Intervista/ Ëndrra europiane, Daja rrëfehet për pengjet dhe… kontratën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 22:56

Intervista/ Ëndrra europiane, Daja rrëfehet për pengjet dhe… kontratën

Pas mbylljes së fazës së grupeve me 5 pikë në 6 ndeshje, Skënderbeu i rikthehet realitetit shqiptar. Në fund të aventurës në Ligën e Europës, Ilir Daja i ka bërë “skanerin” paraqitjes së ekipit të tij. Në një intervistë ndryshe të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhekuqve flet për gjithçka, duke filluar nga ndeshja më speciale, pengjet dhe kontrata.

Flet edhe për merkaton, megjithatë tregohet tejet i rezervuar kur vjen puna tek emrat. Urimet kanë qenë të shumta gjatë kësaj kohe, por duket se Dajës i është bërë “zemra mal” kur ka marrë komplimente prej tifozëve të ekipeve kundërshtare.

daja

Çfarë note do t’i vinit edicionit në Europë?

Duke qenë se Skënderbeu e kishte për herë të dytë që merrte pjesë në grupet e Europës, mund të them që ka qenë një paraqitje shumë e mirë. Kemi arritur që të përballemi si të barabartë me ekipe që kishin një eksperiencë më të madhe se ne dhe niveli të madh në Europë. Grupi meriton komplimentet më të mira.

Cila ka qenë ndeshja më emocionuese për ju në Ligën e Europës?

Është e vështirë të zgjedhësh, pasi ekipi ka zhvilluar mjaft ndeshje të mira. Kemi kaluar katër ture eliminatore dhe gjashtë ndeshje në grup të një cilësie mjaft të mirë. Por, sigurisht, nëse duhet të zgjedh një, pa dyshim që për mua ndeshje e veçantë mbetet ajo e “play off”-it të Europa Ligës, kur arritëm të kalonim Dinamon e Zagrebit. Ishte ndeshja që nuk do ta harroj asnjëherë, pasi bëmë histori duke kaluar katër ture në Europë si askush tjetër më parë.

E keni menduar ndonjëherë që mund ta kalonit grupin, nëse po… kur?

OK, të flasësh për kalimin e grupit është diçka e madhe. Por mund të them se, përderisa të gjithë e kanë thënë që i kemi mundësitë të kalojmë këtë fazë, atëherë vërtet kemi qenë duke bërë diçka të madhe. Të them të drejtën ka qenë një objektiv, sidomos pas tri ndeshjeve të para që kemi zhvilluar në grup. Pas tri rezultateve të para dhe, mbi të gjitha, pas lojës së zhvilluar në këto tre takime mendova se realisht kishim shanse.

daja

Cili është pengu juaj për ndonjë zgjedhje që ndoshta keni bërë gabim dhe të mund ta korrigjoni nëse do të jepej mundësia?

Nëse do flasim me sinqeritetin më të madh them se gabime edhe mund të ketë pasur. Por, në momentin kur në ndeshjen ndaj Jang Bojsit, pas 11 minutash lojë të dominuara, duhet të bësh një zëvendësim të detyruar të Gavazajt dhe në ndeshjen tjetër me Partizanin në minutën e 25-të duhet të largosh Radasin nga fusha, nuk të vjen edhe aq mirë. Dhe të mendosh që po luanim me ekipe që janë më të forta se ne normalisht. Sikur të mos kishin qenë ato momente, besoj se do të flisnim ndryshe.

Cili është lojtari që ka tejkaluar pritshmëritë tuaja në këtë aventurë europiane?

Pavarësisht se të gjithë lojtarët që janë aktivizuar në ndeshjet e Europës kanë kaluar pritshmëritë dhe kanë bërë paraqitje të mira, mund të them se ne jemi një ekip që bazohemi mbi grupin. Grupi është arma jonë më e fortë që unë e falënderoj për paraqitjet e bëra në tërësi.

Skenderbeu

Po lojtari që keni pritur më tepër, por nuk e ka bërë një gjë të tillë?

Të them të drejtën, Skënderbeu është një ekip që kur fiton merita është e të gjithëve, ndërsa kur gabon përgjegjësinë e marrin po të gjithë. Ne jemi munduar në të mirë të ekipit të bëjmë përgjegjësinë për vete sa herë që gabojmë. Pra, në ndeshjet e humbura përgjegjësitë më të mëdha ia kemi faturuar stafit teknik për të lehtësuar ekipin nga përgjegjësitë.

Cili ka qenë komplimenti më i veçantë që keni marrë dhe që nuk do ta harroni nga kjo aventure?

Të them të drejtën, gjatë kësaj periudhe kemi marrë shumë komplimente, pasi arritja realisht ka qenë e madhe. Jemi i vetmi ekip që kemi kaluar 4 ture në Europë dhe dy herë në grupet e Europa Ligës nuk është pak. Komplimentet kanë qenë të shumta, por për mua fakti që edhe tifozët e ekipeve rivale për titull na bënin komplimente, ishte maksimumi. Kjo tregoi se Skënderbeu kaloi kufijtë e Korçës, pavarësisht se mbështetjen më të madhe e kishim nga tifozët tanë.

Skenderbeu

A keni biseduar me klubin për një rinovim kontrate dhe, nëse jo, a do ta kërkoni vetë përpara se presidenti t’ua thotë?

Kjo është një temë që mua nuk më pëlqen ta prek, pasi ka ende kohë për të folur dhe për të hyrë në bisedime, kontrata ime përfundon në qershor dhe unë nuk jam nga ata trajnerë që kërkoj vetë rinovimin. Por pres që rezultatet e mia dhe puna e bërë të japin vlerën e tyre në klubin me të cilin punoj dhe të diskutojmë më pas. Gjithsesi, është ende herët, pasi kontrata ime skadon në qershor.

Flasim pak për merkato. Mes Bregut, Abazajt dhe Uzunit, cilit tip lojtari do të zgjidhnit nëse do të ishte gjithçka në dorën tuaj?

Të them të drejtën, edhe kjo është një çështje që nuk më takon të flas për lojtarë që kanë kontrata me ekipet e tyre, qoftë me Laçin, ashtu edhe me Luftëtarin. Mund të them se si lojtarë janë të profileve të ndryshme dhe cilësitë e tyre nuk vihen në diskutim. Por, nuk më pëlqen të flas për lojtarë që nuk janë të Skënderbeut.

Daja

Nëse ikën Jashanica, është Fushtar në planet tuaja?

Jashanica është një nga pikat tona të forta dhe të gjesh zëvendësuesin e tij nuk është e lehtë. Është një lojtar që klubi nuk pranon çdolloj oferte për të, pasi bëhet fjalë për një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim. Nëse ai largohet në janar, atëherë mund të them se klubi do të ketë gjetur pasuesin e tij që duhet të jetë një lojtar me karakteristikat e Jashanicës. E përsëris, është lojtar për të cilin jo çdo ofertë është e pranueshme, pasi është pika e fortë në prapavijë.

Nëse flasim me përqindje, sa i jepni Skënderbeut për titullin?

Me përqindje në futboll është vështirë të flitet, por nëse do flasim për tendencën e mundësive që kemi për të fituar titullin, them se jemi në rrugën e duhur. Nëse vijojmë të bëjmë këtë paraqitje dhe këtë ecuri me të tilla rezultate, jemi duke bërë mirë për të sjellë trofeun në Korçë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"