Ish-drejtuesi historik i sporteve, Mehdi Bushati: Si u dashurova me vajzën e Hysni Kapos

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 21, 2017 | 11:35

Ish-drejtuesi historik i sporteve, Mehdi Bushati: Si u dashurova me vajzën e Hysni Kapos

“Që kur isha shtatzënë me Mehdiun, ai ishte fëmija i vetëm që më godiste me shkelma në bark gjatë gjithë kohës. Dukej se që atëherë jepte shenja të pasionit për futbollin, prandaj mos e pengoni që të realizojë këtë ëndërr të madhe të tij.” Nuk mund të kishte asgjë më…

“Që kur isha shtatzënë me Mehdiun, ai ishte fëmija i vetëm që më godiste me shkelma në bark gjatë gjithë kohës. Dukej se që atëherë jepte shenja të pasionit për futbollin, prandaj mos e pengoni që të realizojë këtë ëndërr të madhe të tij.” Nuk mund të kishte asgjë më shumë bindëse se fjalët e dhembshura të një nëne, për t’i hapur udhë talentit dhe dëshirës së të birit.

Ai pati të drejtë në këmbënguljen e tij, ndërsa ajo, që dëgjoi zemrën e të birit. Nga lojërat në lagjet e Shkodrës, herë me top lecke e herë me top lëkure, pinjolli i derës së madhe të Bushatllinjve, do të bëhej një nga futbollistët më të famshëm në vitet ’60-’70. Ndonëse do të tërhiqej fare i ri nga fusha, vetëm 28 vjeç, Mehdi Bushati, ish-lojtari i “Dinamos” dhe Kombëtares, do të linte gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij personale, të cilën ai ka vendosur ta rrëfejë përmes një libri kujtimesh, që titullohet “Një jetë me sportin”, që tashmë është në duart e lexuesit.

Mehdi Bushati me bashkeshorten, Vera Kapo
Mehdi Bushati me bashkeshorten, Vera Kapo

I shkruar në një stil të thjeshtë, të rrjedhshëm, në mënyrë kronologjike, Bushati tregon si u dashurua me futbollin, që në rrugët e lagjes “Rus i vogël” në Shkodër, si ndoqi ëndrrën e tij, si u shqua ndër të tjerë, deri sa të vishte fanellën e “Dinamos” dhe të Kombëtares, ndeshjet e rëndësishme në kampionatet shqiptare, por më së shumti ato ballkanike, europiane e botërore.

Shkollimi si ekonomist e më pas si jurist, për të vijuar me angazhimet e mëvonshme, pasi u largua nga fusha e blertë, por pa u shkëputur nga sporti. Nga fundi i vitit 1979 u emërua kryetar i Komitetit të Sporteve, sektor në të cilin qëndroi derisa doli në pension. Aty ai do t’i kushtohej vetëm futbollit, por edhe sporteve të tjera si volejbolli, peshëngritja, etj. Por një nga momentet më të rëndësishme në jetën e Mehdi Bushatit ishte njohja e më pas martesa me Vera Kapon, vajzën e dy prej emrave më të pushtetshëm të kohës, Hysni dhe Vito Kapos. Një lidhje që nuk do të qe edhe aq e thjeshtë.

Edhe pse ai ishte një emër i njohur i sportit, pikërisht të qenurit sportist, nuk e thjeshtonte punën. Familja Kapo, do të duhej të pyeste mirë për dhëndrin e ardhshëm. Vetë Kadri Hasbiu do ta “merrte në pyetje” të riun e “Dinamos”, ndërsa ishte Llambi Peçini ai që do të qetësonte Kapot, duke u thënë se po të kishte një vajzë do t’ia kishte dhënë pa asnjë dyshim Mehdiut. Kështu nisi një jetë e gjatë e familjes së re Bushati.

MEHDI BUSHATI

NJË “SHKËNDIJË” NË STADIUM. E VËRTETA E LIDHJES ME BASHKËSHORTEN TIME, VERËN

Pavarësisht historive nga më të ndryshmet që kam dëgjuar në vite rreth lidhjes time me Verën, e vërteta është që sporti më njohu dhe më afroi me bashkëshorten time. Mënyra se si ndodhi është histori disi e veçantë. Në periudhën kur isha futbollist, klubi “Dinamo”, kishte në patronazh disa gjimnaze të Tiranës, midis tyre edhe shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”. Kjo kujdesje konsistonte në zhvillimin dhe përparimin e sportit në këto gjimnaze. Asokohe, kjo shkollë e mesme njihej edhe si “gjimnazi i vajzave të bukura”.

