Interi u përulet “gladiatorëve” të Romës në “San Siro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2012 | 13:54

Interi u përulet “gladiatorëve” të Romës në “San Siro”

INTER – ROMA  3-1
GOLI: Kasano 45’+1 / Florenci 15′, Osvaldo 67′, Markuinjo 81′
INTER (4-3-1-2): Kastelaci; Zaneti, Silvestre, Ranokia, Nagatomo; Guarin, Gargano (76′ Kutinjo), Pereira (66′ Kambiaso); Shnajder, Kasano (51′ Palasio); Milito. Trajner: Andrea Stramaçoni
ROMA (4-3-3): Stekelenburg; Piris, Burdiso, Kastan, Balzareti (56′ Tadei); Taçtsidis, De Rosi (31′ Markuinjo), Florenci; Destro (70′ Lamela), Osvaldo, Toti. Trajner: Zdenek Zeman
KARTONËT TË VERDHË: Guarin 33′, Ranokia 47′ / Destro 17′, Osvaldo 66′, Stekelenburg 77′.
I KUQ: Osvaldo 91′
ARBITËR Mauro Bergonzi

Andrea Stramaçoni është një trajner i përgatitur dhe ambicioz, por kurrë nuk do e kishte imagjinuar që një talent të cilin e ka rritur në radhët e të rinjve të Romës do ta ndëshkonte në “San Siro”, përpara më shumë se 50 mijë tifozëve. Verdhekuqtë, pas nisjes së dobët kundër Katanias me një barazim 2-2, rikthehet menjëherë protagoniste duke fituar në Milano me rezultatin 3-1, me kapitenin Toti protagonist të dy asisteve për gol dhe me Zdenek Zemanin që shijon një triumf kundër zikaltërve pas 18 vitesh (fitorja e fundit daton në dhjetor 1994). Por Roma nuk është vetëm Toti e Zeman, sepse dje surpriza e bukur ishte i riu Florenzi që hapi “valsin” e golave, Osvaldo që riktheu avantazhin dhe në fund Markuinjo që blindoi tri pikët. Interi nga ana e vet duhet t’i gëzohet vetëm Kasanos, që gjen golin e parë zikaltër në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Barazi totale – Nëse Stramaçoni tenton të fshehë fillimisht dhe përpara ndeshjes të ofrojë disa surpriza në formacion me Kasanon dhe blerjen e fundit Pereira titullar, nga ana tjetër Zemani nuk i ka qejf të tilla gjëra, ndaj mendon të hedhë në lojë sa më shumë sulmues në 4-3-3-shin e tij. Duke parë emrat që zbresin në fushë, takimi nuk ka sesi të mos jetë i gjallë menjëherë, ku më i frymëzuari nga të gjithë duket kapiteni Françesko Toti. Veterani sivjet po shijon një Romë sulmuese, e cila di të xhirojë topin dhe në këtë mënyrë ai mund të japë më të mirën e tij. Pikërisht një pasim i përkryer i kapitenit verdhekuq është ai që do zhbllokojë sfidën. 35-vjeçari “peshkon” në zonë të riun Florenzi, i cili me kokë mposht Kastelacin. Interi nuk e kishte menduar se pas 15 minutash do të ishte në disavantazh dhe menjëherë hidhet në sulm, duke përfituar edhe nga fakti që Roma është shumë e pakujdesshme në goditjet standarde në të cilat Milito me shokë i afrohen barazimit. Deri në përfundim të pjesës së parë porta e kryeqytetasve shndërrohet në një tabelë qitjeje, me Stekelenburgun protagonist absolut, por në sekondat e para të kohës shtesë, Kasano do të ofrojë një nga fantazitë e tij të çmendura brenda zonës dhe fatmirësisht, goditja e devijuar nga Burdiso do mbyllë në barazim pjesën e parë.
Dorëzimi milanez – Në pjesën e dytë mendohej se Interi do reagonte fort pas barazimit, por Roma e Zemanit di të luajë një futboll të mirë ofensiv dhe shumë të rrezikshëm, që duke i shtuar edhe përgjumjen e mbrojtjes zikaltër, arrin të shënojë, e me një aksion model madje. Sërish kapiteni Toti frymëzohet dhe në minutën e 67-të ofron një asist perfekt për Osvaldon, i cili në hyrje të zonës, edhe pse në pozicion diagonal, arrin të mbështesë në rrjetë topin. Ndeshja e Interit mbyllet pikërisht këtu, sepse Shnajder me shokë ia lënë fatit në dorë pjesën e mbetur të takimit. Por Roma nuk ka ndërmend të rrezikojë ndonjë goditje të minutave finale, prandaj në të 81-ën, Markuinjo do shënojë golin e 3-1-shit dhe atë të qetësisë për miqtë. Por verdhekuqtë mbeten protagonistë, Osvaldo në minutat shtesë bën një gabim trashanik duke prekur topin me dorë dhe për këtë merr të verdhën e dytë dhe përjashtimin. Zemani nuk e pranon këtë gjë, por gjithsesi ai mbyll një sy këtë herë, duke qenë se skuadra e tij merr një fitore të rëndësishme, e ardhur pas një paraqitjeje thuajse perfekte. Nga ana tjetër, Interit, që kishte magjepsur në këtë fillimsezoni, duket se i kanë rënë bateritë…

