“Ish”-i Liçaj: Tek Flamurtari na kanë penalizuar, ja ngacmimet me Ramadanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2017 | 20:23

“Ish”-i Liçaj: Tek Flamurtari na kanë penalizuar, ja ngacmimet me Ramadanin

Lejdi Liçaj shprehet me emocione për përballjen me të shkuarën e tij. Vlonjati do të rikthehet në Gjirokastër, por tashmë si “ish”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Liçaj analizon Flamurtarin dhe Luftëtarin. Nuk parashikon dot një rezultat, por thotë se nuk do të festojë nëse shënon. Ndërsa tregon edhe për telefonatën e fundit me lojtarët e Luftëtarit.

Lejdi Licaj - Albano Aleksi

Liçaj, si e vlerëson ndeshjen me Luftëtarin?

Mund të them se është një nga ndeshjet më të vështira. E them këtë gjë, pasi Luftëtari është skuadra me repartin më ofensiv dhe më kualitativ në Superiore. Duhet të kemi kujdes maksimal sepse ata janë shumë të shpejtë në veprimet e tyre.

Përpara kësaj ndeshje, ke nostalgji?

Kam shumë nostalgji. Në Gjirokastër kam kaluar shumë bukur dhe shumë mirë. Në ekip kam pasur mbështetjen e të gjithëve, si nga shokët, edhe nga presidenca. Ka qenë vërtet një eksperiencë e bukur.

Si e parashikon rezultatin e kësaj ndeshjeje?

Nuk e di për rezultatin. Mendoj se do të fitojë futbolli. Të dy ekipet, si Flamurtari, ashtu edhe Luftëtari, kanë qenë të penalizuara nga gjykimet sepse kanë merituar më shumë me atë që dhanë në fushën e lojës.

Luftëtari është në një situatë të vështirë. Mendon se do të dalë?

Më vjen keq që janë në të tilla pozita. Ata nuk e meritojnë këtë gjendje. Unë shpresoj dhe besoj se Luftëtari do t’ia dalë.

Nëse shënon në këtë ndeshje, do të festosh?

Jo, asnjëherë nuk do të festoj nëse shënoj ndaj Luftëtarit! I jam shumë mirënjohës asaj skuadre dhe atij qyteti.

Cila është pika më e fortë e Flamurtarit dhe Luftëtarit?

Pika më e fortë e Flamurtarit këtë vit është grupi dhe harmonia që kemi krijuar, por edhe etja për sukses dhe për ta çuar këtë skuadër atje ku e ka vendin. Ndërsa Luftëtarin si ekip e karakterizon fryma e grupit. Por, pika më e fortë e atij ekipi është mesfusha dhe sulmi. Janë shumë të shpejtë dhe teknikë.

Po pikat e dobëta?

Pika më e dobët nga Flamurtari jam unë (qesh…). Unë do kem më shumë ngarkesë emocionale. Luftëtarin e disfavorizon vetëm renditja dhe fakti se si ata do ta përballojnë presionin.

Me kë nga lojtarët e Luftëtarit i ruan komunikimet?

Të them të drejtën, i kam marrëdhëniet e mira me të gjithë djemtë. Komunikoj me shumë nga djemtë që luajnë aty, pasi kemi kaluar shumë mirë. Më shpesh me Beqirin, Bregun, Ramadanin, Rocën, Ruçin dhe Abazin.

Ke folur këto ditë para ndeshjes?

Po, kam folur edhe këto ditë para ndeshjes. Ata bëjnë shaka me mua. Telefonatën e fundit e kam pasur me Ramadanin, i cili më tha: “E gjetëm pikën e dobët. Do sulmojmë nga ty.”

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"