INTERVISTA/ Legjenda e të kuqve, Ilir Lame: Partizan, të duhet një bomber për titullin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 22:26

INTERVISTA/ Legjenda e të kuqve, Ilir Lame: Partizan, të duhet një bomber për titullin!

Nëse në fillim të sezonit tha se Partizani nuk është për titull, ish-mesfushori i të kuqve, Ilir Lame, shikon ndryshime pozitive te “demat”. Sipas Lames, trajneri Gega po bën një punë të mirë, por ai është i mendimet se Partizanit i duhet me çdo kusht një sulmues që të dërgojë topin në rrjetë. Përveç mungesës së bomberit, Lame problem shikon edhe mentalitetin, pasi lojtarët nuk e dinë sesi fitohet një titull. Ish-mesfushori pohoi në intervistën për “Panorama Sport” se Skënderbeu zhvillon futbollin më të mirë, por të kuqtë i shikon në rrugën e duhur për të kthyer titullin pas 25 viteve.

ilir lame

Çfarë ndjesie ju lë ky Partizan i këtij sezoni?

Unë jam shprehur më parë në një intervistë për “Panorama Sport” se Partizani nuk është për kampion. Kjo ishte si perceptim i asaj që skuadra dha në fillim, por edhe nga emrat e afruar. Te titulli diskutohej muhabeti asokohe, ndonëse Partizani gjithnjë për kampion lufton. U bë shumë kohë pa trofe, ndaj thashë sa ka ardhur momenti. Por, duke parë ecurinë gjatë fazës së parë, ka ndryshime të mëdha.

Pra, ju mendoni se janë në rrugë të mbarë tani?

Ecuria është e mirë, megjithatë them se Partizanit i duhet një “sulmues race”. Duhet një lojtar goli, pasi duket qartë se Partizani e ka defekt shënimin e golave.

Kjo është një temë që po i mëshojnë të gjithë. Vetëm një sulmues i mungon Partizanit apo ka nevojë edhe për ndonjë riparim tjetër?

Me aq sa kam parë unë, sektorët e tjerë nuk kanë probleme të mëdha, duke nisur nga porta, mbrojtja dhe mesfusha. Ndërsa, sulmi çalon. Nuk ka kush shënon dhe golin e nxjerrin me shumë vështirësi. Edhe ata lojtarë që luajnë në sulm, janë të adaptuar, nuk janë sulmues të mirëfilltë. Për mua Bardhi është talent, por është i detyruar të luajë në atë rol si “pykë”, pasi mungon alternativa e mirëfilltë.

Vetëm për një “bomber” ka nevojë ky ekip?

E theksoj se mungesa e vetme e këtij Partizani është sulmuesi i vërtetë, një lojtar që dërgon topin në rrjetë. Ndërsa, pjesa tjetër më duket e konsoliduar dhe që lufton shumë në fushë. Me ardhjen e Gegës në krye të ekipit, Partizani ka marrë një fizionomi tjetër, edhe si koncept loje.

Përpos vështirësive në finalizim, ekipi ka arritur të marrë pikët e duhura deri tani…

Gjithë vështirësia vjen nga “njeriu-gol”. Po nuk shënove, nuk fiton dot. Fitoret që ka marrë deri tani janë të ngushta, goli del me vështirësi.

Skënderbeu ka bërë shumë ndryshime në verë, plus ka një dënim të rëndë, por sërish janë në formë. Si e shpjegoni këtë ecuri pozitive?

E kam thënë edhe në fillim të sezonit se Skënderbeu është ekipi për t’u mundur përpos ndryshimeve, dënimeve dhe anës psikologjike ku u fut klubi. Gjithsesi, ata e kanë ruajtur mënyrën e tyre të të luajturit, që e vendosën në sezonet e fundit. Duket që Skënderbeu zhvillon një futboll më ndryshe nga ekipet e tjera.

Çfarë ka ndikuar te Partizani, që nuk po arrin të fitojë në ndeshjet direkte me korçarët?

U bënë disa ndeshje që Partizani nuk po fiton ndaj Skënderbeut dhe për më tepër as nuk i shënon. U bënë 6 ndeshje që nuk e gjen golin. Jo vetëm ndaj Skënderbeut, por edhe me ekipet e tjera Partizani e ka treguar se e ka të vështirë të shënojë. Për mua Skënderbeu luan futbollin më të mirë në Shqipëri dhe mbetet ekipi për t’u mundur.

Me ruajtjen e hapit me korçarët dhe me afrimin e një sulmuesi të mirëfilltë, mendoni se Partizani mund ta fitojë betejën finale dhe të realizohet ëndrra 25-vjeçare e titullit kampion?

Ëndrra mund të realizohet edhe në këto kushte. Diferenca është vetëm një pikë. Për mua Partizani dhe Skënderbeu janë pretendentët kryesorë për titull. Por, në këtë betejë shikoj edhe Flamurtarin me Kukësin.

Si një ish-lojtar kampion me Partizanin, sipas jush, çfarë duhet të bëjë ndryshe sivjet klubi që të fitojë titullin?

Janë shumë gjëra që duhen bërë ndryshe. Primare shikoj mentalitetin. Pjesa dërrmuese e lojtarëve nuk e kanë provuar shijen e titullit kampion. Ata nuk e dinë si fitohet dhe çfarë është titulli kampion. Gjithsesi, është trajneri ai që po mundohet ta injektojë këtë frymë. Me sa kam parë, Skënder Gega po bën punë te Partizani për t’ua futur këtë mentalitet lojtarëve. Duhet ta fitosh një herë titullin, që ta kuptosh më pas sesi arrihet dhe çfarë është të dalësh kampion.

Te humbja e fundit me Skënderbeun a ndikoi pezullimi që klubi i bëri Trashit dhe, sipas jush, si e menaxhoi Partizani këtë rast?

Për mua pezullimi i Trashit nuk ka ndikuar tek ajo ndeshje. Ndërsa, për menaxhimin e rastit, jam i mendimit se klubi veproi drejt. Në radhë të parë është ekipi, më pas vjen individi. Ekipin nuk mund ta hedhësh poshtë për çfarëdolloj arsyeje, ndonëse nuk jam në brendësi të rastit. Derisa pranon të veshësh fanellën, nuk mund të veprosh kundër ekipit.

Kryeqyteti ka dominuar futbollin shqiptar për dekada me radhë, por prej 10 vitesh titulli ka shëtitur jashtë Tiranës. Ndonëse ka më shumë skuadra, si është e mundur që titulli po vonon kaq shumë?

Futbolli është bërë gjithëpërfshirës tani, është përhapur kudo. Nëse ke ide dhe financa, edhe në majë të malit mund të ndërtosh një ekip futbolli dhe del kampion. Paraja nuk është gjithçka, por kryeqyteti ka vuajtur në këto vite nga menaxhimi dhe investimi, të cilat kanë bërë që titulli të mos duket në dekadën e fundit.

Partizani në të shkuarën është privuar nga titulli, pikërisht nga rezultatet që ka arritur me ekipet e vogla apo të zonës së poshtme. Ndërsa, këtë vit ka qenë rezultativ, mos është ky një ogur i mirë?

Pikërisht, të voglat vendosin te fati i trofeut. Anglezët kanë një shprehje: “Ruaj të voglën, se e madhja ruan veten”. Aty janë pikët, te të voglat, se me rivalët motivimi vjen vetë.

Në fund si e shikoni ndeshjen e radhës, ku Kastrioti pret të kuqtë?

Duhet ta kalojnë edhe këtë takim. Mendoj se nuk do të kenë probleme për vetë pozitat dhe situata ku ndodhen dy ekipet.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"