Ish-kapiteni Çela shkund Lushnjën: Po rrezikojnë, mbrojtja “huq”! Mungojnë “xixat”, duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2023 | 23:40

Ish-kapiteni Çela shkund Lushnjën: Po rrezikojnë, mbrojtja “huq”! Mungojnë “xixat”, duhet të…

Lushnja është “ngu lur” në zonën e rënies. Kur kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur në Kategorinë e Parë, rreziku i rënies sa vjen edhe shtohet. Pritej kthesa kundër Apolonisë, por nuk ndodhi kështu. Edhe pse morën një pikë, asgjë nuk ndryshoi në renditje.

Gentian-Cela-ne-sulm-tregon-sherrin-dhe-akuzon-Dedjen

Për Gentian Çelen, situata është rënduar së tepërmi. Ish-kapiteni e quan të tepërt të gabosh në shtëpi dhe me një rival direkt. Gjatë një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ai evidenton edhe shthurjet që skuadra pati për gati 75 minuta.

“Nëse para derbit situata në renditjes ishte e keqe, tani është akoma më shumë. Lushnja u barazua në pikë me Orikun dhe iu afrua Turbina. Nuk mund të lësh pikë në fushën tënde dhe me një rival të drejtpërdrejtë. Bënë çerekore të mirë në pjesën e parë, më pas… Ekipin e pashë të shthurur. Mund të kapesh me cilësinë e fushës, që është vërtet e keqe. Por unë prapë mendoj, që më shumë na dha avantazh me atë nivel loje që treguam. Nuk na dëmtoi”, u shpreh fillimisht 42-vjeçari.

REAGIMI – Ish-mesfushori pret reagim të menjëhershëm me Flamurtarin: “Ekipi duhet të luajë. Nuk ka rëndësi fare se në çfarë vendi janë. Të shkojnë dhe të luajnë atje për të marrë pikën. Nëse rrimë kështu, shanset për mbijetesë sa vijnë dhe zvogëlohen. Lushnja duhet të jetë gati edhe në planin fizik, por duket që nuk është e qetë”.

MBROJTJA – Gjatë analizës së tij, ai u ndal edhe te mbrojtja. Gabimet që ata bëjnë i quajnë elementare, ndaj kërkon që të paktën nga ky moment të jenë më të kujdesshëm dhe nxjerrin “xixa” në fushë.

“Mbrojtësit bëjnë gabime elementare, dalin huq. Nuk gjejnë kohët e futjes. Lushnja u rrezikua nga Apolonia dhe golin e mori për gabime individuale.

Ekipi duhet të gjejë qetësi në fushë. Udhëhiqte 1-0 me Apoloninë dhe kishte trysni, ndërkohë që atë duhet ta kishte ekipi kundërshtar, që ishte në disavantazh. Nuk ka shansin të jetë i qetë, sepse po bie nga kategoria. Duhet ta tregojnë në fushë qetësinë, duhet të çojnë ‘xixa’”, përfundoi ish-kapiteni i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"