Ish-futbollisti i Kombëtares ndihmon Tërbunin me 3 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2016 | 11:56

Ish-futbollisti i Kombëtares ndihmon Tërbunin me 3 milionë lekë

Indiferenca e Bashkisë së Pukës vazhdon. Edhe dje nuk ka pasur asnjë zhvillim nga institucioni vendor dhe rrjedhimisht lojtarët e Tërbunit mbeten të papaguar. Salvador KaçajNjë situatë tejet e rëndë kjo, që ka ndikuar jo pak në anën psikologjike të futbollistëve.

Ata janë të lodhur, madje aq shumë, saqë menduan të mos zbrisnin në fushë kundër Tiranës, ndeshje që luhet të dielën. Por për të ngritur moralin e pukjanëve ka menduar ishlojtari i Kombëtares shqiptare. Salvador Kaçaj e ka ndihmuar ekipin me 3 milionë lekë të vjetër.

Ish-mesfushori i Besëlidhjes, Skënderbeut, Vllaznisë, por dhe i disa skuadrave greke, ka bërë një gjest që ka rikthyer humorin te Tërbuni. Ish-kryetari i Komunës së Shëngjinit është njëherësh edhe babai i njërit prej futbollistëve të kësaj skuadre. Djali i tij është David Kaçaj, 19-vjeçari që është aktivizuar në 4 ndeshje nga ekipi që drejtohet prej Viktor Gjonit. Nëse bashkia hesht apo edhe biznesmenët pukjanë nuk po i vijnë në ndihmë ekipit, këtë po e bëjnë më së miri familjarët e futbollistëve.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Panorama Sport” vetë trajneri i Tërbunit, i cili thotë: “S’më vjen mirë që bashkia nuk reagon. Ata janë betuar që do të paguajnë, por para Tiranës nuk po shohim rroga. Nëse kjo do të ndodhte, ekipi do të ishte më i motivuar. Megjithatë, pas kësaj ndeshjeje, në rast se nuk jepet zgjidhje, do t’i drejtohemi që të gjithë bashkisë dhe të flasim hapur me kryetarin. Këta lojtarë, bashkë me prindërit e tyre janë treguar shumë mirëkuptues. Ata jo vetëm po u gjenden pranë djemve të tyre në këtë periudhë krize, por po kontribuojnë edhe financiarisht.

Rasti më konkret është Salvador Kaçaj, babai i njërit prej futbollistëve tanë. Një emër që të gjithë e njohin në fakt. Ai ka dhënë tre milionë lekë të vjetër për lojtarët duke dhënë ndihmën e tij. Kaçaj duhet që të jetë shembull për të gjithë ata biznesmenë pukjanë bashkë me Bashkinë Pukë. Edhe pse mundësitë ikanë, nuk po lëvizin fare. Është gjynah që të mos na jepet një dorë, pasi vetëm bashkë mund ta shpëtojmë Tërbunin nga rënia. Një shembull i mirë është edhe rasti i Vllaznisë. Kryebashkiakja Ademi është shumë korrekte. Nëse edhe ne do të kishim këtë përkrahje, situata do të ndryshonte”.

Përgatiti: Ditmir Pema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"