Ish-bomberi Sinani: Vllaznia ka “goditur” me Jonuzin, për lojtarin gol vuan e gjithë Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 22:12

Ish-bomberi Sinani: Vllaznia ka “goditur” me Jonuzin, për lojtarin gol vuan e gjithë Shqipëria

Mungesa e një “bomberi” nuk çudit më askënd në Shkodër, madje as vetë Vioresin Sinanin. Ish-sulmuesi i shquar i Vllaznisë evidenton se problemi është më i thellë dhe ka prekur të gjithë Shqipërinë.

vioresin sinani

Edhe pse mungon lojtari gol, 42-vjeçari e sheh me optimizëm të ardhmen e kuqebluve. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai vlerëson si blerjen më të goditur Mirsad Jonuz. Mbijetesën nuk e mendon, aq sa paralajmëron kthesën te fitorja duke filluar nga përballja e kësaj të shtune me Teutën.

Sinani, si e shikoni ecurinë e kësaj Vllaznie në 12 javë të këtij kampionati?

Pavarësisht renditjes momentale, mendoj se ecuria e Vllaznisë është pozitive. Ka të njëjtin ritëm me ekipet e tjera dhe nuk ka diferenca as me ato që janë më lart në tabelë. Ky kampionat ka treguar se ekipet janë aty-aty. Për të gjitha këto, mendoj se Vllaznia e ka bërë mirë deri diku punën e vet. Sigurisht që e mira nuk ka fund, por situata më duket optimale.

Çfarë është ajo që ju kënaq te kjo skuadër?

Mendoj se është një ekip që luan mirë në grup. Kjo Vllazni, pavarësisht disa rezultateve, lojërave apo edhe renditjes jobindëse, ka treguar cilësi. Ka shumë dëshirë, ego dhe futboll. Pra, lojtarët dhe stafi po japin maksimumin.

Sinani Vioresin

Vllaznisë i mungon lojtari gol. Ju si shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, çfarë do t’u sugjeroni drejtuesve?

Është e vërtetë që mungon një sulmues kryesor, ku duhet të mbështetet i gjithë ekipi. Ndaj, në merkaton e janarit në këtë pikë mund të përqendrohen. E megjithatë, ky nuk është një problem vetëm i Shkodrës. Të njëjtën gjë e vërej në çdo klub të kampionatit tonë, mungon një lojtar i tillë. Gjetja e një sulmuesi tipik goli është shumë e vështirë, e sidomos për kushtet e Vllaznisë. Drejtuesit duhet të bëjnë maksimumin në këtë drejtim, që ta zgjidhin si problem.

Mos ndoshta do të ishte më e drejtë të mos ketë afrime me sasi në këtë repart, por të shpenzohet vetëm për një cilësor?

Se si do të veprohet, këtë më mirë e dinë drejtuesit. Gjithçka varet edhe prej nevojave që ka ekipi. E mira është të investohet në cilësi. Dhe në këtë pjesë, nuk ka shumë vend për komente.

Pra ju e shikoni të nevojshme ndërhyrjen në merkato?

Mendoj se po, edhe drejtuesit vetë e kanë të qartë. Shpresoj që ndërhyrja në këtë merkato të jetë e bazuar te cilësia.

Po për lojtarët e afruar në merkaton e verës, cili është mendimi juaj?

Është herët të flitet për gjithsecilin prej tyre. Duhet t’i shikojmë edhe për disa kohë, që të dalim në konkluzione. Unë di të them se afrimi më i mirë i Vllaznisë është trajneri Mirsad Jonuz. Me të vërtetë që ky person ka ditur t’u marrë maksimumin lojtarëve të tij. Ka futur në skuadër frymën e grupit dhe është kjo që po e mban të lidhur në fushë dhe po sjell grintë, dëshirë e rezultate. Ishte gjetja më e bukur e kësaj merkatoja.

Si e shikoni të ardhmen e Vllaznisë?

Nëse skuadra bën ato paraqitje që ka bërë deri tani, pavarësisht ndonjë luhatjeje, të ardhmen e shoh me nota pozitive. Me ndonjë ndërhyrje në janar, gjërat mund të përmirësohen. Me këtë ngjeshje që ka kampionati nga vendi i parë tek i teti, ku një fitore të ngre lart dhe një humbje të ul poshtë, e shikoj Vllazninë rivalizuese për pjesën e sipërme të tabelës.

Këtë fundjavë rikthehet futbolli. Si e parashikoni përballjen mes Vllaznisë dhe Teutës?

Nuk ka përballje të lehta. E thashë edhe më lart, të gjitha ekipet janë aty-aty. Vllaznia i ka forcat dhe mundësitë për ta fituar këtë sfidë. E shikoj favorite. Një fitore që do ta ndihmonte për të kaluar atë ngërç që ka pasur në takimet shtëpiake.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"