Intervista/ Abilaliaj: Flamurtarit i duhet merkato për në Europë, me Teutën nuk fitoi prej Bushiçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2017 | 21:11

Intervista/ Abilaliaj: Flamurtarit i duhet merkato për në Europë, me Teutën nuk fitoi prej Bushiçit

Arbër Abilaliaj mendon se Flamurtari do të shkojë në Europë, por fillimisht duhet të bëjë merkato dhe të forcojë grupin aktual. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thotë se Duro duhet të ketë alternativa sidomos për sulmin sepse mungesa e tij u pa ndaj Teutës.

abilaliaj

Si e vlerëson ecurinë e deri tanishme të Flamurtarit?

Mendoj se është një ecuri pozitive deri në këtë pikë të kampionatit. Është një skuadër shumë e ekuilibruar deri në këto ndeshje që ka zhvilluar dhe mundohet të marrë maksimumin, por pa rrezikuar asgjë.

Me Teutën u arrit barazim pa gola. Cilat janë arsyet e këtij rezultati?

Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet. Flamurtari pati disa raste për të shënuar, por mendoj se mungesa e Bushiçit i ka prishur shumë punë Duros për këtë ndeshje. Flamurtari me kontingjentin që ka, nuk e ka luksin që të zëvendësojë ashtu siç duhet Bushiçin dhe kjo mendoj se e ka penalizuar paksa skuadrën në fazën sulmuese. Ky ekip ka nevojë të përmirësohet akoma në dy fazat e ardhshme të kampionatit, nëse dëshiron të qëndrojë lart në tabelën e klasifikimit. Flamurtari ka lënë pikë me ekipe të vogla dhe ky ka qenë problem.

Në Vlorë kanë akuzuar arbitrat për gola të anuluar dhe penallti të pa dhëna. Mendon se kanë të drejtë?

Për sa u përket akuzave për penallti dhe gola të anuluar, në disa raste drejtuesit kanë pasur të drejtë sepse sipas analizave, është parë që arbitrat kanë gabuar në disa raste dhe kjo e dëmton ekipin në mënyrë direkte në pikë dhe rezultat, por edhe në mënyrë indirekte duke mos e lënë të rritet grupi psikologjikisht, të fitohet vetëbesim dhe entuziazëm në mënyrën e lojës.

flamurtari

Pa tifozë me Teutën, ndërsa me Vllazninë Idrizi mbyll tribunën qendrore për shkak të sjelljes së tifozëve. Si e komentoni këtë?

Nuk e di sa normale është kjo gjë në botën e futbollit. Futbolli dhe skuadra është e njerëzve dhe e qytetit. Nuk mendoj se kjo është një gjë normale, po ashtu është dhe plotësisht e drejtë që drejtuesit të kërkojnë sjellje korrekte në stadium sepse ndeshja apo shfaqja në stadium nuk i përket vetëm një klasifikimi gjinor, krahinor apo kulturor. Kjo shfaqje është për të gjithë. Stadiumi është vend, ku duhet të promovohen vlera qytetare dhe jo urrejtje dhe shfaqje jo të hijshme apo mungesë e theksuar kulture sepse me atë shfaqje që jepet në stadium, përfaqësohet një krahinë e tërë.

Si e shikoni ndeshjen me Luftëtarin që luhet në fundjavë?

Ndeshja me Luftëtarin është një ndeshje shumë e vështirë. Në fazën e parë Luftëtari i mori pikë në shtëpi Flamurtarit. Mendoj se ekipi duhet të futet i karikuar maksimalisht për të marre tri pikët në Gjirokastër.

Luftëtari, këtë periudhë të fundit, është ngritur goxha në lojë dhe rezultate. Zhvillon goxha futboll të bukur, por mungesa e eksperiencës në disa ndeshje po i penalizon në marrjen e pikëve të plota. Mendoj që është një ekip që nuk ka shumë ekuilibra të mirë dhe këtë gjë mund ta shfrytëzojë Flamurtari në Gjirokastër për të marrë tri pikët.

Deri ku mund të shkojë Flamurtari këtë sezon?

Ky Flamurtar, mendoj që me ekipin që ka deri tani, ka bërë mjaft mirë dhe si e theksova edhe më parë, ka mundësi për të përmirësuar në lojë dhe në kolaudimin e futbollistëve me njëri- tjetrin dhe të bëhen më cinikë, pasi kanë shënuar shumë pak në krahasim me pretendentët që kanë shënuar dyfishin e golave. Në merkaton e janarit kanë nevojë të shtojnë ndonjë elementë kualitativ për të pasur mundësi zgjedhjesh.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"