Një ditë, klasa e Verës vjen në pistën e stadiumit “Dinamo” për të bërë në orën e fizkulturës garën e 400 metrave. Mirëpo kjo garë, siç dihet, është e vështirë edhe për ata që janë profesionistë në këtë sport, ndaj ne, që po ndiqnim këto vrapime, shikojmë se afër binishit, 3-4 vajza u rrëzuan në pistë, njëra pas tjetrës, rreth 20-30 metra para tij. Midis tyre ishte edhe Vera. Në atë kohë pistat e stadiumeve tona ishin të shtruara me qymyr. Ndaj, kur vajzat e rrëzuara u ngritën në këmbë, ishin bërë të gjitha në fytyra “blozë të zeza”.

Unë, që po ndiqja garën e tyre, reagova. Kujdesi, dëshira rinore për të rënë në sy, një lloj sfide ndaj atyre nxënëseve sa lozonjare, po aq edhe tërheqëse, u pleksën të gjitha bashkë në atë moment, në një nga ato rastësi, për të cilat njeriu nuk e di asnjëherë se do të jenë përcaktuese në jetën e tij të mëpasshme. Mbaj mend se ekipi i Dinamos sapo ishte kthyer atëherë nga një ndeshje futbolli kundër Fenerbahçes në Turqi. Midis gjërave që kisha blerë në Stamboll, ishin edhe 4-5 peshqirë të mëdhenj, me ngjyra të ndezura dhe mjaft të bukur që përbënin një çudi për tregun shqiptar të asaj kohe.

Mirëpo, kur pashë vajzat e rrëzuara në pistë, që megjithëse nuk kërkonin ndihmë, e prisnin atë, iu afrova dhe i dhashë secilës nga një peshqir. Midis tyre ishte edhe Vera. Ende dhe sot e mbaj mend se sa u çudit ajo, së bashku me të tjerat, dhe se si më falënderuan gjysmë të lumtura dhe gjysmë të turpëruara, ashtu të nxira nga qymyri i pistës që nuk do të bënte krenare asnjë vajzë. Kjo ishte edhe hera e parë kur u takova direkt me Verën, në një mjedis disi të çuditshëm, në pistën e stadiumit “Dinamo”, i cili u bë shkak i njohjes e më pas i lidhjes sonë, që filloi atë ditë, për të mos u ndarë më.

mehdi bushati dinamo
Mehdi Bushati (djathtas) kur luante me “Dinamon”

TAKIMET “SEKRETE”

Në takimet me Verën u rrit kujdesi që lidhja jonë të ishte sa më sekrete. Dashuritë e fillimit në atë periudhë mbaheshin “top sekret”. Dhe kjo për arsye të lidhura me mentalitetin e kohës, moshën e të rinjve, seriozitetin e marrëdhënies etj. Por në rastin tonë, kishte edhe veçanti të tjera. Konkretisht, kur ne filluam të flisnim bashkë, Vera ishte pak më shumë se 15 vjeçe, kurse unë isha 22. Në fakt, të dy ishim të rinj, por sidomos Vera. Kuptueshëm që për çdo prind ishte e vështirë të pranonte një lidhje të tillë në këtë moshë.

Gjithashtu, për hir të së vërtetës, nuk duhet harruar që Vera ishte vajza e dy prindërve, si Hysni dhe Vito Kapo, që ishin personalitete politike shumë të fuqishme në jetën e vendit. Për rrjedhojë, mundësia e tyre për t’u informuar ishte më e madhe në krahasim me të tjerët. Po t’i shtosh këtyre faktorëve edhe përmasat tejet më të vogla të kryeqytetit shqiptar në fillim të viteve ’60, ruajtja e një “lidhje sekrete” ishte pothuajse e pamundur.

Në këtë qytet ku nuk lëvizte pothuajse asgjë, ku evenimentet ishin të rralla, ku fjala e kafeneve dhe e thashethemeve bëhej lajm me shpejtësinë e dritës, një histori e tillë përhapej sa hap e mbyll sytë. Për më tepër, megjithëse të rinj, ne ishim edhe njerëz të njohur në publik, Vera, për arsye të prejardhjes familjare, ndërsa unë në këtë kohë isha futbollist i Dinamos dhe ekipit Kombëtar. Prandaj në këtë periudhë, kontaktet direkte i kishim të rralla dhe më shumë preferonim të “shiheshim” sesa të takoheshim.

Kjo na bënte që të frekuentonim më shpesh disa mjedise publike të përbashkëta siç ishin kinematë, teatri, operat etj. Kuptohet se këto ambiente, përveç argëtimit, na mundësonin që të shiheshim e nganjëherë të bisedonim shkurtimisht dhe me njëri-tjetrin. Të dielave, në ndeshje të rëndësishme ku stadiumi mbushej plot, Vera vinte me shoqet e saj, më shumë për të më parë mua, sesa ndeshjet e Dinamos apo të ekipit Kombëtar. Vetëm pas disa vitesh, ajo u kompletua si tifoze futbolli.

