INTERVISTA/ Abilaliaj: E pafalshme që Flamurtari të pësojë nga ajri, afrimet s’ i përgjigjen Dajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 21:57

INTERVISTA/ Abilaliaj: E pafalshme që Flamurtari të pësojë nga ajri, afrimet s’ i përgjigjen Dajës

Arbër Abilaliaj e sheh problemin e Flamurtarit te mentaliteti për të fituar ndeshjet me ekipet e vogla në letër. Ai thekson se disa nga lojtarët e ardhur në verë nuk i përgjigjen filozofisë së trajnerit Ilir Daja. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ishsulmuesi evidenton se skuadra luajti mirë me Skënderbeun dhe u ndëshkua prej mungesës së përqendrimit.

Vlonjati e quan të pafalshme pësimin e golave nga goditjet standarde me atë shtatëlartësi që kuqezinjtë kanë. Edhe pse kanë kualitete në sulm, ai pret një ndërveprim më të mirë prej të gjithë ekipit për të shkuar te goli.

arber abilaliaj

Arbër, çfarë nuk shkon te ky Flamurtar, pse kaq shumë oshilacione?

Për hir të së vërtetës, ndeshjet e Flamurtarit kanë ardhur në ngritje dhe janë përmirësuar disa gjëra në lojë. Problem mbetet mentaliteti që ka ekipi, për të fituar ndeshjet e vogla në letër. Hap shumë i madh fals ishte ai barazim me Luftëtarin. Ato janë ndeshje të standardit të tillë, që tregojnë nivelin real të një ekipit dhe jo ndeshjet direkte me skuadrat pretendente, ku ekipi vetëmotivohet. Pastaj, oshilacioni ka qenë gjithnjë “thembra e Akilit” për këtë skuadër që herët, me sa kujtoj unë. Dhe mentaliteti është shumë i vështirë të ndryshohet.

Si e patë ndeshjen me Skënderbeun dhe ku mendoni se ishte problemi?

Ndeshja me Skënderbeun mendoj se ishte një ndër më të bukurat që është zhvilluar. Pati raste, lojë të bukur dhe agresivitet. Por, një moment mospërqendrimi dhe Flamurtari u ndëshkua me golin e Bregut. Nuk mund të pësojë Flamurtari nga goditje standarde me atë shtatëlartësi që ka në ekip…

Sa ndikojnë vendimet e arbitrave?

Për sa u përket vendimeve të arbitrave, është e kotë që të analizojmë, sepse kjo histori ka kohë që vazhdon. Pa dyshim që ndikon shumë negativisht dhe në çfarëdolloj drejtimi dhe sidomos tek ata futbollistë që japin maksimumin për të arritur rezultate maksimale dhe të mira. Në një pjesë të madhe të rasteve, përveç kundërshtarit në fushë, përballen edhe me një tjetër vështirësi të shtuar, siç janë arbritrat që në të shumtën e rasteve nuk japin atë që meriton skuadra.

Çfarë prisni prej Flamurtarit në ndeshjen me Partizanin?

Me Partizanin ka për të qenë një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj se Partizani për momentin është ekipi më në formë, por ka edhe një kompaktësi të admirueshme deri tani. Pres një duel shumë të fortë, por mendoj se me një stadium plot, vlonjatët mund t’ia dalin. E thashë edhe më lart, ata nuk ka probleme me ndeshjet e mëdha. Dinë shumë mirë të nxjerrin më të mirën e tyre në të tilla duele.

Ku ndryshon Flamurtari nga Partizani, mund të na përmendni pikat e forta dhe të dobëta që këto ekipe kanë?

Partizani është më kompakt dhe më dinamik. Mendoj se Flamurtari është një ekip që mbështetet më shumë te zgjidhja individuale që kanë lojtarët kualitativë të ekipit.

Keni qenë pjesë edhe e Partizanit. Ku jeni më mirë, në kryeqytet apo te Flamurtari?

Po, është e vërtetë që kam qenë pjesë edhe e Partizanit. Por mendoj se të dyja kanë veçantinë e tyre. Janë dy ambiente krejt ndryshe nga njëra-tjetra, por gjithsesi kur kam riveshur fanellën e Flamurtarit, kam ndier një emocion dhe përgjegjësi të papërshkrueshme. Kujtoj që kam ikur vetëm 16 vjeç nga Flamurtari dhe u riktheva kur isha 28 vjeç.

Si ish-sulmues, mund të jepni ndonjë këshillë për lojtarët e këtij reparti. Çfarë duhet të ndryshojë te sulmi i Flamurtarit?

Mendoj dhe e kam thënë edhe më parë se në sulm si individë nuk janë keq si kualitet. Duhet një ndërveprim më i mirë i të gjithë ekipit në fazën sulmuese dhe kjo gjë nis që nga portieri.

Mendoni se është gabuar në merkato?

Nuk bën dot një gjykim objektiv për merkaton me kaq ndeshje të luajtura, por mendoj se një pjesë e lojtarëve që janë, apo të ardhur rishtazh te ky ekip, nuk mendoj se janë 100% të përputhshëm me mentalitin që ka trajneri Daja për futbollin. Gjithsesi, merkatoja është një çështje komplekse dhe varet nga shumë gjëra. Nëse ekipi përfundon në vendet e fundit të tabelës, atëherë merkatoja mund të quhet e dështuar edhe këtë vit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"