INTERVISTA/ Nga mentaliteti i Junajtid tek trajneri Solskjaer, shfryn Ronaldo: Nuk erdha për vendin e shtatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 13:17

INTERVISTA/ Nga mentaliteti i Junajtid tek trajneri Solskjaer, shfryn Ronaldo: Nuk erdha për vendin e shtatë

Nuk jam këtu për të luajtur vendin e pestë, të gjashtë apo të shtatë”. Kristiano Ronaldo shfryn kundër shokëve të skuadrës për momentin e dobët që po kalon Mançester Junajtid gjatë një interviste të gjatë për “Sky Sports”.

ronaldo

“Nuk e pranoj që në mentalitetin e klubit të mos jetë objektivi për t’u renditur të paktën në tri vendet e para”. Me Junajtidin 22 pikë larg kreut që mbahet nga rivalët e Sitit, CR7 i jep mbështetjen edhe trajnerit të ri, Ralf Rangnik, pavarësisht se flitet për pakënaqësi mes tyre.

Kristiano, është bukur të takohemi sërish. Faleminderit! Pyetja e parë është: Si jeni?
Jam mirë, po ti?

Unë jam shumë mirë, por nuk jam unë ai që sapo humba ndeshjen për Mançester Junajtidin. Kështu që, si jeni vërtet?
Jam mirë, pata vetëm një shqetësim të vogël, por është pjesë e punës sonë. Ndien dhimbje ndonjëherë, por nuk është asgjë serioze dhe shpresoj të bëhem mirë së shpejti.

Për fundjavën?
Shpresoj që po. Nesër do të përpiqem që të stërvitem normalisht dhe le të shohim se si trupi do të reagojë. Kam kryqëzuar gishtat. Jam optimist.

Më kujtohet Kristiano Ronaldo për herë të parë që nuk mund të luante. Nuk ishit një djalë i lumtur. Si ndiheni tani që jeni pak më i vjetër në moshë kur humbisni një ndeshje?
Tani jam më i pjekur dhe e njoh më mirë trupin tim, 100%. Është përvoja e cila të jep mundësinë për të kuptuar veten, mendjen, trupin, gjithçka rreth futbollit. Jam një tjetër person, një tjetër futbollist, por ambicia është gjithnjë e njëjta: unë dua të luaj e të ndihmoj skuadrën.

Herën e fundit që u ulëm së bashku kanë ndryshuar shumë gjëra. Ishte një tjetër trajner, Ole nuk është më. Çfarë mendoni për muajt e fundit këtu?
Për të qenë i sinqertë, nuk kanë qenë të lehtë. Ndryshuam trajnerin e parë, pas Oles ishte Karrik dhe tani kemi një trajner të ri. Është e vështirë se kur ndryshon kaq shumë, është gjithnjë një sfidë. Por, unë ende mendoj se ne jemi të aftë për të bërë një sezon të mirë.

E dinim që do të duhej kohë për t’i zbatuar idetë e trajnerit të ri në fushë, por unë mezi po pres. Ne duhet të kemi profesionistë, duhet të punojmë fort. Duhet të jemi të bashkuar për të ndryshuar faqe. E dimë që nuk jemi në momentin më të mirë, por unë mendoj se duke punuar fort, ne mund të arrijmë gjëra të rëndësishme edhe këtë vit.

Ju thatë se duhet të jeni të bashkuar dhe Ljuk Shou tha pas ndeshjes së fundit kundër Uolvesit se ju nuk ishit të bashkuar në fushë. Sa e rëndësishme është që të jeni të gjithë të bashkuar?
Është çelësi dhe jo vetëm për futbollistët, por për gjithë stafin, trajnerët, fizioterapistët, doktorët, lojtarët. Kjo është një skuadër, është si një familje e dytë për ne. Kështu që, duhet të jemi së bashku, jemi në të njëjtën varkë dhe e dinim që prej fillimit se nuk do të ishte e lehtë.

Tani jemi në një vit të ri, duhet të mendojmë se është e mundur. Kemi një rrugë të gjatë për të ndryshuar, por unë besoj se do të bëjmë një sezon të mirë.

Duke parë marrëdhënien tuaj me Olen, a ishte i vështirë largimi i tij për ju personalisht, sepse kur ju erdhët ai ishte në stol?
Sigurisht që është gjithnjë e trishtueshme dhe e vështirë kur shikon një trajner si Ole, me të cilin unë kam luajtur fillimisht dhe pastaj e pata trajner, të largohet. Ai është një njeri fantastik. Kur u largua, të gjithë u trishtuan, por ju e dini që kjo është pjesë e jetës, është pjesë e futbollit.

