Ish-administratori Shaba: Asnjë klub si Vllaznia, i paguan çdo gjë shtetit! Mos e diskutoni mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 16:21

Ish-administratori Shaba: Asnjë klub si Vllaznia, i paguan çdo gjë shtetit! Mos e diskutoni mbijetesën

Kujtim Shaba “skanon” Vllazninë. Ish-administratori vlerëson ecurinë e ekipit, por mbi të gjitha menaxhimin që po i bëhet. 

kujtim shaba

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai e cilëson si klubin më të rregullt në Shqipëri në marrëdhënie me shtetin. Vazhdon të jetë i mendimit se do të ishte më mirë sikur në krye të kuqebluve të kishte një president, përshëndet punën e bërë prej Bashkisë Shkodër. Nuk e sheh assesi për mbijetesë skuadrën, ndërsa përgëzon Mirsad Jonuzin për gjithçka ka bërë në këto 12 javë.

Shaba, si e shikoni ecurinë e deritanishme të ekipit të Vllaznisë? 

Nuk dua që të nisem nga renditja, por tek ajo që kam parë në fushën e lojës. Kanë bërë më shumë se mirë në shumicën e takimeve. Vërtet janë në vendin e 8-të, por kanë vetëm 4 pikë më pak se vendi i dytë. Një ngjeshje e tillë është domethënëse. Përjashto ndoshta dy ekipet e fundit, kanë një rivalitet që përkthehet me forcë ose me nivel realisht të dobët. Në të dyja kushtet, rivaliteti është i natyrshëm.

Pra, ju e shikoni me syrin pozitiv këtë skuadër…?

Natyrisht që po. Këtë e tregon më së miri forca e skuadrës, e cila fiton si jashtë dhe brenda. Normalisht që oshilacionet janë të pranishme dhe kjo ndodh kudo. Mendoj se stafi teknik, por edhe administratori Lici kanë punuar shumë më mirë në drejtim të ndërtimit të skuadrës. Mund të them se është diçka më pozitive se vjet, pasi kanë kthyer vështrimin tek elementi i ri. Po fitohen lojtarë, edhe pse janë disi të vonuar. Gjithsesi është pozitive.

vllaznia arbitri ziri

A e vuan Vllaznia mungesën e një presidenti? 

Vllaznia është i vetmi ekip në Kategorinë Superiore, por edhe në Shqipëri, që paguan gjithçka në shtet. Paguan TAP-in (Tatimi mbi të Ardhurat Personale), sigurimet shoqërore e gjithçka tjetër që ka të bëjë me shtetin. Referuar kësaj, Vllaznia nuk është e barabartë me klubet e tjera. Ky është problem i të gjitha ekipeve të tjera, pasi në FSHF dorëzojnë diçka ndryshe nga ajo që përfitojnë lojtarët. Me aq lekë sa Vllaznia jep detyrime, mund të kishte marrë nja dy apo tre lojtarë cilësorë. Sigurisht që kur ke një president, gjërat do të ishin shumë më mirë. E megjithatë, edhe me bashkinë po shkon mirë puna.

Jonuz ka apeluar për mbështetje prej të gjithëve, duke lënë të kuptohet se kjo ndoshta në disa momente i mungon? 

Unë dua të përshëndes stafin teknik dhe vetë teknikun për punën që ka bërë në këtë ekip. Mendoj se ai e ka fituar vetë mbështetjen, por jo gjithnjë mund t’i kesh të gjithë me vete. Kjo mund të ndihet edhe kur je në majë, e jo tani që gjithçka është në fije të perit.

 Vllaznia e ka nisur mirë, por a mendoni se me këto luhatje Vllaznia mund të jetë sërish në “valle” për mbijetesë, kur dihet se edhe vendi i tetë të çon në “playout”?

Nuk e mendoj asnjëherë që kjo skuadër mund të jetë për mbijetesë. E thashë më lart me një fitore shkon në krye dhe me një humbje ulesh në atë pozicion ku është sot Vllaznia. Nga sa shoh, Flamurtari e Luftëtari janë të rrezikuarat direkte. Ndërsa për sa i përket vendit të tetë, kam mendimin se ky nuk do t’i takojë Vllaznisë dhe çdo skuadër tjetër që do të ndodhet në këtë vend. Pra, nuk do ta diskutoj qëndrimin pas takimit të “play-out”-it.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"