Ish-futbollisti i Kukësit dhe Kastriotit firmos me Lushnjën, largohet nigeriani Ejoh
Duke u përgatitur për sfidën me Skënderbeun, te Lushnja ka ardhur edhe afrimi i katërt. Fjala është për 22-vjeçarin Xhoi Hajdëraj. Mesfushorin ka firmosur dje me klubin verdhejeshil. Më parë, Hajdëraj ka qenë pjesë e Superiores, teksa ka luajtur për Kukësin dhe Kastriotin.
Gjithashtu, me eksperiencë edhe në Kategorinë e Parë, kur ka qenë pjesë e Orikut dhe Besës së Kavajës. Pas disa seancave stërvitore dhe aktivizimeve në miqësore, Xhoi Hajdëraj bëhet zyrtarisht pjesë e Lushnjës. Ndryshe nga tri afrimet e mëparshme, 22-vjeçari nuk do të jetë me huazim, por me kontratë të rregullt 6-mujore deri në fund të sezonit.
“Xhoi Hajdëraj është zyrtarisht lojtari ynë, pasi ka firmosur kontratën 6-mujore, pra, deri në fund të sezonit”, është shprehur në prononcimin për “Panorama Sport” sekretari i klubit të Lushnjës Mario Sula.
Ndërkohë, nigeriani Ejoh që u aktivizua në miqësoren me Besën, nuk do të jetë pjesë e ekipit. Ndërkohë, sot në orën 12.30 skuadra verdhejeshile do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Skënderbeun, ndërsa në orën 15.00 do të bëhet nisja drejt Korçës.
PANORAMASPORT.AL