Mehdi Bushati ne nje ceremoni me Ramiz Aline
Mehdi Bushati ne nje ceremoni me Ramiz Aline

TUFAT ME LULE NË STADIUM

Në fillim të viteve ’60 ekzistonte një traditë e bukur: futbollistët dilnin në fushën e lojës me tufa lulesh në duar që ia dhuronin publikut dhe simpatizantëve të tyre. Mirëpo, disa herë, unë duke ditur tribunën, shkallën dhe numrin e biletës që kishte Vera, bashkë me shoqen e saj të ngushtë, Teftën, ia drejtoja asaj lulet. Mund të duket disi e pabesueshme, por gjatë asaj kohe, në stadiume kishte edhe një pjesëmarrje të konsiderueshme spektatoresh femra.

Për rrjedhojë, hedhja e luleve ishte shumë e vështirë të “personalizohej”. Kujtoj se kur ia dhurova tufën e luleve për herë të parë, ndodhi që në atë ndeshje unë të shënoja gol. Dhe Vera, duke e shfrytëzuar këtë rast më tha: “sa herë do të më dhurosh lule, të jesh i sigurt që do të shënosh gol”. Pas 3-4 vitesh, lidhja jonë tashmë ishte konsoliduar e marrëdhënieve tona kishte filluar “t’u dilte era”. Pikërisht në këtë periudhë, prindërit e Verës i kishin kërkuar asaj të dinin hollësisht të vërtetën për lidhjen tonë.

Me siguri që ata ishin hezitues. Së pari, për moshën e saj ende të re. Së dyti, sepse emrin tim tashmë të dëgjuar për veshët e tyre e lidhnin më shumë me pjesën time më të dukshme, atë të qenit futbollist, sesa me formimin tim real, personin konkret dhe prejardhjen time. Natyrisht, ashtu sikurse çdo prind, ata kërkonin më të mirën për vajzën e tyre. Ata hezitonin për lidhjen tonë. Por ajo, në përgjigjen e saj, u kishte thënë se për dashurinë e zgjedhur, ishte gati të sakrifikonte gjithçka.

Kjo këmbëngulje bëri që të rritej edhe më shumë kujdesi i prindërve të Verës për të më njohur më nga afër mua, qoftë nëpërmjet kontakteve direkte apo personave të tjerë që më njihnin mirë. Sot ndoshta duket e pabesueshme, por unë jam takuar disa herë me ish- ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiun, me pretekstin e skuadrës së Dinamos dhe ecurisë së saj. Ai ishte ministri përgjegjës edhe për klubin dhe shfrytëzonte rastin të më kontaktonte si drejtues dhe tifoz.

Por pas bisedave të ndryshme për futbollin, me maturi e finesë, unë testohesha edhe për marrëdhëniet me Verën, për moshën ende të re të saj, vazhdimin e studimeve universitare etj. Gjithashtu, Llamb Peçini, një njeri i afërt i imi, si tifoz i zjarrtë i Dinamos, në atë kohë drejtor i Sigurimit të Udhëheqjes së Partisë e Shtetit, pati një bisedë konfidenciale me prindërit e Verës rreth lidhjes sonë. Ata e pyetën se çfarë mendimi kishte për këtë marrëdhënie. Përgjigjja e tij ishte: “Sikur të kisha vetëm një vajzë, do ia jepja Mehdiut me gëzim e pa hezitim”.

mehdi bushati

Edhe pse thënia ishte e guximshme për pozicionin e tij, ai e kishte mbyllur bisedën me fjalët “mos ia pengoni Verës zgjedhjen e saj”. Atëherë unë isha shumë i ri dhe nuk e kuptoja të gjithë peshën e këtij interesimi të njerëzve më të rëndësishëm të shtetit rreth ndjenjës sonë të brishtë. Vite më vonë kur kam dëgjuar për shumë histori të tjera të fëmijëve të udhëheqësve të rëndësishëm partiakë dhe shtetërorë, e kam kuptuar se kjo lidhje rinore mund të kishte qenë në fije të perit.

Mund të kishte mjaftuar një fjalë e thënë më tepër, një dashakeqësi e lëshuar diku si në mënyrë të pafajshme, një “raport” i përshkruar me ngjyra negative apo një kleçkë e qëmtuar në biografi, që jo vetëm mund t’i kishin dhënë fund dashurisë sonë, por që mund të kishin ndryshuar për fare krejt rrjedhën e jetës sime. Atëherë, si një njëzet e ca vjeçar, as që mund t’i vija në peshore të gjitha këto. Më mjaftonte ndjenja dhe pasioni që më plotësonte të tërin.

