INTERVISTA/ Ish-lojtari i Kastriotit rrëfen si u infektua me “COVID-19”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2020 | 8:36

INTERVISTA/ Ish-lojtari i Kastriotit rrëfen si u infektua me “COVID-19”

Kruja është një nga vatrat më të nxehta të Koronavirusit ditët e fundit dhe virusit nuk i kanë shpëtuar as njerëzit e sportit. Gazetarja e “News 24”, Klodiana Lala, ka shkruar në këtë qytet, ku ka intervistuar një nga të prekurit nga Koronavirusi, shtetasin me inicialet SH.D., ish-lojtar dhe ish-trajner i Kastriotit. Prej 10 ditësh është izoluar në banesën e tij dhe në rrëfimin e tij tregon si nisën simptomat.

kastrioti

Ai dyshon se virusin e ka marrë në spital. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, qytetari duhet të përballet edhe me një tjetër shqetësim për të, pasi në një prej dhomave ka të izoluar edhe nënën e moshuar, për të cilën nuk kujdeset dot, ndërsa gruan e ka të bllokuar në Gjermani për shkak të mbylljes së kufijve. Qytetari u bën thirrje institucioneve shëndetësore që dikush të kujdeset për nënën e tij.

Si dhe kur ju shfaqën simptomat?

Kisha një kollë të hershme. Shkoja në spital një ditë po, një ditë jo. E vetmja rrugë është se është marrë mikrobi. Po bëj mbi 10 ditë që kam pasur debolesë, djersë dhe dhimbje trupi. Shkoja te një pronë që kam çdo ditë, por ndieja lodhje, dhimbje kyçesh. Më shkoi mendja tek ato simptomat që kemi dëgjuar edhe në televizor.

Keni frikë se mund të keni infektuar edhe të tjerë persona?

Vëllain, kam frikë. Sot (dje) do të vijnë t’i bëjnë tamponin. Nëna ime qëndron prej 1 jave e izoluar në dhomën tjetër. I kam çuar ndonjë gotë ujë, ndonjë gjë. Kam djalin e vëllait që m’i sjell ushqimet, m’i bën nusja e vëllait. I marr dhe i fus brenda.

COVID

Këtu vjen erë klor. Kush e ka dezinfektuar?

S’e di, sepse unë jam i izoluar mbi 10 ditë. Dua që të rishikohet pak puna e plakës, pasi po më vdes aty. Pres të përmirësohem, nga sikleti i kësaj përkeqësohen këta të tjerët.

Sa e rëndë ishte sëmundja?

Faktikisht, këtë lloj “COVID”-i e kam kaluar nga janari ose dhjetori. Kam pasur të njëjtin grip më herët, por në atë kohë nuk jam testuar.

Po familja e vëllait, si është?

Vëllai nuk është mirë, ai ka temperaturë 38 e gjysmë deri në 39. Nusja e vëllait dhe nipi janë mirë.

Keni ndonjë apel?

Bëj thirrje që të më shohin plakën. Unë them se do ta kaloj, s’e kam problem, nga vetë fiziku, sepse jam marrë me sport gjithë jetën. Do ta kaloj, por kam hallin e nënës.

A ndiheni të frikësuar se njerëzit mund t’ju stigmatizojnë?

Absolutisht. Nuk hyj te mentaliteti i njerëzve, por ishalla largohet virusi njëherë e përgjithmonë, me shpresën e Zotit.

A mendoni se karantinimi në banesë është efektiv?

Po të kesh kushtet në banesë, është mirë. Por më mundon plaka. Karantinimi në shtëpi është super. Gruaja ka ngelur një muaj e gjysmë në Gjermani.

Pse ka ngelur atje gruaja?

Ishte përkohësisht atje, shkoi te vëllai i vet. Kam edhe çunat atje. Unë jam vetëm me plakën. Ça t’i bëj! Ka pasur fluturime, por s’ka kapur gjë. Nuk arrijnë të rezervojnë një dhomë hoteli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"