndësi se si menaxhon grupin e futbollistëve, përveç punës që bën në stërvitjen e përditshme dhe zgjedhjeve tekniko-taktike. Harmonia në një skuadër futbolli është thelbësore. Nuk mund të arrish në një sukses, nëse në skuadër nuk ke harmoni dhe kompaktësi. Ne ish-futbollistëve nuk na falet të gabojmë në këtë pjesë.

Po garën për titullin në Superiore, si e shihni?
Superiorja e këtij sezoni është një kampionat shumë i çuditshëm. Nuk mund të bësh parashikime, sepse është shumë e vështirë, por të kemi parasysh se vendin e parafundit në renditje e ndajnë pak pikë nga vendet që të çojnë në Europë. Situatat mund të përmbysen lehtë. Për titullin mendoj se është një garë mes Tiranës dhe Partizanit, por edhe në këtë rast është shumë e vështirë të thuash se kush do të jetë i pari në fund. Ajo skuadër që do të bëjë më pak gabime në këto javë të mbetura, do të ngrejë lart trofeun.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"