“Interi, rreziku më i madh për ne”, legjenda e Mançester Junajtid: Me ta do të ishte finale e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 7, 2020 | 10:14


“Interi, rreziku më i madh për ne”, legjenda e Mançester Junajtid: Me ta do të ishte finale e madhe

Pol Skolls, legjendë e Mançester Junajtid it, ka komentuar rezultatin e arritur nga Interi kundër Getafes (fitore 2-0 të mërkurën në mbrëmjen, në fushën neutrale “Arena AufShalke” të Gelsenkirshenit), që mund të rezultojë vendimtar për një përballje të zikaltërve kundër “Djajve të Kuq” në finalen e Ligës së Europës. Për mikrofonat e “BT Sport”, ku punon në rolin e opinionistit dhe komentatorit nga momenti që ka varur këpucët në gozhdë, ish-mesfushori cilësoi skuadrën e Antonio Kontes “rrezikun më të madh për Mançester Junajtidin”. Në fakt, nëse Interi dhe Junajtid do të vazhdonin rrugën e tyre deri në fund, mund të takoheshin në sfidën që akordon trofeun. “Do të ishte një finale e madhe”, është shprehur anglezi.
pol skolls
SANÇEZ, PESHË PËR JUNAJTIDIN
Ndërkohë, Skolls nuk ka përdorur terma shumë të sjellshëm kundrejt Aleksis Sançezit. E ka sulmuar drejtpërdrejt kilianin, i blerë nga Interi pas një eksperience negative me fanellën e Junajtidit. Sançez përfitonte një pagë prej 618 mijë eurosh në javë në Angli, nga e cila një pjesë i takonte pagës bazë (330 mijë euro) dhe të drejtave të imazhit (120 mijë); gjithashtu parashikohej një tjetër bonus prej 1,2 milionësh në vit si akord në momentin e firmës dhe 83 mijë euro për çdo ndeshje të luajtur. Megjithatë, me klubin e Premier Ligës arriti të regjistronte vetëm pesë gola dhe nëntë asiste në 45 ndeshje.

sancez
“Duhet ta largonin sa më parë të ishte e mundur, – është shprehur Skols. – Ishte vërtet një peshë për Mançester Junajtidin. Nga momenti kur Aleks Ferguson u largua, ka pasur 4-5 fushata merkatoje negative dhe Sançez ka qenë pjesë e tyre. Dukej vërtet një lojtar i mirë tek Arsenali, për ndonjë arsye diçka te Junajtid nuk funksionoi. Shpresojmë që në Mançester të mos bëjnë më gabime të tilla, edhe pse mendoj se tani me Solskjaerin në stol fryma duket më në fund të ketë ndryshuar”.

LEDIO NASE -PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com