Intervista speciale, “maratonomaku” Kaka: Ka humbur numri 10, Ançeloti trajneri më i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 23:57

Intervista speciale, “maratonomaku” Kaka: Ka humbur numri 10, Ançeloti trajneri më i madh

Rikardo Izekson dos Santos Leite, ndryshe Kaka, ka tërhequr vëmendjen e të gjithë mediave me pjesëmarrjen e tij në maratonën e Barlinit. Braziliani i cili vallëzonte në fushë me topin, tani ka zgjedhur të vijojë me sportin, por këtë herë si një amator, duke qenë pjesëmarrës në një nga maratonat më të rëndësishme në botë.

kaka

Objektivi i tij, siç kishte deklaruar në një intervistë para gare për gazetën “Marca” ishte të shënonte një kohë rreth 3 orë e 40 minuta. Në fund ai ia ka dalë mbanë të bëjë një kohë edhe më të mirë, duke i mbyllur 42 kilometrat në kryeqytetin e Brazilit me kohën 3 orë e 38 minuta. Përpara garës, ai kishte dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen spanjolle “Marca”, ku ka rrëfyer gjithçka, që nga Brazili i tij, Reali, Milani, Ançeloti, ushtrimi i atletikës e shumë tema të tjera.

Çfarë mendon një lojtar që ka fituar “Topin e Artë” të shohë veten duke garuar me maratonomakët më të mirë të botës, të cilët vrapojnë me ritme nën 3 minuta për kilometër?

Është e mahnitshme! Që nga jashtë është e vështirë për ta kuptuar, por vetëm kur të bëni me orë të tëra stërvitje e kuptoni se çfarë do të thotë. Pastaj maratona është një garë unike në botë ku garojnë së bashku profesionistët dhe amatorët.

Cila është diferenca e të luajturit një ndeshje në Ligën e Kampioneve dhe një garimi në maratonë?

Presioni është i ndryshëm, ndjesitë janë të ndryshme. Kur luan futboll në nivel profesionist, ka shumë persona që shpresojnë te ti, besojnë te ti. Pritshmëritë janë shumë të mëdha, ndërsa në një garë të tillë më së shumti është çështje individuale.

Brazili ka një kampion botëror në atletikë, Alison dos Santos. E njihni?

Natyrisht, është një sportist, një person që e admiron i gjithë Brazili. Mendoj se kur atletë si Alison arrijnë deri këtu është një motivim i madh për njerëzit, sepse ne e dimë se sa e vështirë është për sa i përket infrastrukturës apo sponsorëve.

Cilin nga ish-shokët e tu te Brazilit do të doje ta kishe në krah gjatë një maratone?

Futbolli më ka dhënë shumë miq, por do të doja të kisha në krah Robert Karlosin.

1664133103899_kjpiyfi

Reali i Madridit numëron 9 fitore në po kaq takime në këtë fillim sezoni. Si ju është dukur skuadra?

Fantastike do të thoja. Por këtu nuk do të vlerësoja vetëm progresin e bërë nga lojtarët, por gjithashtu do të përmend figurën qendrore të Karlo Ançelotit (ish-trajner i Kakasë te Milani).

U largua Kasemiro, por Tçoumeni po e zëvendëson denjësisht…

Tçoumeni është një lojtar që më pëlqen. Në fillim kisha dyshimet e mia, pasi nuk është e lehtë të zëvendësosh një lojtar me shumë eksperiencë si Kasemiro. Por ai po mban shumë mirë presionin te Reali.

A mendoni se mund të vihet në diskutim “Topi i Artë” i Benzemasë në këtë sezon?

Është favorit absolut, edhe pse me siguri 100% nuk mund të flitet. Benzema është një lojtar i kompletuar dhe mendoj se e meriton plotësisht ta fitojë këtë çmim.

A mendoni se Nejmar vijon të jetë ende ylli i Brazilit, apo besoni se Vinicius mund ta rivalizojë?

Nejmar do të jetë udhëheqësi i Brazilit në ‘Katar 2022’, por është shumë e rëndësishme që ai të mbështetet nga lojtarë të kalibrit të Viniciusit. Botërorin e kaluar, Nejmar ishte protagonist absolut, por ishte vetëm. Tani Brazili ka Viniciusin, Rafinjën, Riçarlisonin, Antonin… lojtarë shumë të rinj, por premtues. Vini është një yll në Madrid, i mësuar të luajë në kompeticione të rëndësishme.

