Interisti Ze Maria: Tirana si Juventusi, të gjithë duan ta ndalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 12:19

Interisti Ze Maria: Tirana si Juventusi, të gjithë duan ta ndalin

Ze Maria kërkon “marshimin” edhe ndaj Naftëtarit. Edhe pse kundërshtari pësoi 13 gola në dy ndeshje nga Partizani, braziliani u kërkon lojtarëve që të mos e marrin lehtë. Ai madje e krahason Tiranën me të mëdhatë në Itali.

Ze Maria konference

Ai kujton që kur luante për Peruxhian, ndaj ekipeve si Juve, Inter apo Milan gjithnjë jepnin maksimumin. Të njëjtën gjë po e sheh edhe në Kategorinë e Parë. Në konferencën e dhënë dje për mediat, trajneri komentoi edhe zhbllokimin e sulmuesve, por edhe shortin e Kupës së Shqipërisë.

Keni marrë 6 pikë në dy ndeshje, është i kënaqur Ze Maria me paraqitjen e skuadrës?

Kemi marrë maksimumin, edhe pse jo gjithnjë kemi luajtur mirë. Por, në fillim të çdo sezoni, ato që vlejnë janë pikët. Kemi marrë 6 pikë dhe shpresojmë nesër (sot) të fitojmë të radhës dhe të shkojmë në kuotën e 9 pikëve. Një skuadër si Tirana luan gjithnjë për të fituar.

Çfarë përshtypjeje ju ka krijuar kategoria ku luani dhe mbi të gjitha kundërshtarët?

Në Itali edhe unë kam luajtur në skuadra të vogla, siç ishte rasti i Peruxhias. Sa herë që ndesheshim me Interin, Juventusin apo Milanin, jepnim gjithmonë më të mirën dhe ndonjëherë edhe arrinim të fitonim. Kur luhet ndaj të mëdhave, siç është edhe rasti i Tiranës, të gjithë kundërshtarët duan të tregojnë forcën e tyre.

Ze Maria Tirana

Për këtë arsye, ndeshjet kundër nesh janë të ndryshme nga ato me kundërshtarët e tjerë, sepse në fund të fundit Tirana është skuadra që ka fituar më tepër tituj dhe që njihet më shumë jashtë Shqipërisë.

Përshtypja ime është se skuadrat kërkojnë gjithmonë të japin më të mirën dhe kjo na krijon disa vështirësi. Por, mbi të gjitha, në këto dy javë, jemi shfaqur cilësi. Nuk jemi në formën më të mirë, por po rritemi.

A do të ndryshoni diçka në ekipin tuaj?

Ata që e ndjekin Tiranën në stërvitje, e dinë se sa kërkues jam unë ndaj vetes dhe lojtarëve të mi. Dua gjithnjë maksimumin. Natyrisht që diçka duhet ta përmirësojmë në nivelin sulmues, mbrojtës, por edhe në organizim. Skuadra është në rritje dhe kemi shumë për të bërë.

Tirana

Naftëtari pësoi 13 gola në Kupë prej Partizanit. I druheni faktit që lojtarët mund ta marrin disi lehtë këtë kundërshtar?

Lojtarët e mi e dinë që nuk duhet të nënvlerësojnë askënd. Mund të bëhem edhe monoton, por të gjithë e dimë që bëjmë pjesë në një klub të madh dhe me një të kaluar të rëndësishme. Nuk ka vend për qetë- si. Me çdo kundërshtar do të luajmë sikur ndeshemi me kampionët e Shqipërisë. Ky është mentaliteti që kërkoj.

Tirana

Naftëtari nuk luajti me ekipin më të mirë në Kupë, ndaj pësuan 13 gola. Kështu ndodhi edhe me Besën, në ndeshjen tonë. Me këtë dua të them që çdo ndeshje ka një histori të veçantë dhe nuk mund të quhet e fituar ende pa u luajtur. Nëse pësojmë gol, çdo gjë vështirësohet dhe për këtë arsye duhet të jemi të përqendruar dhe të përpiqemi prej fillimit të marrim rezultat.

Tirana ra në Shkodër dhe Vllaznia është kundërshtari i radhës në Kupë. E dini që klubi dhe lojtarët do e trajtojnë këtë sfidë për “hakmarrje”?

E njoh historinë e asaj ndeshjeje dhe rezultatin, por përpara Vllaznisë kemi edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur. Do të mendojmë pas datës 14 për Vllazninë. Do të kemi kohë t’i studiojmë në televizor apo edhe me video. Për këtë ndeshje do të flasim në vazhdim.

tirana

Pas Naftëtarit ndalet kampionati, a do të ndikojë pauza në uljen e ritmit të skuadrës?

Ndërprerja e kampionatit vërtet do të na e “ndalë” ritmin e mirë të këtij fillimi të sezonit, por do t’i shërbejë edhe pozitivisht skuadrës për të fituar forcat, sepse kontingjentin e kemi të kufizuar. Disa detaje duhet ndryshuar, ndaj këto dy javë do të na ndihmojnë, pasi tetori na ofron ndeshjet më të rëndësishme për objektivat e sezonit.

Tashmë që sulmi u “zgjua”, a ndihet më i qetë Ze Maria?

Një javë më parë folëm për sulmuesit që nuk shënonin. Por tani situata ka ndryshuar. Kanë bërë 5 gola së bashku, 3 Ngoo dhe 2 Sentamu. E pata thënë që do të zhbllokoheshin. Shpresoj që të vazhdojnë kështu, pasi një sulmues jeton me gola, ajo është “buka e tyre” për çdo ndeshje. Po hyjnë në rrugën e tyre. Ne krijojmë shumë dhe shanset i kemi që të realizojmë me mesfushorë, mbrojtësit dhe tani me sulmuesit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"