Strama: Goli i dytë na “fiku”…
Andrea Stramaçoni është për herë të parë i nervozuar me futbollistët e tij. Humbja me Romën, humbja me të kaluarën e tij, nuk i ka pëlqyer aspak teknikut të Interit, i cili ngre zërin ndaj futbollistëve të tij. “Në pjesën e dytë skuadra u dorëzua krejt, goli i dytë i Romës na e ‘fiku’ trurin dhe menjëherë në fushë nuk pashë më asgjë. Ky ‘grusht’ në këtë fillimsezoni është i pranueshëm, sepse kundrejt Romës kemi zhvilluar më shumë ndeshje dhe mbase pak lodhje mund të ndihet, duke qenë se një pjesë e mirë e skuadrës nuk janë ende në maksimum. Gjithsesi, e ritheksoj, më shumë sesa fizik mua problemi m’u duk psikologjik. Dhe një rënie të tillë nuk do ta toleroj më tani e tutje, – nënvizon Stramaçoni, që thur elozhe e bën shaka edhe me talentin e Romës, Florencin, i cili realizoi golin e parë. “E kam stërvitur unë dhe realisht është shumë i talentuar, jo më kot e kam ndihmuar. Prandaj, duke qenë se i kam dhënë një dorë dhe sot (dje) i shënoi skuadrës sime, prej tij pres që në fund të sezonit ta ndajë pagën me mua…”. E pas shakave 36- vjeçari rikthehet serioz, duke fajësuar disi repartin e mbrojtjes për pësimin e golit të dytë. “Pasimi i Totit për Osvaldon në golin e dytë të Romës ishte një kryevepër, por edhe mbrojtja jonë e ndihmoi duke qëndruar shumë lart në një moment kundërsulmi. Gabime të tilla të kushtojnë një ndeshje, sepse pikërisht pas këtij goli nuk patëm më asnjë shans që të ringriheshim e të kundërsulmonim. Nuk them se duhet të fitojmë dhe do jemi perfektë në çdo takim, por gabime si këto nuk dua t’i shoh më në vazhdim. E dimë që kemi një mbrojtje të re dhe se ky repart duhet kolauduar ende, por për vetë faktin që në 10 ndeshjet e fundit ka ofruar sfida mes Interit dhe Romës në Serinë A, duke kujtuar këtu që takimi i vjetshëm në Milano përfundoi 0-0. Me pak fjalë, kjo sfidë ofron mesatarisht 3.9 gola në këto pesë vite të fundit, ashtu siç ndodhi dje. përballë kishim kampionë si Toti e Osvaldo duhet të ishim më të përqendruar në atë rast. Prandaj, tani duhet të rikthehemi të punojmë në stërvitje dhe të kthehemi në fushën e lojës me një fitore bindëse, si ajo kundër Peskarës”, – përfundoi Stramaçoni.

