Ish-donatori Amuli, apel shkodranëve: Fitoni, mos kini frikë nga gjykimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 19:05

Ish-donatori Amuli, apel shkodranëve: Fitoni, mos kini frikë nga gjykimi

Një nga ish-donatorët e Vllaznisë për shumë vite dhe njëherësh ish-kryetari i bordit të klubit, Xhevdet Amuli, është optimist për ecurinë e ekipit në javët e mbetura të kampionatit. Sipas tij, përballja me Teutën është e një rëndësie të veçantë, për vetë faktin se luajnë dy ekipe që gjenden në pozita të vështira në tabelën e klasifikimit. Kjo përballje do të jetë edhe një provë e vazhdimësisë për kuqeblutë.

“Unë e shikoj si një ndeshje të vështirë atë përballë Teutës. Vetë pozitat e të dyja skuadrave do ta vështirësojnë dhe më shumë takimin. Por jam i mendimit se Vllaznia këto javët e fundit ka treguar forcë dhe që mund të përballet me çdo rival. Për mua janë në lojë të tria rezultatet dhe asgjë nuk është e habitshme. Mendoj se presioni është mbi të zotët e shtëpisë, pasi ata kërkojnë që të marrin vendin e Vllaznisë në tabelën e klasifikimit. Mirëpo, unë të them të drejtën jam i mendimit se ekipi mund të marrë pikë në këtë ndeshje. Edhe një pikë në këtë përballje është e vlefshme për sa i përket vazhdimësisë. Nuk do të jetë e lehtë, por jo e pamundur”, është shprehur Amuli.

xhevdet amuli

GJYKIMI – Arbitrat që do të drejtojnë ndeshjen ndaj Teutës kanë qenë një temë e diskutuar në kampin kuqeblu. Megjithatë, Amuli ka bërë me dije se lojtarët duhet të bëjnë detyrën e tyre, pasi nëse kjo ndodh, as gjykimi nuk ka se çfarë t’i bëjë Vllaznisë. “E dimë se shumë herë jemi ndëshkuar nga gjykimi, por unë them se nëse lojtarët bëjnë mirë punën e tyre, gjykimi mund të mos ketë fare ndikim. Nëse ata luajnë mirë dhe krijojnë raste, nuk ka gjyqtarë që t’i ndalë. Unë besoj tek aftësitë e gjyqtarëve tanë, gabime edhe mund të ketë, por shpresoj dhe besoj se në këtë takim nuk do të ketë gabime të tyre. Për mua, skuadra duhet që të tregojë vlerat e saj. Unë kam besim tek ekipi”, ka vazhduar Amuli.

PRIVATIZIMI – Amuli ka qenë një nga pesë donatorët që ka kontribuar për shumë vite pranë ekipit të Vllaznisë. Këto ditë, përkrah emrit të Fushajt, u përfol edhe emri i tij se mund të rimerrte sërish drejtimin e klubit. Por ai në fund të fjalës së tij ka folur edhe për çështjen e privatizimit të klubit. Një çështje e shumë përfolur prej kohësh. “Jam shprehur se do të jem pranë Vllaznisë në çdo kohë. I kam thënë edhe z.Fushaj që do të jem në krah të tij, në një rikthim të mundshëm. Por nga ana tjetër dua të theksoj se kjo nuk është në dëshirën e njërit apo tjetrit. Kjo i mbetet procesit të privatizimit. Pranë klubit mund të ofrohet për të blerë aksionet çdokush dhe kush do të paguajë më shumë, merr drejtimin. Unë shpresoj që, për të mirë të ekipit, ky proces të marrë fund sa më shpejt. Kjo do të jetë në të mirë të klubit”, ka mbyllur Amuli.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"