Ish-kapiteni i “demave”, Bylykbashi: Partizani, është viti i titullit. Ja si mund ta rregullojnë shënjestrën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 20, 2018 | 23:06

Ish-kapiteni i “demave”, Bylykbashi: Partizani, është viti i titullit. Ja si mund ta rregullojnë shënjestrën

U bënë 25 vjet që Partizani synon titullin, por pa ia arritur dot. Kanë qenë shumë pranë dhe investimet nuk u kanë munguar, por sërish në fund nuk e kanë realizuar dot objektivin. Nuk ia arritën as kur në skuadër kishin Dorian Bylykbashin, një nga lojtarët më cilësorë të asaj kohe. Ishkapiteni i të kuqve pranon të flasë në një intervistë enkas për “Panorama Sport” rreth klubit të kuq, duke dhënë këshilla që mund ta çojnë pse jo drejt titullit.

Bylykbashi është kundër shumë ndryshimeve që bëhen çdo vit në skuadër, por ka besim se këtë sezon ndryshimet mund të jenë për mirë. Ish-fantazisti i Partizanit i bën një “skaner” Superligës, ku e sheh të rivalizuar deri në fund dhe e ka të vështirë të bëjë parashikime, pasi beson te surprizat që mund të sjellë futbolli. Përshëndet rikthimin e Tiranës dhe derbit në Superiore, me shpresën që elitës t’i bashkohen edhe Vllaznia me Elbasanin.

dorian bylykbashi

Kategoria Superiore sapo ka nisur, si ju duket kampionati?

Është ende herët për të folur. Janë vetëm javët e para dhe mund të gabosh nëse del në ndonjë konkluzion. Por, ajo që të paktën duket për momentin ka të bëjë me rivalitetin dhe kjo është diçka pozitive në futboll.

Starti i Partizanit deri më tani?

Do them të njëjtën gjë, pasi është herët edhe për Partizanin, ashtu si për të gjitha skuadrat e tjera që marrin pjesë në kampionat. E gjitha mbetet për t’u parë, i duhet dhënë koha e duhur skuadrës për të treguar vlerat e veta.

Sezon i ri, trajner i ri. Çfarë mendoni?

Nuk e njoh Gegën në fakt, por dua t’i uroj shumë suksese atij dhe gjithë skuadrës. Mendoj se si çdo trajner i ri në një skuadër, do të sjellë diçka të re, pasi çdo trajner ka filozofinë e tij të punës.

Sa efikas mund të jetë trajneri te Partizani?

Këtë do ta tregojë koha, nuk mund të bëjmë vlerësime me pak javë kampionat. Por, mendoj se janë të gjitha mundësitë për të bërë mirë.

Edhe këtë sezon skuadra ka bërë shumë ndërhyrje. Si i shihni?

Unë kam qenë gjithnjë kundër shumë ndryshimeve në skuadër. E kam thënë edhe në të kaluarën dhe i të njëjtit mendim qëndroj edhe tani. Kur bëhen shumë ndryshime, duhet edhe më shumë kohë për t’u ambientuar. Nuk është mirë që çdo vit të ketë shumë lëvizje. Kjo vlen për të gjitha skuadrat, jo vetëm për Partizanin.

Një pyetje që ka 25 vite rresht që bëhet për Partizanin. A është ky viti i duhur për t’u shpallur kampion?

Mendoj se çdo vit është i duhuri për t’u shpallur kampion. Një skuadër si Partizani apo rivalët e tjerë hyjnë me synimin për ta fituar titullin. Unë shpresoj shumë që ky vit të jetë realisht i duhuri dhe skuadra të ngrejë trofeun.

Çfarë i mungon kësaj skuadre për t’u shpallur kampione?

Nuk di të them, pasi nuk është diçka e prekshme kjo gjë. Partizanit nuk i mungon asgjë për të dalë kampion, duke e krahasuar me ekipet e tjera që pretendojnë titullin. Thjesht të mos bëjë shumë ndryshime, këtë shoh si shqetësuese.