Por gjithsesi, shumë vite më vonë e kam kuptuar se mund të kisha qenë më i vëmendshëm. Sepse paralajmërimet për një fat më të ndryshëm nuk më kishin munguar. Më kujtohet se kur ishim nisur për një ndeshje kampionati drejt Korçës, të gjithë shokëve të ekipit u bëri përshtypje se atë ditë si përgjegjës kishte ardhur vetë Sekretari i Partisë së Ministrisë së Brendshme. Ne u çuditëm jo vetëm për faktin se ai qe një nivel i lartë për ta shoqëruar skuadrën për një ndeshje të thjeshtë futbolli, por edhe sepse ata që e njihnin e dinin mirë se ai nuk e dinte as me sa lojtarë luhej kjo lojë.

Ai qe një burrë i mirë, korrekt, pak dogmatik, por në asnjë farë mënyre i lidhur me sportin. Përveç kësaj, më bëri përshtypje se ai tentonte të futej në bisedë me mua, përgjatë gjarpërimit të autobusit në rrugën e lodhshme që lidhte Korçën me Tiranën. Tentonte të ishte i vëmendshëm për të parë se si sillesha, me kë shoqërohesha dhe se si qe mendimi i të tjerëve për mua. Vetëm kur ndeshja kishte përfunduar dhe autobusi kish marrë rrugën e lodhshme të kthimit, e kuptova qëllimin e ardhjes së tij. Natyrisht nuk kishte lidhje as me Dinamon dhe as me futbollin.

Si çdo njeri që nuk e ndjen këtë sport, ky rrugëtim e kishte lodhur. Por më shumë sesa përpjekja për të kuptuar se përse 22 burra vërtiten rreth një topi të vetëm, atë po e stërmundonte detyra që i kishin dhënë. Me sa duket po kthehej nga Korça pa një mendim të qartë dhe nuk duroi më dhe erdhi e u ul në ndenjësen ngjitur me timen. Aty shpërtheu: “Ore ti djalë, më tha me pengun e atij që i duhet të zgjidhë një çështje më të madhe sesa i mbajnë supet, a do t’i vësh gishtin kokës? A e kupton se me vajzën e kujt je lidhur? A e kupton se nuk mund të tallesh me këtë gjë”, lëshoi gjysmën si në hall dhe gjysmë i lehtësuar.

Natyrisht unë nuk e kuptoja në të njëjtën formë si ai. Ndryshe nga Vera më e re dhe ndoshta më e përkëdhelur, unë nuk përplasja këmbën për të thënë që do të bëhet kështu si them unë dhe pikë. Por ama të gjithë këto episode po më tregonin se dashuria që po përjetoja nuk qe e zakontë. Në fakt, çdo të riu në këtë moshë i tillë i duket pasioni i tij. Por ky i yni qe disi më i veçantë, sepse përpos ndjenjës së dy të rinjve ai ngërthente brenda vetes edhe vëzhgimin nga lart.

“ZËRI I AMERIKËS” KOMENTON PËR LIDHJEN MIDIS “KUPOLËS SË LARTË KOMUNISTE DHE BUSHATLLINJVE TË SHKODRËS”

Jehona e këtij raporti jo të zakonshëm, do t’i kalonte edhe kufijtë e Shqipërisë. Për hir të së vërtetës, unë jam pinjoll i një familjeje të madhe që ka lënë gjurmë në historinë e vendit tim. E kam për nder e krenari që rrjedh prej familjes së njohur dhe me emër të Bushatllinjve të Shkodrës. Prandaj edhe martesa ime me Verën pati mbase jehonë edhe jashtë vendit.

Kështu, “Zëri i Amerikës”, pasi mësoi për celebrimin tonë zyrtar, komentoi në emisionin e saj se një pinjoll nga familja e madhe e Bushatllinjve të Shkodrës, sportist shumë i njohur, ishte martuar me vajzën e Hysni Kapos, njërit prej udhëheqësve më të fuqishëm në Shqipëri.

Këtë lajm unë nuk e dëgjova vetë, por u vura në dijeni nga një mik i imi, profesor Bujar Hoxha, shahist i njohur dhe president i Federatës së Shahut. Më pas, ma konfirmuan edhe disa miq e shokë të tjerë, që megjithëse e kishin “të ndaluar” të dëgjonin këtë emision, me sa duket e ndiqnin atë rregullisht. Sipas tyre, pjesë e rëndësishme e komentit që u bë, ishte se “udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare po tentonte të lidhej me familjet e mëdha dhe të njohura, siç është ajo e Bushatllinjve të Shkodrës”.







www.minuta90.com