Interi zyrtarizoi Eshli Jang, Solskjaer e përshëndet mes thumbimeve: Vështirë të gjente 2 vite kontratë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 19:27

Interi zyrtarizoi Eshli Jang, Solskjaer e përshëndet mes thumbimeve: Vështirë të gjente 2 vite kontratë…

Antonio Konte bëhet gati të përqafojë përforcimin e tij të parë nga një merkato dimërore me impakt të madh për Interin, me objektivin për të ndërtuar një skuadër akoma më konkurruese për të ndërprerë dominimin disavjeçar të Juventusit. Në Milano, në fakt, ka zbarkuar ditën e djeshme Eshli Jang. Fillimisht ka kryer vizitat mjekësore në klinikën “Humanitas” e më pas ka marrë lejen sportive nga CONI (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian).

Jang

Në vijim iu drejtua selisë zikaltër për të hedhur firmën në kontratë deri në qershorin e ardhshëm, ku do të përfshihet edhe një opsion rinovimi lidhur me rendimentin. “Është hera e parë që ndodhem në Milano, është vërtet një ditë e bukur”, kanë qenë fjalët e tij të para si interist. Në arkat e Mançester Junajtidit do të përfundojë një shumë prej 1,5 milionë eurosh plus një tjetër bonus prej 500 mijë eurosh në rast fitimi të titullit. “Është një ndjesi fantastike”, ka komentuar shkurtimisht. “Mesazh tifozëve? Jam këtu për të fituar”.

CILI E ZËVENDËSON? – Për 34-vjeçarin Jang, që do të rigjejë te zikaltrit Romelu Lukakun dhe Aleksis Sançezin, një rast i madh për anglezin për të treguar se mund të thotë ende fjalën e tij në nivelet e larta. Dhe për ta bërë ka zgjedhur Italinë, duke refuzuar edhe ofertën e rinovimit prej një viti të propozuar nga drejtuesit e “Djajve të kuq” dhe tentativat e kota të trajnerit Ole Gunar Solskjaer për ta mbajtur. Vetë trajneri i Junajtidit ka konfirmuar largimin e Jangut, duke emëruar edhe Herri Meguajërin si kapiten të ri: “Eshli po shkon drejt moshës 35-vjeçare dhe, për të qenë të ndershëm, mendoj se është e drejtë që po pranon dy vite kontratë nëse dikush ia ka ofruar, – ka shpjeguar norvegjezi. – Këtu te Junajtid ka qenë një futbollist i shkëlqyer, një kapiten i madh. Ka fituar kupa dhe kampionate. Cili e zëvendëson? Fosu-Mensah po rikthehet në gatishmëri, po ashtu si Dalot”.

Eshli Jang

LUFTË ME KOHËN – Jang dëshironte Interin menjëherë në janar dhe i është plotësuar kërkesa. Në krahun e tij Konte do të ketë në gatishmëri një element polivalent, në gjendje të luajë si në krahun e majtë po ashtu edhe në të djathtin. Trajneri zikaltër shpreson ta ketë në gatishmëri për transfertën e nesërme kundër Leçes. Do të jetë një luftë me kohën për të pasur të gatshëm në grumbullim. Do të varet nga Federata Angleze: nevojitet që kontrata të depozitohet në Ligë brenda ditës së sotme në orën 15:00. Përndryshe takimi me fushën e blertë do të shtyhet për Kaljarin.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"