Intervista/ Takaj: Përgëzoj Idrizin sepse menaxhoi mirë situatën, titulli është drejt Korçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 23:08

Intervista/ Takaj: Përgëzoj Idrizin sepse menaxhoi mirë situatën, titulli është drejt Korçës

Barazimi në Vlorë ruan të paprekur kolonën e humbjeve të Skënderbeut. Edhe pse kërkonin fitoren, korçarëve u përshtatet ky rezultat, pasi mbeten sërish +7 nga vendi i dytë. Por pika nuk u ka mjaftuar vendësve, sidomos tifozëve, të cilët kanë shfaqur hapur revoltën e tyre. Tensioni i krijuar në stadiumin “Flamurtari” nuk i ka pëlqyer aspak presidentit Ardjan Takaj, ndaj bën thirrje që në vazhdim tifozët të mos e përziejnë më futbollin me emocionet negative.

takaj

SULMET – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, kreu i klubit ka bërë me dije se Skënderbeu ka shkuar atje pa presionin e pikëve, ndërsa ka falënderuar homologun e tij për menaxhimin e situatës, duke bërë thirrje se si në Vlorë edhe në Korçë nuk duhet të ketë më persona që të prishin ndeshjen pa shkak.

“Fillimisht dua të them se ne shkonim në Vlorë pa ndonjë presion të pikëve, ndaj nuk kishim kurrfarë motivi për të tensionuar situatën. Po ashtu edhe ekipi i Flamurtarit, që në fakt zhvilloi një lojë korrekte dhe për asnjë moment nuk të linte shkas për keqinterpretime. Mirëpo është e disata herë që tifozët bëhen palë për të prishur atë lojë të bukur që dhurojnë ekipet në fushë.

Nuk e kuptova sjelljen e tyre gjatë gjithë takimit, pasi futbolli është loja më e bukur që nuk duhet përzierë me emocione të këqija të disa tifozëve që duan të shkatërrojnë apo të prishin gjithçka. Unë dua të përgëzoj dhe të falënderoj presidentin Idrizi që ka ditur ta menaxhojë mirë situatën dhe ka mbajtur qëndrimin e duhur. Ndërsa dua të them edhe një herë se qoftë në Vlorë dhe në Korçë, nuk do të ketë më tifozë që shkarkojnë në stadium problemet familjare”, tha fillimisht presidenti.

takaj idrizi

Më tej, ai ka sqaruar se përse iku me vonesë: “Për sa i përket qëndrimit tim në stadium pas ndeshjes, nuk ndodhi për shkak të ndonjë incidenti në tribunë. Kam qenë me presidentin Idrizi në zyrën e tij për të pirë një kafe si miq dhe më pas jam larguar”.

BARAZIMI – Për sa i përket futbollit të luajtur, barazimi në Vlorë për presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka qenë një rezultat i pranueshëm, pasi nuk kishte shumë presion mbi ekipin që të kërkonte vetëm fitoren. “Barazimi mund të them që është një rezultat i mirë për ne, por sido që të dilte ai takim, nuk do të kishte asnjë ndryshim. Këtë e them me bindje, duke njohur ekipin tim. Çfarëdolloj rezultati nuk do të ndryshonte asgjë, pasi titulli tashmë është nisur drejt Korçës dhe rruga nuk ka më kthim pas”, tha me një batutë Takaj.

SHKODRA – Ai komentoi edhe rastin e Donjet Shkodrës, duke ia kaluar “topin” stafit teknik. “Të them të drejtën, nuk jam marrë aspak me këtë çështje, pasi do të merret stafi teknik. Nga sa unë e njoh Shkodrën, nuk është djalë që reagon ndaj vendimeve të stafit. Mbase nuk ka qenë revoltë e tij drejtuar zëvendësimit. Megjithatë, stafi dhe lojtari do të sqarohen dhe, nëse ka gabuar lojtari, atëherë klubi do të reagojë në bazë të rregullores së brendshme që është shumë e ashpër për të tilla veprime”, përfundoi numri një i klubit të Skënderbeut, Ardjan Takaj

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"