Investime në Pogradec, drejtori Tërolli: Janë miratuar 70 mln lekë për stadiumin, këtë vit nuk na ndal askush

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2019 | 17:17

Investime në Pogradec, drejtori Tërolli: Janë miratuar 70 mln lekë për stadiumin, këtë vit nuk na ndal askush

Pogradeci do vetëm ngjitjen. Objektivi është vendosur tashmë, ndaj edhe Arjan Tërolli paralajmëron se vetëm ndonjë “forcë madhore” mund t’u ndalojë hovin.

arian terolli

Drejtori sportiv i klubit, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, zbardh planet e liqenorëve për sezonin e ri, duke filluar nga faza përgatitore, merkatoja e për të kaluar tek infrastruktura. Duke qenë se pretendohet rikthimi në elitë, drejtuesit kanë menduar që të marrin masat më herët për të plotësuar kriteret e licencimit.

Nëse fusha është në gjendje tejet të mirë dhe rrethimi u rregullua vetëm vjet, tashmë “Gjorgji Kyçyku” ka nevojë imediate për rikonstruksion të brendshëm. Ndaj, edhe Bashkia Pogradec ka akorduar prej kohësh një fond shtesë prej afro 70 milionë lekësh të vjetër. Ekzekutivi i klubit qartëson se politika nuk do të ketë kurrfarë ndikimi te mbarëvajtja e ekipit, pasi buxheti është përcaktuar tashmë.

Tërolli, është zyrtarizuar axhenda për fazën përgatitore?

E kishim deklaruar se do të fillonim shpejt përgatitjet, por zyrtarisht tani e kemi ndarë. Në bashkëpunim edhe me trajnerin, është vendosur që stërvitjet do të fillojnë në datën 15 korrik dhe besoj se jemi në kohën e duhur për formimin e një ekipi cilësor.

Meqenëse përmendet ndërtimin e ekipit, në cilën fazë është merkatoja?

Për ne, ka vetëm merkato në hyrje. Me këtë dua të them se nuk do të largojmë asnjë futbollist nga sezoni i kaluar, por do të afrojmë. Mund të them se deri më tani kemi marrë 5 futbollistë dhe kjo është shumë pozitive. Tashmë, emrat dihen duke filluar me Çekiçin, Shytin, Shkëmbin, Branicën e Baçin. Pra, duke përfshirë dhe pjesën cilësore të ekipit ekzistues, ne jemi gati.

Gjithnjë keni pasur pretendime madhore, por në fund nuk jeni ngjitur dot. Çfarë pretendoni këtë sezon?

Pa diskutim që do të synojmë për Kategorinë Superiore, për këtë jemi shumë të bindur. Nuk besoj se nuk na ndal dot asnjë kundërshtar në këtë mision, por duhet ta pranoj se vetëm ndonjë forcë madhore mund të na largojë nga kjo rrugë. Pra, e thënë ndryshe, ne këtë sezon jemi drejt elitës.

Por, ngjitja kërkon edhe disa standarde të tjera në infrastrukturë?

Edhe për këtë po mendojmë, ka përfunduar sistemimi i plotë në hyrje të stadiumit dhe tani me fondin e miratuar prej 70 milionë lekësh të vjetër nga bashkia do të ndërhyhet në ambientet e stadiumit.

Ku konkretisht, në çfarë sektori?

Duke filluar nga dhomat e zhveshjes, rrethimi i brendshëm dhe shkallët anësore ku nuk do të mungojnë edhe ndenjëset plastike. Një pjesë i kemi siguruar, presim të vijnë edhe të tjerat.

Sa ndikim ka pasur apo prisni të ketë klima politike?

Në mënyrë absolute, jo. Jemi duke punuar dhe do të punojmë me përkushtim. Të gjithë kanë kërkuar që futbolli të jetë larg politikës dhe unë besoj se ashtu do të jetë. Kemi gati gjithçka dhe do të shohim vetëm në fushën e blertë, atje ku duhet të bëjmë detyrën tonë funksionale.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"