Ish-kapiteni i “demave”, Tafaj: Partizani pa një pikë referimi, nuk duhen përsëritur gabimet me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 23:12

Ish-kapiteni i “demave”, Tafaj: Partizani pa një pikë referimi, nuk duhen përsëritur gabimet me…

Fatjon Tafaj pjesën dërrmuese të karrierës së tij si futbollist e ka kaluar te Partizani dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ish-kapiteni kërkon që ambienti të ketë durim me skuadrën aktuale. Sipas tij, “demave” u mungon pika referuese në sulm, pasi Hebaj nuk mund të mbajë barrën kryesore. Për Tafajn, ky do të jetë një kampionat i balancuar dhe titulli mund të ndahet vetëm në fund, pasi synohet nga 4-5 skuadra. Ndonëse nuk përmendet fjala titull, sipas ish-kapitenit Partizani çdo sezon e nis për të fituar trofe.

Tafaj Fatjon

Si ish-kapiten, si e shikoni Partizanin në këtë sezon të ri?

Partizani ka ndryshuar shumë, kjo edhe si pasojë e ardhjes së trajnerit të ri. Por duhet akoma kohë që kjo skuadër të arrijë aty ku duhet. Trajnerit i duhet dhënë koha e duhur në dispozicion, në mënyrë që ekipi të vijë si duhet.

Çfarë i mungon kësaj skuadre?

Partizanit i duhet një pikë referimi në sulm. Me ikjen e Çanit, ndonëse edhe ai nuk ka pasur formën e duhur, ekipit i duhet pika referuese, një lojtar kyç që di të zgjidhë situatat dhe të mbajë peshën në sulm. Partizani ka vetëm Hebajn, një djalë i ri dhe me talent, por ekipi ka nevojë për një sulmues me eksperiencë që ta tërheqë skuadrën përpara. Për momentin, Partizanit i mungon pika referuese, ndoshta në të ardhmen Hebaj mund të përshtatet dhe të arrijë që të bëjë këtë funksion. Shembulli kryesor i pikës referuese ishte Ekubani, por edhe ai pas javës së katërt doli në skenë. Duhet durim, pasi jemi mësuar në Shqipëri që po nuk pati rezultat, ta heqim trajnerin që në javët e para. Partizani ka treguar se di të durojë dhe nuk i ka hequr trajnerët brenda muajt, të paktën u ka lënë një fazë kohë që të tregojnë.

Në krahasim me sezonin e shkuar ekipi ka pikët, pasi nga loja pritet akoma më shumë…

Pak rëndësi ka në futboll nëse ke ekip të mirë apo të dobët, në fund pikët janë treguesi i një skuadre. Mund të kesh ekip jo të përshtatshëm për kampionatin, por nëse ke pikët e duhura, nuk ke çfarë kërkon më shumë nga ajo skuadër. Ka plot raste që klubet kanë pasur ekip me lojtarë shumë të mirë, por nuk kanë pasur pikët. Për momentin Partizanin e shikoj në rrugën e duhur. Derisa ka pikët, them se me kalimin e kohës do të jenë akoma më mirë edhe në lojë.

Ndaj Laçit u dhanë shkëndijat e para të balancimit të lojës, mendoni se do të shikojmë një Partizan në rritje në javët në vijim?

Laçi është një ekip shumë i fortë në fushën e tij, por ajo që ka arritur Partizani, ndonëse nuk fitoi dhe iu mohua një penallti, është një tregues i mirë për ekipin. Loja në këtë sfidë ka qenë e balancuar dhe më cilësore në krahasim me ndeshjet e para. Partizani është në rritje dhe sigurisht kjo gjë pritet të vazhdojë edhe në ndeshjet në vijim. Nëse Partizani do të ketë ecuri graduale deri në dhjetor, them se do të jetë pretendent kryesor për kampion.

A ju duket e çuditshme që këtë vit te Partizani nuk përmendet fjala “titull”, e cila përdorej edhe kur klubi vuante?

Mund të jetë një strategji e klubit për të larguar presion, por mund të jetë edhe vërtet. Mbase nuk e kanë këtë qëllim këtë vit dhe drejtuesit kanë vendosur të jenë të duruar, të ndërtojnë e harmonizojnë një grup, në mënyrë që në sezonin e ardhshëm të mos e diskutojnë titullin. Pra, mund të jetë një strategji për të ndërtuar një ekip konkurrues për edicionin pasardhës. Mbase ata duan që këtë sezon të fitojnë lojtarët që duhen për një ekip kampion duke e forcuar grupin me 3-4 afrime cilësore. Mund të jetë një plan afatgjatë dhe ekonomik, për të mos përsëritur vitin e kaluar që e nisën me trajnerin Iuliano dhe me shpenzime shumë të mëdha, por pa qenë të suksesshëm.

Si e shikoni garën për titullin kampion në këtë sezon?

Në fillim mendova se Skënderbeu nuk do të ishte pretendent, por po tregojnë se janë një ekip me stof kampioni. Skënderbeu e ka boshtin, ndonëse u larguan shumë. Kanë lojtarë me eksperiencë, por edhe ata që janë titullarë kanë qenë rezerve tek ekipet që kanë dalë kampion më parë. Flamurtari ka krijuar një ekip të mirë dhe pretendent. Teutën, ndonëse e ka riformatuar ekipin dhe ka trajner të ri, përpos rezultateve të fundit, e shikoj konkurruese. Kukësi dhe Partizani ashtu siç kanë qenë gjithnjë, edhe këtë vit janë pretendentë kryesorë. Them se këtë vit titulli do të diskutohet mes 4-5 ekipeve. Shpresoj që barazia të vazhdojë deri në fund të sezonit. Distancimet në renditje të mos ndodhin shpejt, por sa më vonë që të jetë e mundur, nga marsi ose prilli, në mënyrë që të shikojmë një kampionat konkurrues. Ekipet që presin biletën herët për të rënë apo për kampion e prishin bukurinë e garës. Gjithsesi, është herët për të folur për këtë gjë, pasi është fillimi i kampionatit dhe skuadrat janë të pastabilizuara.

Duke parë situatën që kaluan rivalët kryesorë të sezonit shkuar, a duhet të ishte ky viti i Partizanit për të dalë kampion?

Nuk e di çfarë strategjie ka Partizani këtë sezon, por as nuk e besoj se, referuar historisë, që është klub që nis një sezon pa pretenduar trofe. Me pikët që ka tani nuk mund të thuash se Partizani nuk është pretendent. Mbetet të shikohet ecuria në vazhdim dhe të mos përsëritet historia e sezoneve të fundit, ku “demat” e kanë humbur titullin nga të ashtuquajturat ekipe të vogla, pasi me rivalët ka qenë gjithnjë superior në përballjet direkte. Me të mëdhatë ata motivohen vetë, ndaj duhet që të reflektojnë ndaj të voglave, kryesisht në pjesën përmbyllëse të kampionatit, ku nuk duhet t’i diskutojnë trepikëshat.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"