Dhe kur gjërat nuk shkojnë në mënyrën se si klubi dhe tifozët duan, atëherë klubi duhet të marrë masa e të ndryshojë. Unë isha i zhgënjyer, por në të njëjtën kohë ne duhet të kuptojmë klubin. Ishte e vështirë, por jeta vazhdon.

Sa ndryshe është të punosh me Ralf Rangnikun? Cilat janë ndryshimet që ai po përpiqet që të zbatojë?
Ai erdhi 5 javë më parë, ka ndryshuar shumë gjëra, por duhet kohë për të përcjellë idetë e tij te lojtarët edhe në fushë. Megjithatë, unë besoj se ai do të bëjë një punë të mirë. E dinim që nuk po luanim futbollin më të mirë, por kemi shumë ndeshje për të përmirësuar.

Që kur ai ka ardhur, mendoj se në disa pika jemi më mirë. Por, siç e thashë, duhet kohë. Nuk është aq e lehtë që të ndryshosh mentalitetin e lojtarëve dhe mënyrën se si luajnë, sistemin dhe kulturën menjëherë.

Përmendët ndryshimin e disa gjërave në fushë. Thatë gjithashtu mentalitetin. Sa i rëndësishëm është ai? A mund të jesh i suksesshëm nëse nuk është mentaliteti i duhur?
E pamundur! Mendoj se është gjëja kryesore. Unë flas gjithnjë me miqtë për futbollin dhe ata të gjithë përmendin sistemin, por sistemi nuk është i rëndësishëm kur mungon mentaliteti në fushë. Prandaj them se kemi një rrugë të gjatë për t’u përmirësuar, sepse për mua, gjëja më e rëndësishme është të shohësh brenda vetes dhe të thuash:

“Unë mund ta bëj më mirë. Unë mund të ndihmoj shokët, Sigurisht që edhe sistemi është i rëndësishëm, detajet e vogla bëjnë diferencën e madhe në fund të ditës. Por, për mua gjëja më e rëndësishme është mentaliteti: të jesh profesionist, të ndihmosh skuadrën, të motivosh veten.

Të gjitha detajet varen nga ti, jo nga trajneri, tifozët, shtypi. Nëse ke krenarinë, duhet të bësh shumë më tepër. Nise nga vetja. Është një vit i ri, unë përpiqem të përmirësoj shumë gjëra për të ndihmuar skuadrën. Jemi të gjithë këtu për ta përmirësuar skuadrën.

Ju mendoni që karakteri është më i rëndësishëm sesa talenti?
Duhet të kemi mentalitetin e duhur. Unë shikoj veten dhe i them: “Kristiano, çfarë mund të bësh më mirë për të përmirësuar nivelin tënd për të ndihmuar skuadrën?” Po, unë mund të përmirësoj shumë gjëra… një sprint.

Në 19 minutat e fundit kur skuadra është duke vuajtur, duhet të ndihmoj shokët kur vuajnë apo janë të lodhur. Janë këto detajet e vogla gjatë ndeshjes dhe duhet të jesh inteligjent, të lexosh atë që sjell ndeshja, sepse të gjitha ndeshjet janë të ndryshme, stadiumet, sistemet. Duhet të jesh i aftë dhe gati kur vuan, të luftosh e të jesh kompakt, të jesh një skuadër.

Prandaj këtë klub e quajnë Mançester Junajtid dhe ne duhet të jemi të bashkuar në momente të vështira.

Dhe me këtë përvojë që keni brenda dhe jashtë fushe, mendoni se mund t’i ndihmoni lojtarët e rinj?
Po, sigurisht. Lojtarët e vjetër mund t’i ndihmojnë të rinjtë. Mund t’ju jap një shembull. Nëse unë të jap një këshillë kur ti je më i ri se unë dhe ti nuk e zbaton atë gjatë jetës së përditshme, do të jetë e vështirë. Ti mund të flasësh gjithë ditën me atë person, por nëse ajo nuk të vjen nga brenda, është e pamundur.

Më kujtohet kur isha 18, 19, 20 vjeç, disa lojtarë të vjetër flisnin me mua, por unë i thosha vetes: “Kristiano, ti duhet të përmirësohesh. Ata janë më të vjetër se ti, dinë më shumë se ti”. Por ka njerëz që nuk e pranojnë që ti t’i kritikosh. Unë kam fëmijë dhe e di: ndonjëherë, kur tregohesh pak më i ashpër, ata bëjnë pikërisht të kundërtën. Ti duhet të gjesh ekuilibrin e duhur për të folur me ta.

Por për mua kryesorja është se ajo duhet të vijë nga brenda teje, duhet të shohësh veten në pasqyrë dhe të thuash: “Unë jap gjithçka”. Ne jemi këtu për të ndihmuar. Kur ata të kenë nevojë për ndihmën, këshillat dhe mbështetjen time, unë do të jem i pari që do t’i ndihmoj. Por nëse ti nuk e do ndihmën time, atëherë bëj më të mirën për të ndihmuar veten.

