Inzagi kundërsulmon Albertinin: Miqtë nuk shahen, ai s’u tregua burrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2020 | 13:00

Inzagi kundërsulmon Albertinin: Miqtë nuk shahen, ai s’u tregua burrë

Dy ditë më parë Pipo Inzagi deklaroi se dëshironte që futbolli të niste sa më shpejt, por fjalët e tij u përkufizuan si jo fort të zgjuara nga Demetrio Albertini. Replikat në distancë të dy ish-kuqezinjve duket se vazhdojnë, edhe pasi ish-mesfushori u mundua t’i zbuste duke deklaruar se ishte mik me Superpipon. Ky i fundit nuk gjen paqe dhe nëpërmjet profilit në “Instagram” të “La Gazzetta dello Sport” ka deklaruar:

albertini-inzaghi_1146408

“Nuk kisha shumë dëshirë të flisja sepse e di se çdo fjalë e imja mund të keqpërdoret, megjithatë duhet të sqaroj diçka. Kur thashë se doja që futbolli të riniste, çka është një dëshirë e të gjithëve ne, e kisha fjalën për momentin kur e gjithë kjo histori e lidhur me virusin të ketë përfunduar. Sigurisht që në deklaratën time nënkuptojë edhe mundësinë për t’u rikthyer, sepse duhen parë edhe rrethanat në të cilat do të gjendemi.”

Pasi shpjegoi kuptimin e komentit të tij, Inzagi zgjodhi t’i kthente përgjigje edhe Demetrio Albertinit. Ish-bomberi nuk fsheh mërzinë, duke shpjeguar se: “U mërzita nga ato që lexova. Demetrio ka lexuar titujt, por me siguri jo përmbajtjen e deklaratës time. Pas ndeshjes së fundit kundër Peskarës isha i pari që kërkova ndalimin e Serisë B edhe pse Benevento im është në vendin e parë me 22 pikë distancë nga vendi i tretë.

Nëse Albertini do të kishte lexuar artikullin mbi mua, me siguri që nuk do të kishte lëshuar ato komente pa takt e me nivel të ulët. Si unë, ashtu edhe ai, jemi personazhe me shumë tifozë nga pas, ndaj duhet të jemi shembuj, aq më tepër Demetrio që përfaqëson edhe Federatën Italiane të Futbollit.

Fjalët e tij nuk kishin asnjë lloj vlere. Më pas tha edhe se më konsideronte si mik, por ja që unë kam një tjetër pikëpamje për miqësinë, e aq më tepër, nuk do të quaja injorant një mik nëpër rrjete sociale. Nëse do të kisha diçka për të sqaruar, do të merrja në telefon, siç bëjnë burrat.”

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"