Rodrigo ka bërë progres të jashtëzakonshëm këtë vit. Çfarë mendimi keni për të?

Ka qenë vërtet fenomenal. Ka ende diskutime në Brazil nëse ai duhet të shkojë në Kupën e Botës dhe nuk e kuptoj. Për mua është e qartë se ai duhet të jetë në listë. Unë vetë shkova në një Botëror kur isha 20 vjeç dhe ende nuk e kisha lënë Brazilin, ndërsa ai tashmë është një yll te Reali. Është gjithashtu një përvojë që do të jetë e dobishme për rritjen tuaj profesionale.

Cili është kujtimi më i mirë nga Madridi?

Mund të tingëllojë e çuditshme, por unë do të zgjidhja ditën që do të largohesha nga Reali. Fola me Florentinon dhe ai më tha se më shihnin si një profesionist të madh, që kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për të arritur rezultate të mëdha në Madrid, por dëmtimet më kushtëzuan.

Kjo ishte një kënaqësi e veçantë, sepse e kuptova se i kisha dyert e hapura në Madrid. Ndaj nuk do të dëgjoni kurrë një fjalë të keqe nga unë në adresë të Madridit ose Murinjos. Florentinon e takova në finalen e Parisit këtë vit dhe u takuam miqësisht.

Kush ju kënaqi më shumë, titulli i Milanit në Itali apo titujt e Realit në Spanjë dhe në Ligën e Kampioneve?

Kjo është një pyetje e vështirë. Milani u kthye përsëri protagonist i madh në Itali pas shumë vitesh dhe kjo ishte diçka madhështore. Por ajo që përjetova në finalen e Ligës së Kampioneve në Paris, teksa pashë Realin të mundte Liverpulin… E vërteta e madhe është se nuk mund t’i ndaj.

Kombëtaret e Amerikës së Jugut nuk e fitojnë Botërorin që nga viti 2002 (Brazili). A mendoni se ky mund të jetë viti i duhur?

Shpresoj, por futbolli europian është shumë lart. Ne kemi edhe një handikap dhe ai është se me krijimin e Ligës së Kombeve të UEFA-s nuk mund të luajmë më miqësore kundër ekipeve të mëdha të kontinentit të vjetër. Kjo na bën më pak konkurrues, sepse në Amerikën e Jugut, Brazili fiton pothuajse çdo ndeshje. Kjo e bën më të vështirë rritjen si ekip, megjithëse është e vërtetë që dy skuadrat arrijnë shumë mirë në Botëror dhe kanë lojtarë të mrekullueshëm. Më pëlqen shumë kjo Argjentinë, është më e pjekur dhe ka një trajner të madh. Me pak fjalë, Brazili dhe Argjentina kanë shanse të mëdha për të fituar këtë Botëror.

Kush janë rivalët më të mëdhenj të Brazilit dhe Argjentinës në Katar?

Mbi të gjithë qëndron Franca. Ata kanë lojtarë të mrekullueshëm, janë kampionët në fuqi. Do të vlerësoja shumë dhe Spanjën e Gjermaninë, rivalë të mëdhenj. Gjithashtu, nuk duhet nënvlerësuar as Portugalia. Por mbetet për t’u parë se në çfarë niveli do të mbërrijë Ronaldo. Edhe Belgjika ka një skuadër për t’u respektuar.

A jeni gati për të nisur punën si trajner?

Po bëj një kurs të UEFA-s, ndonëse më pëlqen më shumë menaxhimi sportiv. Për momentin nuk jam ende gati, pasi futbolli është shumë konsumues.

Cili trajner është modeli juaj?

Karlo Ançeloti, pa diskutim. Kam mësuar nga të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar. Por paraqitjet e mia më të mira ishin me Karlon. Kemi punuar së bashku për gjashtë sezone.

Kur shihni futbollin e sotëm, a mendoni se ka humbur numri 10 si pozicion?

Nuk është se po humbet, ka humbur krejtësisht tashmë. Veç të tjerave, me mbrojtjen kaq të avancuar vështirë se ka mbetur hapësirë në qendër të fushës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"