Interi rigjen fitoren pas 1 muaji ndaj Veronës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2013 | 8:50

Interi rigjen fitoren pas 1 muaji ndaj Veronës

InterTeksa i gjithë “San Siro” përshëndeste Masimo Moratin që shumë shpejt do lërë zyrtarisht postin e tij të presidentit, pas 18 vitesh e 8 muajsh skuadra në fushën e lojës nuk mund të ndahej prej tij me një disfatë. Përkundrazi, suksesi 4-2 është spektakolar, ashtu sikurse spektakolare ishin koret e tifozerisë dhe mallëngjimi i miliarderit milanez në tribunën “Vip”. Por, nga ana tjetër, Valter Maxarri nuk ishte shumë i shqetësuar për këtë, sepse skuadra e tij nuk fitonte prej një muaji dhe aq më shumë Verona ishte sipër tyre në renditje. Megjithatë, pas sfidës së djeshme, gjithçka duket sikur është vënë në vend, ndonëse mbrojtja zikaltër ka konfirmuar disa amnezi të frikshme në mbrojtje. Gjithsesi, duke mbetur te mbrojtja, ajo veroneze ishte e turpshme mbrëmë, sepse jo më kot Interi realizoi 3 gola për 38 minuta.
Shpërthen Interi Verona, që kishte ardhur për t’u konfirmuar si surpriza e Serisë A, e sheh veten të shpuar menjëherë, pasi në dy goditjet e para në portë skuadra e Mandorlinit pëson dy gola. Në minutën e 9- të, Kambiaso nga këndi gjen Xhonatanin në zonë që nuk mendohet, por godet fluturimthi dhe zhbllokon sfidën. Në këtë rast zikaltrit janë me fat, sepse nuk do të kishte qenë për devijimin e Morasit, topi do kishte dalë jashtë. Por, veronezët duket që nuk janë në një ditë fatlume, sepse kalojnë tri minuta dhe shifrat shkojnë në 2-0. Sërish nga goditje këndi, Alvarez ekzekuton, ndërsa Guarin godet i sigurt drejt portës, me Zhorginjon që fillimisht largon, por topi i shtyrë prej tij karambolohet në trupin e Palasios dhe vjen goli i radhës. Gjithsesi, miqtë do të reagojnë në minutën e 32-të, kur një inkursion i frikshëm i brazilianit Martinjo do shndërrohet në një gol spektakolar, Huan Hezusin që duhet të mbajë fajin e këtij aksioni. Rezultati ngushtohet në 2-1, por është vetëm një iluzion, sepse Interi rivendos avantazhin e dyfishtë. Kalojnë gjashtë minuta dhe Nagatomo në zonë godet shtyllën, por aksioni nuk përfundon këtu, me Palasion që tenton ta dërgojë në rrjetë atë, por goditja e tij shndërrohet në një asist për Kambiason që, nga pak centimetra, realizon. Në pjesën e dytë Maxarri nis të eksperimentojë disa ndryshime, por sërish Verona trembet nga goditjet e këndit. Këtë herë, ai që do festojë është mbrojtësi Rolando, që përfiton nga një tjetër rrëmujë e mbrojtjes rivale. Në shifrat 4- 1, Interi ul ritmin dhe Verona përfiton, por jo aq shumë sa për të trembur vendësit, sepse takimi do të mbyllet në minutën e 71-të, me golin e Romulos që vulos përfundimisht rezultatin 4-2. Pas suksesit të një muaji më parë me Fiorentinën, milanezët rigjejnë fitoren, por trajneri Maxarri nuk është dukur edhe shumë i lumtur, si rrjedhojë e dy golave të pësuar, që do analizohen me kujdes në pritje të sfidës së ardhshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"