Ish-futbollisti i Flamurtarit: Cake miku im më i mirë, dua ta përfaqësoj me dinjitet fanelën kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 21:08

Ish-futbollisti i Flamurtarit: Cake miku im më i mirë, dua ta përfaqësoj me dinjitet fanelën kuqezi

Fjoralb Deliaj vendosi në janar të këtij viti t’i falte disa rroga Flamurtarit, me të vetmen arsye se kërkonte të largohej nga Vlora, aty ku problematikat ishin të mëdha. Mesfushori shkatërrues, që luan edhe në të gjitha pozicionet e repartit mbrojtës, është pjesë e Strugës në Superligën e Maqedonisë së Veriut. Deliaj ka mbetur i bllokuar në shtetin fqinj që prej përhapjes së Koronavirusit në mars. Ai tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” izolimin në qytetin piktoresk që banohet në shumicë nga shqiptarët.

Deliaj
Deliaj, ku gjendeni në këtë periudhë karantine?
Për momentin ndodhem në Maqedoni dhe si të gjithë të tjerët shumicën e kohës e kaloj në shtëpi.

Pse nuk u rikthyet në Vlorë për të kaluar ditët e izolimit?
Qëndrova këtu, sepse nuk e dija si do të shkonte situata dhe mendova se kampionati do të niste më herët dhe jo të kishte një pauzë kaq të gjatë.

Është shqetësuar familja për faktin se keni mbetur në Maqedoni?
Normale, si çdo familje edhe ata kanë merak për mua. Flasim shpesh gjatë ditës dhe më thonë që të mos dal shumë nga shtëpia dhe të kujdesem për higjienën.

Sa ndikon kjo situatë te ju si futbollist?
Besoj se gjithë kjo kohë pushimi ndikon shumë te çdo futbollist, pasi e humbet komplet ritmin. Besoj se do të jetë e vështirë nëse kampionati rifillon, mirëpo kjo është njësoj për çdo lojtar.

Si po e vazhdoni stërvitjen në Strugë?
Shumicën e ditëve, klubi cakton oraret dhe grupe nga tre lojtarë që të stërviten bashkë me praninë e përgatitësit atletik. Po ashtu, ka raste që stërvitemi “online” në shtëpi, ku trajneri na shikon në video gjatë kohës që bëjmë ushtrimet.

Jeni i kënaqur nga aventura te Struga Trim Lum?
Aventura këtu po ecën shumë mirë. Stafi teknik dhe drejtuesit më respektojnë. Shoqëri kam me shumë lojtarë këtu, por Klisman Cake është miku im më i mirë me të cilin njihem që te Tirana dhe me të kaloj shumicën e kohës.
deliajaaaa
Po me shokët te Flamurtari i ruani ende kontaktet?
Flas me disa lojtarë. Me Hoxhajn, Ribajn, Muçollarin dhe Harunin komunikoj disi më shpesh.

Sa e keni ndjekur ekipin e vendlindjes?
E kam ndjekur Flamurtarin në disa ndeshje. Mendoj se do të jetë e vështirë të shpëtojnë, por fati mund të jetë me ta. Dua që sërish një ditë ta përfaqësoj me dinjitet atë fanellë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"