Ish-kapiteni i Lushnjes “skanon” verdhejeshilët: Merkato “e varfër”, hall infrastruktura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 15:42

Ish-kapiteni i Lushnjes “skanon” verdhejeshilët: Merkato “e varfër”, hall infrastruktura

Gentian Çela “skanon” Lushnjën. Ish-kapiteni i verdhejeshilëve flet për situatën në prag të sezonit të ri dhe merkaton e zhvilluar. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se prurjet janë “të varfra” në emra, por kjo nuk e shqetëson.

cela

“Deri tani është bërë merkato e elementëve të rinj dhe besoj se stafi, duke i njohur këta lojtarë, ka menduar që kjo është mënyra më e mirë. Shpresoj të jetë e duhura. Emrat e njohur kushtojnë dhe mbase aq janë mundësitë financiare të klubit, por ka pasur plot raste që këta ‘emra’ kanë dështuar”, u shpreh fillimisht ish-mbrojtësi. Të gjithë duan që ekipi të hedhë hapin e madh dhe tentojë më shumë se mbijetesa, por Çela nuk është fort optimist.

“Edhe këtë vit e shoh sikur vjet, pra do të luhet për të mos e diskutuar qëndrimin. Që të kesh pretendime duhet që të gjitha hallkat të jenë të forta. Lushnja vuan akoma terrenet që mungojnë dhe gjatë periudhës së kampionatit kjo rezulton një minus i madh për ekipin. Handikapi më i madh është mungesa e një sponsori. Realisht e shoh të vështirë ngjitjen më lart, pasi ka ekipe më të organizuara se ne, si në infrastrukturë dhe në përbërje.

Nëse sezonet e shkuara edhe pse kishte probleme, ekzistonte një bosht i fortë me djem lushnjarë, të cilët kishin eksperiencë dhe dëshirë për arritjen e rezultatit. Edhe tani ka lushnjarë, por ende nuk janë formuar plotësisht për të udhëhequr ekipin drejt arritjeve të larta dhe rezultateve maksimale”, ka përfunduar ish-kapiteni.

ALBAN ALUSH-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"