Intervista/ Bushiç: Mema s’bën dot “magji” për 1 javë, nga kryeqyteteti kujtoj problemet financiare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 21:38

Intervista/ Bushiç: Mema s’bën dot “magji” për 1 javë, nga kryeqyteteti kujtoj problemet financiare

Tomislav Bushiç nuk e diskuton fitoren kundër Tiranës. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, kapiteni i çliruar nga nostalgjia dhe emocionet përballë së shkuarës bardheblu, thekson se nga ajo kohë kujton vetëm problemet financiare.

bushic

Në Vlorë u rikthehet edhe Ardian Mema, megjithatë sulmuesi thekson se ai nuk ka pasur kohën e nevojshme për të ndryshuar si me “magji” kryeqytetasit. Kroati flet edhe për kritikat e shumta që ka pasur sulmi për mungesën e golave, ndërsa saktësoi se nuk i jep të drejtë Rrapo Tahos për Torasën.

Pas luhatjeve të mëdha, e konsideroni ndeshjen me Tiranën si shansin e madh për të gjetur kthesën?

Luajmë në shtëpinë tonë dhe ndaj duam vetëm fitoren. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, pasi duhet që të ecim sa më lart në tabelën e klasifikimit.

U bëtë vite në Vlorë dhe gjatë kësaj kohe nuk keni arritur as Europën, mund të jetë ky viti i duhur për të pretenduar?

Normal, është njësojë si vitet e tjera. Ne luajmë për Europën. Duhet që të ecim ndeshje pas ndeshjeje, ky ekip ka forcën për t’ia dalë.

Tirana është pjesë e së shkuarës tuaj, çfarë kujtoni me nostalgji gjatë viteve si bardheblu?

Nuk kam nostalgji për Tiranën. Kam luajtur një vit në kryeqytet dhe respektoj shokët e skuadrës që kam pasur. Por tani unë luftoj për Flamurtarin dhe mendoj që të bëj më të mirën për këtë skuadër, për të marrë fitoren. Pra, gjithmonë ne luajmë për tri pikët. Me Tiranën, me Skënderbeun, me Kukësin, për mua është njësoj. Nuk kam emocione, unë luaj për Flamurtarin tani.

Cili ka qenë momenti që ju ka mërzitur më shumë në kryeqytet?

Në fund kam pasur problemet financiare te Tirana. Unë doja të thosha se kam qenë shumë i kënaqur që kam luajtur te Tirana. Është një klub i madh dhe është një eksperiencë e mirë. Kam shumë shokë aty, por unë shikoj para, nuk dua që të rikthehem pas.

Tirana ju mori Memën, mendoni se me të në krye mund t’ju marrë edhe fitoren?

Mema punoi bashkë me ne  dy-tre muajt e fundit. Por, mendoj se ai nuk do ta ndryshojë shumë taktikën te bardheblutë me një javë që ka aty. Nuk e shikoj Tiranën favorite në këtë ndeshje, por është Flamurtari. Ne kemi punuar shumë për këtë 90-minutësh, si në planin e përgatitjeve, ashtu edhe në atë të analizës. Në këtë ndeshje do të futemi me mendjen për tri pikët dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Si është Mema si trajner, meqenëse keni punuar disa muaj me të dhe e keni njohur?

Mema është një person shumë i mirë dhe një trajner shumë i mirë. Është i komunikueshëm. Mendoj se me Ardin, Tiranës do t’i shkojnë punët mirë. Ata janë një ekip i madh dhe Mema ka shumë presion. I uroj suksese, por pas ndeshjes në Vlorë.

Të shumtë janë legjendat vlonjate që kanë kritikuar sulmin dhe kanë evidentuar se Bushiç dhe Alvesh duhet të marrin më shumë përgjegjësi… me vend ky konstatim?

Mendoj se është me vend si konstatim. Unë jam sulmues i parë, po ashtu edhe Danilo. Por gjithë ekipi është në lojë për të mbrojtur dhe për të sulmuar. Pa lojtarët e tjerë, unë nuk shënoj gola. Nëse ekipi luan mirë, unë në fund kam shanse të shënoj. Kur nuk luan mirë ekipi, nuk luaj as unë, as Alvesh. Kuptohet kjo gjë, pasi të gjithë duhet të jemi bashkë nga mbrojtja deri në sulm.

Rrapo Taho deklaroi se Bushiç është lënë i veçuar në sulm dhe nuk ka mbështetje, ndihesh i shkëputur në lojë prej Torasës me shokë?

Në ndeshjen e fundit Torasa luajti afër meje. Unë e dua gjithmonë Torasën mbrapa sepse është një lojtar cilësor. Tani që do të luaj pas, si një sulmues i dytë, do të jetë më mirë.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"