Kur u larguat pas ndeshjes kundër Uolvesit kishit shiritin e kapitenit në krah. Si e përjetuat atë moment?
Unë jam gjithnjë krenar, sepse isha kapiteni i Junajtidit. Jam kapiteni i vendit tim dhe nuk mendoj se ka diçka më të rëndësishme sesa kjo në 8-9 vitet e fundit. Është një përgjegjësi e bukur. Unë u riktheva në Mançester sepse e dua këtë klub, jo për para apo për diçka tjetër.

Dhe tani besoj se kemi potencial të madh për të fituar gjëra të rëndësishme. Por duhet të gjejmë rrugën më të mirë për t’i arritur këto rezultate. Unë besoj, por ka gjëra që duhet t’i ndryshojmë dhe pranojmë. Duhet të pranosh kur nuk je në formën më të mirë.

Kur thoni ndryshim, çfarë duhet të ndryshojë?
Nuk jam unë njeriu i duhur për të thënë se duhet të ndryshojmë këtë apo atë, por në përgjithësi. Le të jemi të sinqertë, në 5-6 ndeshjet e fundit mendoni se Junajtid ka luajtur shumë mirë? Jo! Ju e dini këtë, të gjithë e dinë. A kemi kohë për t’u përmirësuar? Po, kemi. Kemi një skuadër me potencial, një trajner të ri.

Përse të mos besojmë se mund të bëjmë më mirë? Duhet të besojmë, duhet të jemi optimistë, të luajmë siç duan tifozët e Junajtidit dhe historia e klubit. Nuk do të dorëzohemi. Dorëzohen gjithnjë ata që janë të dobët psikologjikisht. Unë nuk di të them specifikisht, sepse unë jam një futbollist dhe jo trajner, nuk jam presidenti dhe nuk dua ta them se si mund të ndryshojë, sepse nuk është etike nga ana ime.

Ajo që mund të them dhe që ne e kemi në dorë është se mund të bëjmë më mirë, të gjithë ne.

Dhe nëse ndodh kjo, çfarë mund të fitoni?
Gjëra të mëdha. Junajtid u përket gjërave të mëdha. Ne duhet të ndryshojmë. Junajtid duhet të fitojë titullin ose të renditet i dyti apo i treti. Nuk shoh pozicion tjetër për Mançesterin. Nuk e pranoj që mentaliteti ynë të jetë për më poshtë se tri vendet e para në Premier Ligë.

Unë nuk dua të luftoj për vendin e pestë, të gjashtë apo të shtatë. Skuadrat më të mira sot në Premier Ligë janë ndoshta Mançester Siti, Liverpuli dhe Çelsi, sepse kanë më shumë vazhdimësi se ekipet e tjera. Duhet të bëjmë gjërat e duhura. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë në nivelin e skuadrave që përmenda.

Unë besoj gjithnjë, por siç e thashë, disa gjëra duhet të ndryshojnë.

A është fantastike për ju që u kthyet në Premier Ligë?
Absolutisht. Për mendimin tim, Premier Liga është kampionati më i bukur në botë këto 5-6 vitet e fundit. Gjithnjë ka qenë në majë të botës, por veçanërisht 5-6 vitet e fundit. Është një kampionat shumë konkurrues, shumë luftarak. Edhe skuadrat e vogla duken të mëdha kur luajnë kundër ekipeve të mëdha.

Premier Liga është me diferencë kampionati më i vështirë dhe më i veçantë në botë. U ktheva për të treguar se mund të luaj ende në këto nivele.

Përveç gjërave në fushë, a po e shijoni rikthimin në Angli me familjen tuaj?
Po. Jam në një moment të jetës sime që jam ambientuar në gjithçka. Familja, fëmijët, janë të lumtur, unë jam i lumtur dhe dua të vazhdoj.

Sa e madhe është sfida që Junajtid të rikthehet në 4 vendet e para?
Çdo javë është një sfidë. Unë shoh të tashmen jo të ardhmen. Të shtunën kemi një ndeshje shumë të vështirë, ajo është e tashmja. Hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje duhet të përmirësohemi. Unë jetoj të tashmen, ajo është më e rëndësishmja. E ardhmja pret. Pastaj kemi ndeshjet në Champions.

Përmendët Championsin. Sa e rëndësishme është për këtë klub të mos mungojë atje?
E thashë që Junajtid duhet të fitojë titullin, të renditet i dyti ose i treti. Nuk shoh pozicion tjetër. Nuk e pranoj mentalitetin për të qenë më poshtë. Cili do të ishte sukses për Junajtid në maj? Të fitojmë një trofe, të shkojmë në Champions dhe të jemi në 4 vendet e para.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"