INTERVISTA/ Batha i pafuqishëm para Disiplinës: Më dënuan kot, tani Flamurtari do tentojë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 21:15

INTERVISTA/ Batha i pafuqishëm para Disiplinës: Më dënuan kot, tani Flamurtari do tentojë…

“Komisioni i Disiplinës nuk duhet të marrë vendime vetëm nëpërmjet pamjeve filmike”. Deklarata vjen nga mesfushori Idriz Batha, i cili u pezullua dhe nuk luajti në ndeshjen me Kukësin pas ngjarjeve që ndodhën në takimin me Teutën në Vlorë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Batha tha se gjyqtari ishte 10 metra larg dhe e pa se çfarë ndodhi, ndërsa e cilëson pa sens vendimin e Disiplinës.

Pavarësisht se nuk luajti në ndeshjen me Kukësin, Batha ishte i bindur se Flamurtari do të fitonte. Lojtari thotë se vlonjatët duhet të marrin ndeshjet me radhë dhe sipas tij, nuk ka arsye pse të mos pretendojnë për titullin kampion këtë sezon. Gjithsesi, vlonjatët janë fokusuar vetëm te ndeshja e radhës, ku në mesjavë presin Luftëtarin. Batha pohoi se ndaj gjirokastritëve do të synohet thellimi i serisë së rezultateve pozitive dhe pasi të kenë arritur këtë qëllim, do të mendojnë për transfertën e Korçës.

batha

Si e pritët dënimin që ju dha Disiplina?

Nuk kam çfarë të them për dënimin, pasi atë e vendosi Disiplina. Unë nuk isha dakord, por çfarë të bëj tani, nuk kam asgjë në dorë dhe nuk kam se çfarë të them më tepër.

Edhe trajneri Daja u shpreh se nuk mund të merret një vendim vetëm nëpërmjet pamjeve filmike, a jeni i këtij mendimi edhe ju?

Normalisht edhe unë i këtij mendimi jam, plus që arbitri ishte 10 metra larg. E pa shumë mirë se çfarë ndodhi. Ndaj nuk duhet të merren vendime të tilla të pabaza dhe vetëm duke parë pamje. Nuk kemi çfarë të bëjmë. E

kishit menduar se ekipi do të fitonte me Kukësin?

Ishte një fitore shumë e merituar. Të jem i sinqertë, e prisja nga ekipi që të luante ashtu dhe të fitonte ndeshjen. Më pëlqeu se si ekipi e interpretoi ndeshjen në fushë. Jam shumë i kënaqur që e arritëm këtë fitore, e cila është shumë e rëndësishme dhe me vlera.

Ndeshja e radhës me Luftëtarin. Si e shikoni këtë takim?

Sigurisht që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. E kam thënë edhe më parë që në këtë kampionat nuk ka ekipe të lehta. Shpresoj të luajmë si në këto javët e fundit dhe të marrim tri pikët e radhës.

Me fitoren e arritur me Kukësin, duket se Flamurtari është në zonën europiane, mendoni se do ta arrini këtë objektiv?

Për këtë është ende shpejt për të folur. Duhet që t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe pse jo, të shkojmë sa më larg në renditje. I kemi të gjitha mundësitë, pse jo, të bëjmë më të mirën dhe të arrijmë maksimumin. A e shikon Batha këtë Flamurtar për titull? Ta kam thënë edhe herë tjetër, që t’i marrim ndeshjet me radhë, por asnjë nga ekipet kundërshtare nuk ka asgjë më shumë nga ne. Kështu që, nuk ka arsye pse të mos pretendojmë edhe për titullin kampion.

Një javë e ngjeshur, në mesjavë me Luftëtarin dhe në fundjavë me Skënderbeun. E shikoni si problematike?

Jemi mësuar që të luajmë kështu edhe herët e tjera, në mesjavë dhe në fundjavë. Por një gjë është fakt, që janë të gjitha ndeshjet e vështira, që nga kundërshtari i parë e deri tek i fundit. Janë ndeshje të vështira dhe duhet që të vlerësohen të gjitha njësoj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"