Ish-basketbollisti Gazmend Çaçi: Donim ta sillnim Brajant në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 8:20

Ish-basketbollisti Gazmend Çaçi: Donim ta sillnim Brajant në Shqipëri

Vdekja e legjendës së NBA, Kobi Brajant ka tronditur të gjithë botën dhe është pritur gjithashtu me shumë trishtim edhe në vendin tonë. Një aksident tragjik, i shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike, që i mori jetën 9 personave. Këtë lajm tronditës e ka komentuar edhe një prej legjendave të basketbollit shqiptar, si Gazmend Çaçi, 17 herë kampion me skuadrën e Partizanit.

615X315115170_Gaz_Caci

Çaçi zbulon se prej një viti, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij kanë qenë në bisedime për ta sjellë Kobi Brajantin në Shqipëri. Por ëndrrën për ta parë legjendën e NBA në vendin tonë e ndërpreu në mes aksidenti fatal në kodrat e Los Anxhelosit.

kobe-bryant-dead

Ja si u shpreh dje Gazmend Çaçi në një prononcim për “RTSH Sport”: “Brajant është një nga tre basketbollistët më të mirë që ka prodhuar Amerika në krijimin e pikëve. Njëkohësisht Brajant ka qenë supernjeri. Një fatkeqësi e madhe që mori edhe vajzën e tij 13- vjeçare, të cilën po e përgatiste për ta bërë një basketbolliste të madhe. Është e vërtetë se kemi dashur ta sjellim këtu. Kemi mbi një vit që mendojmë se si mund ta thërrisnim të madhin Brajant në Shqipëri sepse ai kishte një formulë të vetën, ku udhëtonte në gjithë botën për të promovuar basketbollin. Ne menduam ta sjellim atë në Shqipëri dhe prej një viti kemi pasur bisedime me stafin e tij. Pretendonim të mbushnim një nga pallatet e sportit në Tiranë, ku Brajant do luante me fëmijët”, deklaroi ish-lojtari i Partizanit.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"