Ish-kapiteni i Tomorit s’ka besim te rikthimi i titullit: FSHF i ka rregulluar me të gjitha mënyrat letrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2018 | 16:49

Ish-kapiteni i Tomorit s’ka besim te rikthimi i titullit: FSHF i ka rregulluar me të gjitha mënyrat letrat

Ish-kapiteni i Tomorit në vitet 1999-2000 dhe aktualisht drejtor teknik i Skraparit, Madrit Muxhaj, ka folur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” në lidhje me letrën e dërguar nga klubi beratas pranë FSHFsë për njohjen e titullit.

Muxhaj

Muxhaj, çfarë mund të na tregoni më shumë në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të sezonit 1999-2000?

Në atë vit kanë ndodhur disa ndryshme në rregulloren e kampionatit vetëm dy javë para përfundimit të tij. Ne festuam pas ndeshjes me Partizanin për shkak se rregullorja e tregonte mjaft qartë, ku gjithçka vendosej në bazë të ndeshjeve direkte. Mirëpo, çuditërisht dy javët e fundit na vjen një letër zyrtare nga FSHF-ja, ku shprehte se dy ekipet me pikë të barabarta do të përballeshin në një ndeshje shtesë, nga ku do të dilte edhe kampioni.

Kështu u luajt më pas edhe ajo ndeshja e famshme në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, ku humbëm me penallti ndaj Tiranës. Realisht, ne arritëm të grumbullonim katër pikë në dy ndeshjet e luajtura përballë tyre dhe duket tepër absurde, edhe sot që flasim, se me çfarë të drejte FSHF-ja kërkoi një ndeshje shtesë. Ne kundërshtuam dhe atëherë dhe askush nuk donte t’ia dinte për djersën që kishim derdhur përgjatë atij edicioni.

Muxhaj3

Përse duhet të kërkohej një e drejtë, sipas jush, pas 18 vitesh dhe jo më parë? 

Menjëherë pas atij edicioni ne u larguam pothuajse të gjithë dhe Tomori nuk eci duke rënë nga kategoria. Dua të them se kjo gjë u la pas dore nga të gjithë. Me ato çfarë më kujtohen mua, pas vitit 2000 edhe revistat nga UEFA vinin me titullin “Tomori është Kampioni i Shqipërisë”, ku njërën prej tyre unë e kam në arkivat e mia.

Ky titull është kërkuar edhe nga i ndjeri Edmond Malollari, i cili kishte dëshirë të hapte një proces gjyqësor, por që nuk ia doli. Me sa mbaj mend unë, ai thoshte që është i fituar.

Mendoni se FSHF-ja do të marrë një vendim të drejtë tani?

Nuk e besoj! Drejtuesit duhet të hapin një gjyq në UEFA nëse e kërkojnë medoemos këtë titull, pasi FSHF-ja mund ta ketë rregulluar me të gjitha mënyrat e veta ndryshimin që i bëri kampionatit në atë sezon dhe duket e pamundur të bjerë në kundërshtim me veten. Pastaj në Shqipëri gjithmonë i madhi e “ha” të voglin dhe kështu kjo gjë më bënë pesimist në përgjigjen që mund të japë ky institucion.

Dhe cila mendoni se do të jetë përgjigjja e FSHF-së?

Për mua nuk do ketë asnjë lloj reagimi nga ana e tyre ose mund të ketë një reagim sa për sy e faqe, duke thënë që kështu është vendosur që atëherë. Unë e kam parë vetë letrën e ardhur në atë kohë ku thoshte që do të luhet një ndeshje shtesë, teksa më përpara kjo gjë nuk ekzistonte dhe doli fare rastësisht në dy javët e fundit të kampionatit. Pra, gjithçka është ndryshuar në atë kohë dhe të drejtën mund ta gjesh vetëm në UEFA.

Muxhaj3

Në fillim të kampionatit jeni shprehur që Tirana do të rikthehej menjëherë në Kategorinë Superiore. Parashikimi doli!

Kam qenë mjaft i bindur për këtë gjë sepse asnjë ekip tjetër i kësaj kategorie nuk ka bërë blerje, teksa u dorëzuan direkte që në momentin e parë që Tirana do të luante në Grupin B. Edhe skuadra ballshiote e dinte mjaft mirë këtë gjë, duke mos u futur për asnjë moment në merkato. Tirana është një klub me shumë histori dhe i takonte që t’i rikthehej Kategorisë Superiore.

Aktualisht jeni drejtor teknik i Skraparit. Si po shkon puna atje dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

Fillimisht, kur m’u ofrua diçka e tillë, ishte paksa e vështirë për mua sepse Skrapari ndodhej në vendin e fundit me vetëm 4 pikë. Por me mbështetjen e presidentit Hysen Caka, mua më është bërë e ditur që mund të merrja kë futbollist të dëshiroja dhe në këtë mënyrë m’u dha një hapësirë për të punuar i qetë. Momentalisht jemi në vendin e 11-të në klasifikim dhe është mjaft e sigurt që nuk dalim.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"