“Interi t’i falet Asllanit kundër Romës”, ish-trajneri i shqiptarit i bën thirrje Inzagit: Kristjani ka lindur futbollist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 11:19

“Interi t’i falet Asllanit kundër Romës”, ish-trajneri i shqiptarit i bën thirrje Inzagit: Kristjani ka lindur futbollist

“Ka lindur për të luajtur me top. Por nuk duhet të jetë i nxituar”. Aurelio Andreacoli garanton për Kristjan Asllanin, ndonëse këtë frazë nuk e përmendte kurrë kur e kishte nën urdhrat e tij tek Empoli. Gjithsesi, tani që ai mesfushori shqiptar bëri hapin e parë të madh duke kaluar tek Interi, ishtrajneri i tij është i bindur se 20- vjeçari kuqezi është gati për të marrë përgjegjësi më sipër, siç pritet ajo për të luajtur titullar kundër Romës, pas pauzës së kombëtareve. Trajneri i zikaltërve, Filipo Inzagi, do t’i falet Asllanit dhe klasit të tij, duke qenë se Brozoviç është i skualifikuar me kartonë, ndërsa Çalhanoglu dhe Mikhitarjan vështirë se do të rikuperojnë nga dëmtimet e tyre fizike. Prandaj, inteligjenca dhe fantazia do të jenë në dorë, më saktë në këmbët e Kristjanit, ndonëse ish-trajneri Andreacoli nuk e sheh si gabim faktin se kolegu Inzagi po e përdor me pikatore si fillim.

Collage Maker-22-Sep-2022-11.18-AM

Andreacoli, prinit që Asllani të luante pak më shumë tek Interi?

Jo dhe po ju them edhe më shumë. Kristjani duhet të bëjë udhëtimin e tij të rritjes. Ka shkuar tek Interi, jo tek skuadra e lagjes ku ka lindur. Inzagi e ka menaxhuar mirë, e ka përdorur kur ai mendonte, pasi për më tepër Asllani ka përpara një si Brozoviç, nuk ka nevojë të them se për çfarë lojtari po flasim. Madje, jo vetëm Brozoviçin, nëse shohim mirë pankinën e Interit.

E dini që edhe në këto orë që ne po flasim, vetë Asllani tha të njëjtën frazë që ju përmendët, nga grumbullimi me Shqipërinë?

Nuk jam aspak i habitur, pasi Kristjani është një djalë shumë inteligjent dhe me dhunti morale fantastike. Është e vështirë ta kapësh atë që të nxjerrë një fjalë pa vend nga goja.

Ekzagjerojmë nëse e quajmë të lindur për të luajtur futboll dhe një kampion të së ardhmes. Pasi duke parë gjërat që bëri në miqësoret e verës, mahniti të gjithë…

Ka lindur për të luajtur futboll dhe e përsëris se është normale që nuk po luan shumë. Ai nisi vjet që të luante në elitë, kishte nevojë për eksperiencë. Luante tek Empoli, jo tek Interi, kuptoni?!

Po, vetëm nga shkurti ju e bëtë titullar…

Nisi të luante si mesfushor i brendshëm, ose më saktë ku më duhej mua. Në fillim 10 minuta dhe më pas në pankinë. Më pas çerek ore dhe sërish në stol… Por ndërkohë rritej në stërvitje. Më pas, kur kisha nevojë, i dhashë hapësirë, pasi edhe këto shanse të bëjnë më të fortë si futbollist. Dhe Asllani është një tip që ka bërë një udhëtim korrekt, është profesionist, prandaj sa herë që të duhet ai është gjithmonë gati dhe gjithmonë të ofron kualitet. Nëse ishte kështu tek Empoli, imagjinojeni tek Interi, ku përreth ka të tjerë që ia lehtësojnë edhe më shumë gjërat.

Me Brozoviçin e skualifikuar, prisni që të jetë Asllani titullari, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje ku Interi dhe Inzagi luajnë interesa të mëdha?

Unë ia uroj me zemër që kështu të ndodhë. Një 20-vjeçar që vjen tek Interi pasi tregoi se e meriton Serinë A ka nevojë për shanse të tilla që të rritet. Asllani ka shpejtësi, inteligjencë, aplikacion loje, por mbi të gjitha ka karakter. Sepse një njeri që ka frikë nuk arrin dot tek Interi. Nëse nuk do të kishte bo.., nuk do ta kisha hedhur që të luante në Serinë A, në një rol aq të rëndësishëm të fushës.

Mëqe jemi te rolet, kuptohet qartë se ju e preferonit përpara mbrojtjes, por luajti shumë mirë edhe si mesfushor i brendshëm në një mesfushë me pesë, si në të majtë ashtu sikurse në të djathtë. Çfarë mund të bëjë tjetër Asllani?

E mbani mend ndeshjen tonë me Interin në Kupën e Italisë. Ishte janar në mos gaboj, në një “San Siro” të mbushur plot. Nuk kishte fantazist pas sulmuesve dhe e çova aty. Çfarë bëri?! Theu parashikueshmëritë e mia, shënoi gol dhe bëri një ndeshje magjike. Nëse Kristjan Asllani vendos të luajë futboll…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"