Inzagi urdhëron lojtarët të studiojnë videot e Ronaldos, por makthi Lacios është Dibala

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 12:14

Inzagi urdhëron lojtarët të studiojnë videot e Ronaldos, por makthi Lacios është Dibala

Ka trajnerë që duan ta shmangin në maksimum, por për Simone Inzagin, celularët mund të jenë një ndihmë më shumë për futbollistët e tij, nëse përdoren në mënyrën e duhur. Dhe duke iu referuar të përditshmes “Corriere dello Sport”, trajneri i kryeqytetasve kërkon ta përdorë teknologjinë për të ndalur Kristiano Ronaldon. “Prej më shumë se një viti, Inzagi ka integruar një sistem stërvitjeje, duke hapur një grup ‘WhatsApp’-i ku bën pjesë e gjithë skuadra, në të cilën dërgon video të specifikuara për skuadra dhe kundërshtarë të ndryshëm të Lacios.

dibala-3

Por, në pritje të Juventus-Lacio dhe përballjes me ‘Topin e Artë’, pa dyshim që ky aplikacion mund të vijë edhe më shumë në ndihmë, me lojtarët, sidomos mbrojtësit dhe mesfushorët e difensivës, që janë të detyruar për të studiuar lëvizjet që bën në fushë kampioni portugez”, shkruhej në faqet e “Corriere dello Sport”. Nga ana tjetër, edhe Thomas Strakosha ka nisur të studiojë me vëmendje goditjet e penalltive dhe sidomos goditjet e dënimit me afekt apo edhe pozicionet nga ku Kristiano Ronaldo kërkon më shpesh goditjet e tij surprizë. Ndeshja e zhvilluar kundër Kievos është absolute për të gjithë lojtarët për të parë Juventusin e parë të “CR7”-ës, por sigurisht që edhe në një video tjetër janë edhe lëvizje dhe specifika të ndryshme mbi 33-vjeçarin e Juventusit.

Por, makthi është Dibala

Për Lacion dhe Simone Inzagin do të jetë më mirë sikur në studimin e lojës së Juventusit, mos të jetë harruar as ajo e Paulo Dibalës. Vërtet tetorin e vitit të kaluar, argjentinasi u ndal nga Thomas Strakosha në minutën e 96-të, nga pika e penalltisë, duke u dhuruar bardhekaltërve fitoren 2-1, pas 15 vitesh në Torino, por në të njëjtën kohë ishte po Paulo Dibala, ai që u hakmor në fazën e dytë të sezonit të kaluar, me një gol spektakolar, në minutën e 93-të, i cili i lejoi Juves që të parakalonte Napolin në renditje dhe të hapte rrugën drejt titullit të shtatë kampion radhazi.

Dhe nëse analizojmë statistikat dhe përballjet mes Lacio dhe Paulo Dibalës, ku ky i fundit ka luajtur jo vetëm me bluzën e Juves, por edhe me atë të Palermos, shifrat nënvizojnë se argjentinasi është një makth i vërtetë për kryeqytetasit, pasi në 10 ndeshje i ka shënuar 10 gola. E thënë ndryshe, Dibala shënon mesatarisht 1 gol për ndeshje ndaj Lacios, kështu që të kaltrit nuk duhet të studiojnë vetëm Ronaldon…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"