Ish-kapiteni Beqiri: Në Durrës vlen edhe një pikë, ndaj Teutës duhet drejtësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 16:25

Ish-kapiteni Beqiri: Në Durrës vlen edhe një pikë, ndaj Teutës duhet drejtësi

Elvin Beqiri parashikon një ndeshje shumë të vështirë në Durrës, por jo të pamundur për të dalë me tri pikë. Ish-kapiteni i Vllaznisë, në një bisedë për “Panorama Sport”, foli për “finalen” e mbijetesës që do të luhet të dielën në stadiumin “Niko Dovana”, ora 19:00.

“Situata te Vllaznia mund të themi me plot gojën se ka ndryshuar shumë. Shikoj një skuadër më të mirë dhe më të motivuar. Mbi të gjitha, jo vetëm luan mirë, por edhe shënon shumë gola, siç ishte fitorja e fundit ndaj Lushnjës. Vllaznia ka pasur disa eksperienca jo të mira me ekipet që janë në vendet e fundit edhe frika normalisht ekzistonte. Por, kjo fitore nuk është asgjë, pasi në fundjavë ekipin e pret një takim i vështirë. Luajmë përballë në skuadre që kërkon mbijetesën dhe do të kërkojë të mos lërë asnjë pikë në fushën e vet”, theksoi Beqiri.

Beqiri Elvin

REZULTATI

Sipas Beqirit, Vllaznia në këtë sfidë duhet ta kënaqet edhe me një pikë. Ish-mbrojtësi bën apel për një gjykim korrekt, ndërsa thekson se shkodranët duhet të kenë edhe fatin me vete në Durrës. “Unë do të thosha se në këtë përballje do të më kënaqte edhe një pikë. Natyrisht, një fitore do të ishte mrekullia vetë. Por, edhe një pikë do të ishte shumë pozitive. Shpresojmë që në këtë takim të kemi drejtësi nga arbitri dhe pa diskutim dhe ndihmën e Zotit. E theksoj që një pikë në këtë përballje do të thoshte shumë. Luajmë përballë një skuadre që në fushën e vet është e fortë, prandaj dhe mbetet e rëndësishme që të mos humbim”, është shprehur më tej ish-kapiteni i kuqebluve.

MBIJETESA

Si një nga emrat e spikatur ndër vite të futbollit shkodran, ishmbrojtësi e shikon të hapur luftën për mbijetesë, jo vetëm nga dy skuadrat që do të përballen të dielën, Teuta e Vllaznia, por ai fut në këtë vorbull edhe Kamzën me Flamurtarin. “Lufta për të mbijetuar nuk do të jetë vetëm mes Vllaznisë e Teutës. Edhe Kamza është përfshirë në këtë vorbull. Mund të them se mungesa e eksperiencës së kësaj skuadre ka bërë që të ndihet e rrezikuar. Madje, mund të them se është po aq e rrezikuar sa Teuta e Vllaznia.

Përfshirja e Kamzës, por deri diku edhe paraqitjet e Flamurtarit, kanë bërë që deri në fund situata të mos jetë e qetë për të katërta këto ekipe. Shoh një kampionat interesant deri në fund. Në një pozicion të tillë, edhe aleancat do të jenë më të pakta. Unë mendoj se, pavarësisht rezultatit që do të marrë Vllaznia në Durrës, ajo nuk do të rrezikojë si një sezon më parë deri në takimin e fundit. Unë kam besim te kjo skuadër, nisur nga ajo që po paraqet në fushë nga ndeshja në ndeshje”, ka përfunduar Beqiri, i cili prej disa muajsh është zv.trajner i Kombëtares U17 të Shqipërisë.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"