Ironia, Berisha në stolin e Lacios kundër… Kievos

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 14, 2013 | 11:59

Ironia, Berisha në stolin e Lacios kundër… Kievos

BerishaEtrit Berisha do të grumbullohet nga trajneri i Lacios për ndeshjen e radhës. Si për ironi, bardhekaltrit do të luajnë të dielën në Romë ndaj Kievos, skuadra që pretendonte se kishte firmosur një kontratë me portierin e Kombëtares shqiptare. Pas përfundimit të angazhimit me përfaqësuesen në dy ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Islandës, Berisha udhëtoi të mërkurën për në Suedi, ndërsa një ditë më pas mbërriti në Romë. Dje në mëngjes ai u shfaq në klinikën mjekësore të Lacios në Paideia, për të bërë edhe vizitat. Këto të fundit dolën me sukses dhe pas OK-it të mjekëve, Berisha tashmë është gati të debutojë me Lacion, aty ku luan edhe kapiteni kuqezi, Lorik Cana, ndërsa janë pjesë e ekipit edhe dy të rinjtë: portieri Thoma Strakosha dhe mbrojtësi Amir Bilali. Sipas mediave italiane, trajneri Petkoviç ka vendosur që të grumbullojë Berishën ndaj Kievos. Portieri do të jetë në stol pikërisht ndaj veronezëve, të cilët bënë gjithçka për ta afruar. Reagimi – Drejtori sportiv i Kievos, Xhovani Sartori, deklaroi dje për mediat italiane se Berisha ndryshoi mendje, duke firmosur për Lacion vetëm për pak parà më shumë. “Avokatët tanë do të vazhdojnë punën. Na vjen keq nga pikëpamja njerëzore, për shkak se lojtari kishte nënshkruar me ne, por për shumë pak parà ka ndryshuar mendjen, duke vendosur të shkojë te Lacio. Ne do të shikojmë përpara gjithsesi, me ose pa Berishën”, – deklaroi Sartori.





www.minuta90.com