INTERVISTA/ Shehi: Nuk e doja shtyrjen, gati për të mundur Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 21:20

INTERVISTA/ Shehi: Nuk e doja shtyrjen, gati për të mundur Laçin

Skënderbeu do të udhëtojë drejt kryeqytetit nesër, aty ku do ta presë pikërisht Laçi. FSHF-ja vendosi që ta anulojë shtyrjen e kësaj ndeshjeje pas akuzave që ngritën rivalët dhe duket se ky vendim u shkon më shumë se për shtat korçarëve. Është vetë Orges Shehi që e thotë hapur se nuk i interesonte që ndeshja e javës 12-të të luhej në një tjetër datë.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri argumenton se përse skuadra e tij është gati ta luajë në mesjavë ndeshjen dhe mbi të gjitha në “Selman Stërmasi”, aty ku mposhtën Partizanin dhe rimorën kreun. Objektivi për Laçin mbetet fitorja, ndërsa konfirmon se sulmi do të pësojë ndryshime.

Shehi

“Telenovela” mori fund dhe zyrtarisht do të luani të mërkurën. Si e vlerësoni këtë vendim?

Më në fund doli një vendim zyrtar nga FSHF dhe për fat të mirë ndeshja do të luhet. Ishte vendimi më i mirë i mundshëm si për ne edhe për mbarëvajtjen e kampionatit që ky takim të zhvillohej, pasi ne jemi gati dhe të përgatitur për t’u përballur me Laçin.

Ka pasur shumë opinione rreth shtyrjes pa afat të ndeshjes Skënderbeu-Laçi. Ju personalisht donit që të shtyhej apo…?

Jo, absolutisht që jo, nuk ishte aspak në favorin tonë, pasi ne kemi përgatitur një javë të plotë në lidhje me këtë ndeshje. Jemi sistemuar në “Tropikal Resort” për vijimin e përgatitjeve dhe të gjitha këto kanë një kosto. Mbi të gjitha, nëse nuk do të luanim, do të prishnim mikrociklin javor dhe sigurisht që do të ishte një minus.

Ndeshja do të luhet në atë stadium ku ju fituat dy javë më parë me Partizanin. Do të ketë ndikim psikologjik tek ekipi?

Mbi të gjitha do të luhet në një stadium që i mbush të gjitha pritshmëritë dhe ka standarde të mira. Kjo është më e rëndësishmja për ne. Plus kësaj, luhet në kryeqytet dhe atmosfera do të jetë e duhura.

Fakti që 24 orë para jush do të luajë edhe Tirana rrezikon të gjeni një fushë jo të përshtatshme. Ju pengon ky fakt?

Nuk e di, nuk jam në gjendje ta them këtë pa parë fillimisht fushën. Terreni në “Selman Stërmasi” është i mirë dhe nuk besoj të sjellë probleme, për vetë faktin se nuk ka pasur reshje kohët e fundit. Gjithsesi, është diçka që mbetet për t’u parë.

Me Laçin që ju ka marrë pikë në Korçë, e parashikoni të vështirë edhe këtë 90- minutësh?

Çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe asnjë takim nuk i ngjan tjetrit. Për këtë nuk mund të bëjmë një paralelizëm mes ndeshjes në fazën e parë me këtë që do luhet nesër. Përtej gjithçkaje, mbetet një ndeshje e vështirë dhe që kërkon përqendrimin maksimal. Laçi është ekipi që na ka shënuar tre gola në dy takime, përfshi këtu edhe Superkupën.

Cilat janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit?

Ne e analizojmë lojën e ekipit që kemi përballë gjithnjë. Por, nuk më duket etike që të flas në media për të tilla gjëra. Preferoj më mirë t’i ndaj me ekipin, pasi të kem një ide më të saktë.

Si vjen Skënderbeu në këtë takim?

Për fat të mirë, kemi një ekip të plotë këtë javë dhe kemi rikuperuar të gjithë lojtarët që nuk i kishim në formën e tyre më të mirë në ndeshjen që kaloi. Kjo na jep mundësinë që ta organizojmë mirë këtë 90- minutësh dhe të jemi gati për ta luajtur. Kemi 14-15 lojtarë që kanë përafërsisht të njëjtat minuta në këmbë dhe janë në gjendje që të jenë edhe titullarë, kjo e bën akoma edhe më të fortë këtë ekip.

Rikthehet Radas në mbrojtje, po në sulm a do t’i besoni sërish Krasniqit?

Radas është një pikë e rëndësishme për ne dhe sigurisht që do të jetë një garanci më shumë. Nga ana tjetër, ne bëjmë llogaritë e ekipit ndeshje pas ndeshjeje dhe në varësi të tyre ndryshojmë sjelljen në fushë. Mund të them se Krasniqi ka besimin tim dhe të të gjithë stafit. Nëse bën ato që i kërkohen, sigurisht që do ta gjejë më lehtë rrugën e golit.

Ndaj Laçit luani për tri pikët apo mund kënaqeni edhe me një pikë?

Po e them sërish, ne do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin e mundshëm, që kur të dalim prej saj, të jemi të bindur se kemi dhënë aq sa duhet të japim. E përsëris gjithmonë përballë ekipit, duhet që të shkarkojmë të gjitha energjitë që kemi në ndeshjen e radhës dhe nëse e bëjmë këtë, jemi në rrugën e duhur.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"