Intervista/ Starova: Ocelli gabon, Partizani nuk është pa bosht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2016 | 22:09

Intervista/ Starova: Ocelli gabon, Partizani nuk është pa bosht

Sulejman Starova nuk është dakord me qën drimin e mbajtur së fundmi nga ish-kapiteni i të kuqve, Adnand Ocelli.

starova

Ky i fundit, nëpërmjet një opinioni të shkruar, kritikoi situatën në klub dhe menaxhimin që i është bërë atij gjatë kohëve të fundit.

“Bobi” shpreh konsideratë për ish-futbollistin e Partizanit, por thotë se Ocelli është kontradiktor në analizën e tij.

Starova i kujton ish-mbrojtësit se krahasimet dhe vlerësimet nuk mund të bëhen për ndeshjen me Krasnodarin, por për gjendjen në tërësi të skuadrës, duke i analizuar gjërat gradualisht.

Starova, një ish-futbollist i shquar i Partizanit, Adnan Ocelli, ka qenë kritik për gjendjen në të cilën është skuadra. A jeni dakord me të?

E lexova opinionin e Ocellit dhe është shumë normale që ai si ish-futbollist i kësaj skuadre dhe si një njeri i sportit mund të bëjë analiza dhe të mbajë edhe qëndrime. Por duhet të jetë realist dhe ta kuptojë më mirë situatën.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Ocelli ishte kontradiktor në atë që shprehte. Nga njëra anë thotë se Partizani është ekip pa ide dhe nga ana tjetër kërkon ndjesë në fund të shkrimit. Kujt i kërkon ndjesë dhe ku kërkon të dalë? Realisht ishte i paqartë!

Dakord, por ky Partizan sot nuk ka lojtarë kampionë që të mund të bëjë diferencën…

Po, nuk kemi lojtarë kampionë, por s’mund të thuhet kurrsesi se kjo skuadër është pa ide. Ishte ky ekip që eliminoi Ferencvaroshin me një buxhet prej 50 milionë eruosh. Ishte ky Partizan që luajti thuajse si i barabartë me Salzburgun, ndërkohë që i dimë diferencat e këtyre klubeve. Është i njëjti Partizan që mori elozhet e të gjithëve për ato ndeshje shumë të mira dhe një humbje me Krasnodarin nuk mund të zhbëjë një punë të mirë që është bërë gjithë këto kohë.

Ju thoni se me Krasnodarin ishte thjesht çështje limitesh në potencialin e dy skuadrave?

Pa dyshim që po. Çfarë prisni, që Partizani, një skuadër në ndërtim e sipër, me një buxhet 1 milion euro, të eliminojë Ferencvaroshin që ka buxhet 50 milionë euro, të shkëlqejë me Salzburgun që ka një buxhet gjithashtu të jashtëzakonshëm dhe pastaj të jetë i barabartë edhe me Krasnodarin?! Nuk funksionon kështu në futboll. Prandaj ka hierarki dhe fuqia e financave herët a vonë bën diferencën.

Ç’doni të thoni me këtë?

Shikoni, Napoli kishte Higuainin, por nuk pati këllqe ta mbante sepse ka edhe një skuadër me emrin Juventus që shkoi e pagoi klauzolën 90 milionë euro dhe ia mori… Juventusi nga ana tjetër kishte Pogbanë, por në Europë ka edhe Mançester Junajtid që shkoi pagoi 110 milionë euro dhe ia mori mesfushorin… Kjo pra është fuqia e financave. Tani dëgjoj shpesh refrenin që “iku Sukaj, pse iku Sukaj…”!

Ju bezdis kjo gjë?

Më bezdis fakti që njerëzit nuk e kuptojnë se Sukaj iku vetë nga Partizani dhe iku në një vend ku do të marrë afro 300 mijë euro. Partizani nuk kish mundësi të bënte një sforco të madhe ekonomike. Kemi limitet tona. Kjo është e gjithë historia.

