Ish-kapiteni i Vllaznisë: Vonesat në paga ndikojnë, skuadra nuk po funksionon në asnjë repart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2017 | 21:50

Ish-kapiteni i Vllaznisë: Vonesat në paga ndikojnë, skuadra nuk po funksionon në asnjë repart

Humbja ndaj Laçit ka nxjerrë në pah problemet e skuadrës së Vllaznisë në çdo sektor të fush- ës. Kuqeblutë nuk po funksionojnë si skuadër dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ishmesfushori Amarildo Belisha. Ky i fundit në një prononcim për “Panorama Sport” është shprehur:

Apolonia-Vllaznia 1-3, Belisha ne aksion

“Mund të them se ekipi nuk po funksionon siç duhet në të gjithë repartet. Duke analizuar takimin e fundit me Laçin, Vllaznia, pavarësisht golit të pësuar në pjesën e parë, ishte më dominuese. Megjithatë, vlen për t’u përmendur se sërish në sulm po vuan shumë. Krijohen ndoshta mundësi, por mungon finalizimi. Ndërsa në rastin e pësimit të golit të parë ishte mbrojtja ajo që nuk funksionoi.

Goli i dytë ishte një gabim i portierit që na ndëshkoi pikërisht në ato momente kur u duk se ekipi po bënte diçka më tepër për të kërkuar golin. Ai ende nuk është një garanci për ekipin, pasi duhet të krijojë edhe një siguri për lojtarët, gjë të cilën nuk po e bën. Pas pësimit të golit të dytë nuk u bë më fjalë për të parë një ekip që do të gjente forca për të reaguar.

Edhe mesfusha është ende larg atyre pretendimeve që ne kishim. Kemi kërkuar një Vllaznia me shkodranë dhe mendoj se është arritur një gjë e tillë, por duhet që lojtarët të tregojnë vlerat e tyre për të cilat janë afruar në të mirë të skuadrës. Deri tani nuk janë aty ku duhet”, ka deklaruar Belisha.

Vonesat

Ish-kapiteni i Vllaznisë është shprehur edhe për vonesat e pagave. I pyetur sesa këto mungesa mund të kenë ndikimin e tyre te skuadra, ai shprehet: “Nuk jam tërësisht i mendimit se vonesat në paga nuk duhet të kenë ndikimin e tyre në paraqitjet e ekipit, pasi për mua ato ndikojnë. Lojtarët shpenzimet i kanë të përditshme e jo një herë në tre muaj, prandaj e shikoj si një shqetësim. Por jo të jetë justifikimi për paraqitjen e tyre në fushën e blertë”.

Vazhdimësia

Ekipet kanë një periudhë pauze në kampionat dhe kjo, sipas Belishës, duhet të shfrytëzohet nga skuadra për t’u rritur më shumë fizikisht.

“Ndërprerja e kampionatit duhet shfrytëzuar mirë nga Vllaznia. Lojtarët duhet që të rifitojnë formën e tyre më të mirë gjatë kësaj periudhe dhe këtu e kam fjalën për ata që janë afruar gjatë merkatos që nuk duken në maksimumin e tyre. Se si do të jetë e ardhmja e kësaj skuadre është shumë herët për të folur. Është vetëm fillimi dhe gjërat mund të ndryshojnë për mirë”, ka mbyllur ish-kapiteni Belisha, i cili shpreson te kthesa e skuadrës kuqeblu.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"