Po në krahasim me rivalët, çfarë ka plus?

Dëshira për të fituar titullin është shumë e madhe dhe e shoh si armë plus në krahasim me rivalët e tjerë. Pa harruar as tifozërinë, e cila gjithnjë është në mbështetje të skuadrës. E kujtoj ende me nostalgji atë tifozëri.

Keni ndonjë këshillë për Partizanin?

Më mirë i dinë gjërat ata që punojnë përditë aty. Por, mendoj se duhet t’i marrin gjërat me ngadalë, të ketë seriozitet dhe të mos vuajnë presionin. Më pas, edhe rezultatet do të vijnë vetë. Më duket sikur këtë sezon gjërat po ndryshojnë për mirë në këtë aspekt.

Problemi më i madh duket goli. Cila është “receta” juaj për sulmuesit e kuq?

Nuk di ta jap një “recetë” tani, por sulmuesit dhe skuadra duhet të tentojnë sa më shumë që të godasin portën dhe të jenë të përqendruar në çdo aksion. Por, edhe sulmuesit tani kanë ardhur dhe nuk mund t’u kërkosh që në fillim të bëjnë gjëra të mëdha.

Rikthehet Tirana dhe derbi…

Më vjen shumë mirë që u rikthye Tirana. Nuk ka kuptim futbolli shqiptar pa skuadra si Tirana, Vllaznia, Elbasani, pasi janë skuadra që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Sa i takon derbit, është vitrina e futbollit shqiptar dhe e di mjaft mirë që tifozët e përjetojnë shumë këtë ndeshje.

Skënderbeu kampion ka bërë disa ndryshime këtë sezon. Si e shihni?

Skënderbeu me të vërtetë ka bërë lëvizje, por e ka ruajtur boshtin e lojtarëve. Ndaj edhe është ende në krye. E shoh sërish pretendent për titull, edhe pse normalisht kemi të bëjmë me një kampionat të gjatë dhe në fund do fitojë ai që do gabojë më pak.

Cila është skuadra për t’u mundur?

Mendoj se Skënderbeu me Kukësin, pa harruar Partizanin edhe ekipet e tjera që do tentojnë për të marrë maksimumin nga kampionati këtë sezon. Duket sikur këtë vit nuk ka një mbi të tjerat dhe, për hir të bukurisë së kampionatit, shpresoj të vazhdojë rivaliteti deri në fund.

Në lidhje me mbijetesën, cilat skuadra sheh të rrezikuara?

Është e njëjta situatë me titullin kampion, ku nuk ka një skuadër mbi të tjerat, apo më e dobët. Javët e para nuk janë ndonjë tregues i madh, sepse mund të bëhet kthesa rrugës. E mbani mend Luftëtarin e vitit të kaluar, e nisi si mos më keq dhe në fund siguroi Europën. Të tilla surpriza mund të ketë edhe këtë sezon.

Tifozët vazhdojnë të dënohen kolektivisht. Çfarë mendoni?

Të gjithë besoj se janë kundër dënimeve kolektive. Nuk di ta them zgjidhjen për momentin, por duhet gjetur një mekanizëm që mos ta pësojnë të gjithë. Në fund të fundit, futbolli për tifozët luhet.

Në fund, diçka për Vllazninë dhe Elbasanin. Të dyja në Kategori të Parë dhe me probleme…

Jam munduar t’i ndjek më shumë nëpërmjet shtypit. Të them që më vjen keq që nuk janë në Superiore është pak, pasi edhe atyre që nuk kanë asnjë lidhje me këto skuadra u vjen keq për situatën. Shumë shpejt edhe këto dy ekipe do të shkojnë aty ku u takon dhe momentet e këqija besoj se do të zgjidhen. Uroj të mos jetë e largët kjo ditë, pasi dua t’i shoh të luftojnë për titullin kampion, ashtu siç bënin dikur.

VLADIMIR MEMA






www.minuta90.com