Ish-kapiteni kritikon ceremonitë e pritjes: Kjo Kombëtare, më e mira

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 25, 2016 | 11:20

Ish-kapiteni kritikon ceremonitë e pritjes: Kjo Kombëtare, më e mira

Ish-kapiteni i Kombëtares, Ervin Skela, është treguar kritik ndaj ceremonisë së pritjes së përfaqësueses kuqezi pas Kampionatit Europian.

SkelaSipas tij, fillimisht lojtarët dhe stafi duhej të kishin festuar me tifozët, pasi ata janë të parët. Skela i ka konsideruar të ekzagjeruara takimet e shumta dhe raskapitëse të lojtarëve nëpër institucionet shtetërore.

Në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel” ku ai ishte i ftuar, ka folur edhe në lidhje me De Biazin dhe Kombëtaren kuqezi, ku këtë të fundit e ka konsideruar si ekipin më të mirë të të gjithë historisë. Skela “Përpara Europianit nuk e kishim menduar se do të bënim një paraqitje kaq të mirë në këto tri ndeshje.

Menduam se De Biazi do të vendoste në fushë atë ekipin me një mbrojtje të dendur, në një kohë që nuk dinim se si do të shkonim te porta kundërshtare, pasi nuk kemi lojtarë që mbajnë shumë topin apo shumë fantazistë. Por nga ndeshja në ndeshje erdhëm duke u ngritur.

Në ndeshjen e parë na ndëshkoi pak kartoni i kuq i Canës, ndërsa në sfidën e dytë eksperienca dhe forca nuk na lanë që të merrnim një pikë. Ndërsa në takimin e tretë lojtarët treguan që janë shumë profesionistë, edhe trajneri gjithashtu. Në fund shikohen rezultatet.

Kjo është Kombëtarja më e mirë në histori, si edhe trajneri më i mirë në histori”, deklaroi fillimisht Skela. I pyetur në lidhje me festimet dhe ceremoninë e pritjes së Kombëtares, Skela u shpreh:

“Tifozët duhet të jenë në radhë të parë dhe të festohet me ta. Me tifozët në Francë, treguam se jemi një popull që e do paqen dhe kënaqësinë. Kanë investuar shumë për të shkuar aty duke harxhuar ditë të tëra dhe financa”, është shprehur ish-kapiteni kuqezi. Loja Më pas, Skela i ka bërë edhe një analizë asaj çfarë pritet në eliminatoret e ardhshme dhe lojës së trajnerit italian Xhani De Biazi.

“De Biazi dhe Tramexani që shkojnë nëpër Europë ku shohin lojtarët, nuk i zgjedhin ata me synimin për të fuqizuar mesfushën që të kontrollojë topin, por si të mbrojnë sa më shumë. Nuk mendoj se në vazhdim ne do të luajmë me dy sulmues apo të krijojmë identitet siç e ka Spanja.

Sigurisht, nuk mund të bëjmë 800 pasime, por të bëjmë 400 dhe të shtyjmë përpara. Mendoj se edhe në grupin e ardhshëm eliminator, De Biazi me të njëjtën mënyrë loje do të luajë. Nuk është stol i bukur loje, ashtu siç edhe Italia nuk është e bukur për t’u parë, por kur ke rezultate, të gjitha të tjerat mbulohen”, ka deklaruar ish-fantazisti kuqezi. Në fund, ai ka thurur elozhe edhe për zv.trajnerin e përfaqësueses shqiptare, Paolo Tramexani.

“Të mos harrojmë edhe Paolo Tramexanin. Është ai njeriu që studion kundërshtarin me detaje që përfaqësuesja jonë të mos ketë probleme”. Skela ka qenë një prej lojtarëve më të mirë të Kombëtares gjatë kohës që ka luajtur, fantazist që ende edhe sot nuk është zëvendësuar.

 






www.minuta90.com