Inzagi ul në stol Xhekon, Empoli luan kartën “Bajrami”. Ja si pritet të rreshtohen skuadrat për sfidën e mbrëmjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 11:33

Inzagi ul në stol Xhekon, Empoli luan kartën “Bajrami”. Ja si pritet të rreshtohen skuadrat për sfidën e mbrëmjes

Në vigjilje të sfidës me Empolin, Simone Inzagi zgjodhi të mos dilte në konferencën e zakonshme për shtyp. Heshtja e trajnerit të zikaltërve këtë herë bëri më shumë zhurmë se çdo të bënin përgjigjet e tij ndaj gazetarëve, duke qenë një sinjal se tek Interi momenti është delikat dhe po kërkohet të mbahet presioni larg skuadrës, një strategji e zgjedhur kjo disa herë gjatë kampionatit, kryesisht në ndeshjet që kanë pasuar rezultatet jo të mira në Champions. Por pavarësisht se zikaltrit kanë zgjedhur të përballen me situatën e krijuar në javën e fundit, për teknikun ka edhe lajme të mira.

inzagi

RROTACIONI – Rikthimi i radhës ishte Arturo Vidal që ditën e djeshme iu bashkëngjit grupit në stërvitje, pasi mposhti gripin. Në këtë mënyrë, kiliani është në dispozicion për ndeshjen me Empolin edhe mund të luftojë për fanellën e tretë të mesfushës me Çalhanoglunë, për të qenë në krah të Brozoviçit e Barelës, të padiskutueshëm. Inzagi po mendon të bëjë rrotacion për ndeshjen e mbrëmjes duke nisur që nga mbrojtja.

Njëri mes Shkriniarit dhe De Vrajit do të duhet të rikuperojë, me holandezin që e ka më të nevojshëm pushimin, por nuk përjashtohet ideja që të dy ta nisin nga stoli. Në vendin e tyre mund të aktivizohen Ranokia dhe D’Ambrozio me Bastonin e palëvizshëm. Për të vendosur janë krahët, por në të majtin Dimarko është më i avantazhuar se Perisiç, në gjendje jo optimale fizike kurse në të djathtin, Inzagi kërkon të aktivizojë Dumfrisin, si shenjë besimi dhe mbështetjeje psikologjike për holandezin pas ndërhyrjes që solli penalltinë.

cc

Më në fund duket se do të vijë një fanellë titullari edhe për Aleksiz Sançezin, i cili do të marrë vendin e Edin Xhekos. 35-vjeçari duhet të rifitojë energjitë pas një muaji kur ka qenë i pandalshëm dhe kiliani do të ketë mundësi të luajë në krah të Lautaros, në kërkim të golave të fitores.

BAJRAMI E ISMAJLI – Ardian Ismajli dhe Nedim Bajrami priten ta nisin ndeshjen me zikaltrit nga minuta e parë. Ka qenë trajneri Aurelio Andreacoli që e ka konfirmuar këtë të fundit: “Nuk dua ta zbuloj formacionin, por Bajrami do të jetë, po stërvitet mirë dhe mund të jetë ndeshja e tij. Zikaltrit janë kampionët në fuqi dhe normalisht që ndaj tyre do të jetë e vështirë, aq më tepër që janë të zemëruar. Por ne kemi edhe Pinamontin, e kanë rritur atë, por do të kërkojmë t’i dëmtojmë dhe të bëjmë maksimumin”, përfundoi trajneri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"