“Humbëm një sfidë, por fituam Pereiran”
Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, është i dëshpëruar për këtë ndalesë të shpejtë në kampionat por, nga ana tjetër, ai kërkon të shohë diçka tepër pozitive në këtë disfatë. “E dinim që Roma vinte shumë e karikuar në Milano, sepse fundja Zemani ka ndërtuar një skuadër për titull dhe do të bezdisë këdo deri në fund. Por ne mund të kishim bërë diçka më shumë, vetëm se diçka na bllokoi psikologjikisht. Gjithsesi, kundër Romës kemi humbur 3 pikë por, nga ana tjetër, duhet të gëzohemi se kemi fituar Pereiran, për mendimin tim më i mirë në radhët tona. Alvaro ka vetëm pak orë që na është bashkuar, por në fushë luajti sikur të kishte një dekadë, blerje e goditur”.

“Bëmë tri gabime dhe pësuam tre gola”
Andrea Ranokia bën “mea culpa”, pas humbjes 3-1 kundër Romës, por në të njëjtën kohë del në kundërsulm ndaj elozheve rreth rivalëve të djeshëm. “Ndeshja u kushtëzua nga episode të veçanta, sepse në tre gabime që bëmë gjatë gjithë 90 minutave pësuam tre gola, dhe nuk ndodh gjithmonë kështu… Më vjen keq, sepse kishim një mori me raste për të realizuar në fillim të pjesës së dytë, por edhe të barazonim, por sot (dje) ishte një natë e mbrapshtë. Roma e frikshme? Ne kemi luajtur deri tani trefishim e ndeshjeve të Romës por, pavarësisht se na mundi, nuk pashë në lojën e ekipit të Zemanit diçka më shumë se çfarë mund të bëjmë ne, madje ne jemi më të fortë”.

TRAJNERI I ROMËS
Zeman: Fitore e bukur në të gjitha aspektet
Zdenek Zeman është i lumtur që Roma e tij ka ditur të reagojë pas barazimit në debutim kundër Katanias, por në të njëjtën kohë kërkon të falënderojë edhe të gjithë spondën rivale. “Së pari dua të falënderoj Moratin për fjalët e bukura që më ka kushtuar, por edhe tifozët e Interit që më lumturuan me banderolën (‘Nderime Zemanit, ikona e futbollit të pastër’). Pastaj, pjesën tjetër e bëri skuadra, e cila në një pjesë të konsiderueshme të lojës shfaqi futbollin që unë dua të shoh. Ky sukses është një stimul shumë i madh për ne, një bonus që do na ndihmojë të përmirësohemi tani e në vazhdim. Toti? Ka bërë pikërisht atë që i kam kërkuar të bëjë dhe duke u shtuar këshillave të mia klasin e tij, rezultati nuk mund të ishte tjetër përveçse pozitiv. Florenci super? Ky djalosh ka aq shumë vite që luan në Romë, ndonëse me të rinjtë, sa e njeh mirë edhe skuadrën e parë. Florenci, por edhe Markuinjo, janë ata që dinë të sulmojnë më mirë se kushdo tjetër hapësirat, jo më kot dhe shënuan”, – tha çeku.

“Ndeshje madhështore, por tani kujdes…!”
Kapiteni Françesko Toti duartroket skuadrën e tij për fitoren e arritur në transfertë kundër Interit, por në të njëjtën kohë i bën apel Romës të qëndrojë me këmbë në tokë. “Këtu në Romë është e thjeshtë të ekzaltohesh dhe pas dy ndeshjesh ta gjesh ekipin në fundin e tabelës. Një gjë e tillë na ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, prandaj bëjmë mirë të mësojmë nga e kaluara. Fitorja? Luajtëm një ndeshje madhështore, çdo gjë shkoi në mënyrë perfekte dhe, përveç tri pikëve, do marr edhe një darkë nga Osvaldo, për faktin që i ofrova asistin. Forma ime e mirë? Kam dy-tre vite që ndihem mirë por, nëse skuadra xhiron si kundër Interit, atëherë edhe unë mund ta ndihmoj më shumë”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"