Intervista/ Cuculi shkund Kukësin: Në futboll s’ka gjë të prerë me thikë, fitoret nuk vijnë me fjalë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 19:59

Intervista/ Cuculi shkund Kukësin: Në futboll s’ka gjë të prerë me thikë, fitoret nuk vijnë me fjalë (E PLOTË)

Nënkampionët e Kukësit, pas një ecurie të mirë në 6 javët e para ku me 13 pikë arritën kreun, me dy humbjet e radhës ndaj Skënderbeut dhe Partizanit ulën ritmin dhe euforinë në radhët e tyre.

cuculi

Por, tanimë është koha për fitore. Dhe kjo theksohet nga zëvendëskapiteni Ardian Cuculi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” pohon se ekipi është gati për kthesën e madhe. Ndonëse Kukësi ka humbur ndaj rivalëve, ai nuk ka asgjë më pak se ata, madje i ka dominuar në lojë, raste dhe rezultatet nuk kanë qenë pasqyrë e lojës.

Keni humbur me dy rivalët direkt, çfarë nuk shkon… mos dëshmon dobësi ky fakt?

Mund t’i ndodhë çdo ekipi të humbë dy ndeshje. Për mënyrën si luajtëm në këto dy ndeshje mendoj se nuk merituam të humbnim, por futbolli i tillë është. Nuk jemi demoralizuar, përkundrazi, jemi bërë më të fortë dhe kemi mësuar nga episodet që ndodhën në këto dy ndeshje, të cilat jam i bindur që do i përkthejmë në favorin tonë në fushë në vazhdim. Nuk është dobësi. Thjesht ishin dy ndeshje, në të cilat ne nuk patëm fatin me vete, pasi të paktën në takimin e dytë dominuam në çdo aspekt, por dhe ndaj korçarëve patëm mjaft raste dhe nuk meritonim të humbnim.

Sa ju penalizon fakti që nuk luani në Kukës?

Normalisht që është handikap mosprezenca e tifozëve. Dihet që janë një shtysë e madhe për ekipin. Tifozët kuksianë janë të mrekullueshëm, edhe pse nuk luajmë në Kukës, ata prapë interesohen në mënyra të ndryshme për ecurinë e ekipit. Do ishte shumë mirë të luanim në shtëpi, por do japim maksimumin e do bëjmë më të mirën kudo që të luajmë.

Jeni skuadra që keni pësuar më shumë në mesin e pretendetëve, 5 gola, problem i mbrojtjes ky?

Në këtë periudhë kohe që jam pjesë e Kukësit, kam mësuar se filozofia e ekipit është grupi. Dhe nga grupi gjithmonë kanë pasur sukses. Pra, ne shënojmë dhe pësojmë bashkë si ekip.

Ndiheni i kompletuar me aventurën në Kukës?

Nuk e di në çfarë kuptimi “i kompletuar”, por ndihem shumë mirë, i mirëpritur nga të gjithë në klub dhe në ekip. Unë dëshiroj që të jap më të mirën për klubin ku militoj, natyrisht që te Kukësi kam gjetur dhe ambientin e duhur.

Si e shikoni ndeshjen me Kastriotin, jeni gati për tri pikët?

Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet. Përderisa kemi pretendime të larta, duhet të futemi në çdo ndeshje për të marrë tri pikët. E respektojmë kundërshtarin, edhe pse ka një start të keq.

Përveç Musollit, organika e ekipit është e gjitha gati, ju kanë penalizuar mungesat?

Tani na duhet të mësohemi pa Musollin. Një kohë të gjatë do të na mungojë. E dimë rolin dhe rëndësinë e tij në ekip, kualitetin dhe grintën që ka, por nuk duhet të mbesim atje, duhet të ecim para. E presim me padurim rikthimin e Musollit, por nga ana tjetër, disa lojtarë të tjerë janë të gatshëm e shpresojmë që ta zëvendësojnë më së miri, pasi zëvendësuesit i kanë të gjitha mundësitë. Gjithmonë mungesat janë në disfavor të ekipit, por Kukësi ka kualitet dhe do e kalojë këtë situatë. Fatmirësisht, grupi po rikthehet i plotë.

Çfarë keni bërë ndryshe që nga humbja me Partizanin për qenë gati në aspektin psikologjik, të moralit dhe stërvitjes?

Pushimi na erdhi në kohën e duhur. Na nevojitej qetësia dhe për t’u stërvitur e përmirësuar ato gjëra çka nuk shkuan siç duheshin më parë.

Presidenti kërkon 3 fitore radhazi, sa i arritshëm është për ekipin ky synim?

Presidenti ka të gjithë të drejtën të kërkojë më të mirën nga ekipi që ka. Unë shpresoj shumë dhe do bëjmë maksimumin për t’i arritur, edhe pse në futboll nuk ka gjë të prerë me thikë. Presidenti është një shembull për atë çka jep dhe kërkon nga futbolli. Ai kërkon vetëm të fitojë dhe kjo është një gjë shumë e mirë.

Si i shikoni rivalët, mos ndoshta ata kanë diçka më shumë se Kukësi dhe a mendoni se do i kaloni prapë ata në renditje?

Të gjitha ekipet kërkojnë të bëjnë dhe të marrin më të mirën, luftojnë për objektivat e tyre, me këdo mund të fitohet dhe e kundërta. Kështu që deri në fund lufta do të jetë e hapur dhe ne si Kukës shpresojmë shumë dhe do luftojmë fort që t’ia dalim e të fitojmë titullin

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"