Po, por tani keni një problem të madh në sulm. Shënoni shumë pak dhe duket se konstatimi i Ocellit është i drejtë…

Së pari, jemi brenda afatit të merkatos dhe po punojmë që ta zgjidhim sa më mirë këtë çështje. Kemi marrë një lojtar si Ekubani, që me cilësitë që ka treguar deri tani, mund të lërë gjurmë në kampionatin shqiptar. Kemi lojtarë si Fili apo edhe si Bardhi, tek të cilët besojmë dhe duam të ndërtojmë një bosht afatgjatë.

Ocelli thotë se jeni të vonuar me projektin që keni për Partizanin e së ardhmes dhe me përzgjedhjen e lojtarëve…

Nxitimi nuk na çon askund. U përpoqëm të gjenim një zgjidhje të shpejtë dhe morëm Volasin. Ishte një djalë shumë i mirë, por nuk u përshtat dhe u ndamë me mirëkuptim. Kjo ishte një shenjë e nxitimit. Nuk duhet të nxitojmë më për të përsëritur të njëjtat situata.

Sipas Ocellit, ekipi hyri në Kupat e Europës i papërgatitur dhe trajneri nuk ka qenë i qartë me modulin e lojës…

Nuk qëndron. Së pari, stafi teknik është zgjedhur menjëherë pas përfundimit të kampionatit. Sormani dhe stafi i tij kanë një eksperiencë të shkëlqyer në Itali dhe kanë qenë të qartë që nga fillimi e deri tani në atë që po ndërtojnë te Partizani. Këtu rrëzohet pretendimi i Ocellit se skuadra u vonua me përgatitjet apo në përzgjedhjen e stafit. Bie poshtë edhe pretendimi tjetër se ne kemi marrë lojtarë borxh për një muaj… Këtë nuk e ka bërë Partizani, por Kukësi.

Pra, sipas jush, bilanci është pozitiv?

Patjetër që pozitiv. Është mbushur arka e klubit nga të ardhurat në Europë, është konsoliduar ekipi dhe sipas koeficientit kemi kaluar Kukësin me 6 vende më lart në renditjen europiane të klubeve. Unë mendoj se jemi në rrugën e duhur.

Po për titull a jeni?

Pa dyshim që po. Është një objektiv i përvitshëm i yni dhe ne do të luftojmë seriozisht për këtë.

Çfarë ndryshon nga një vit më parë apo nga vitet e tjera?

Stafi. Kemi marrë një staf të shkëlqyer që di çfarë bën dhe punon me përkushtim. Sigurisht, brenda limiteve tona financiare.

Dakord, por ju keni qenë ndër ata që në të kaluarën thoshit se trajnerët më të suksesshëm në Shqipëri janë shqiptarët dhe jo të huajt. Pse tani Partizani fokusohet kaq shumë tek të huajt?

Po, e vërtetë është, sepse realiteti ky ka qenë. Trajnerët shqiptarë kanë qenë më fituesit. Një pjesë e të huajve në Shqipëri kanë qenë mediokër, por ka pasur edhe nga ata trajnerë të huaj në të kaluarën që kanë dështuar në Shqipëri për shkak se nuk u është lënë kohë. U është kërkuar të fitojnë menjëherë a thua se kanë shkopin magjik. Rasti tipik ishte ai i Bonaçiçit. Kishte një CV të pasur, por nuk ia doli dot te Dinamo. Pasi iku prej aty, shkoi në Arabi dhe firmosi për 1 milion dollarë. Ndaj ne kemi vendosur t’i lëmë kohë trajnerit që të ndërtojë një Partizan solid dhe me të ardhme.

Po, por Partizani është një ekip që kërkon edhe titullin, a bëhen këto të dyja njëherazi?

Do të luftojmë fort dhe kemi besim maksimal te ky grup lojtarësh bashkë me stafin.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"