Interi i çmendur, për pak prek përmbysjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2013 | 8:33

Interi i çmendur, për pak prek përmbysjen

Inter-Totenhem 401Ky Inter është realisht i çmendur, i zoti që të kalojë nga depresioni në entuziazëm dhe të bjerë sërish në depresion. Ndonëse u duk i shpërfytyruar në Londër dhe i shkatërruar nga Bolonja në kampionat, dje djemtë e Stramaçonit i shkuan fare pranë kualifikimit, sepse duheshin 3 gola për të barazuar rezultatin e ndeshjes së parë dhe 3 gola u shënuan. Totenhemi u duk i gjunjëzuar, por koha shtesë e la thuajse pa forca Interin dhe një gol i Adebajorit anuloi një përmbysje magjike, që do ta bënte të dukej normale atë rikuperim të Barcelonës ndaj Milanit. Por në fund nuk mjaftoi, sepse rezultati 3-1 detyronte italianët që të shënonin dhe 2 gola, por çmenduria e Kasanos me shokë vazhdon, sepse Alvarez dërgon shifrat në 4-1, ndërsa në minutën e 120- të, goditja me kokë e Ranokias pas një krosimi të Kasanos nuk përfundon në rrjetë vetëm për pak. Dhe këtu mbyllen shpresat, ndonëse ai që përjetoi një makth të vërtetë ishte Totenhemi, i cili rrezikoi realisht që të anulonte një goleadë. Kështu përfundon një supersfidë, e cila zgjati 120 minuta, një emocion që në fund shënoi shifrat 4-1, por që fatkeqësisht nuk mjafton për ta kaluar Interin në çerekfinalet e Ligës së Europës, ndonëse për këtë kohë që ishin në fushë, u pa një Kasano magjik, një Kovaçiç që tregon se 11 milionë eurot për të janë një investim i sigurt për të ardhmen, por në të njëjtën kohë “traktorët” Palasio dhe Zaneti që nuk rreshtin së vrapuari dhe punuari për ekipin.
Ndeshja – Ata, që besonin se Interi ishte eliminuar që në sfidën e parë, nuk i kishin bërë llogaritë me magjinë e Kasanos, i cili pasi kërkon një penallti në minutën e 17-të, tri minuta më vonë dërgon topin në rrjetë me kokë për golin e parë, duke shfrytëzuar një krosim të saktë të Palasios. Dhe fantazisti barez shlyen borxhin 6 minuta më vonë, por Palasio zgjedh parabolën përpara Fridëllit dhe gabon, duke mbyllur në shifrat 1-0 pjesën e parë. Por në mënyrë të çmendur do të nisë e dyta, kur Palasio do shlyejë gabimin e tij në të 52-ën me një të djathtë precize. Dhe këtu rikuperimi i disavantazhit 3-0 merr një formë të qartë, por ai që e kompleton atë është mbrojtësi i Totenhemit, Gallas, i cili në të 75- ën minutë devijon në portën e tij një goditje dënimi të gjuajtur fort nga Kasano, e cila fillimisht kishte goditur një tjetër mbrojtës të anglezëve. Përmbysja tani nuk duket diçka e pamundur, sepse me 15 minuta nga fundi gjithçka mund të ndodhë, por Kambiaso në minutat shtesë nuk dërgon në rrjetë rastin e mirë për golin e katërt dhe takimi shkon në shtesë. Të gjithë tani presin që Interi të marrë tatëpjetën, por kalojnë vetëm 6 minuta dhe Adebajor është në kohën dhe vendin e duhur, teksa Handanoviç grushton një gjuajtje të Dembele dhe i dërgon shifrat në 3-1. Por nuk ka përfunduar këtu, sepse 5 minuta pas nisjes së shtesës së dytë, Kasano pikturon pasimin perfekt për Alvarezin që rihap ndeshjen në 4-1, por në 10 minutat e mbetura goli i pestë legjendar nuk vjen, pasi Ranokia nuk godet saktë në rrjetë gjatë sekondave të fundit pasimin e përkryer të radhës nga Kasano. Gjithsesi, në fund të takimit të gjithë nderojnë heronjtë e tyre, me presidentin Morati, që udhëheq tifozët e pranishëm që të duartrokasin në këmbë. Të paktën, paqja me tifozët është një fitore për Interin.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

INTER – TOTENHEM 4-1
Golat: Kasano 20′, Palasio 52′, Gallas 75′, Alvarez 110′ / Adebajor 96′
INTER (4-3-1-2): Handanoviç; Xhonatan (117′ Ranokia), Huan Hezus, Kivu, Zaneti; Gargano, Kovaçiç (79′ Benasi), Kambiaso; Guarin (71′ Alvarez); Palasio, Kasano. Trajner: Andrea Stramaçoni
TOTENHEM (4-4-2): Fridëll; Uoker, Gallas, Vertongen, Noutën (104′ Koulker); Dembele, Livermor (25′ Lenon), Parker, Sigurdson; Defo (56′ Holtbi), Adebajor. Trajner: Andre Vijas Boas
ARBITËR: Ivan Bebek (Kroaci)
KARTONË TË VERDHË: Huan 114′ / Livermor 14′, Fridëll 44′, Uoker 78′, Holtbi 79′, Adebajor 115′
SPEKTATORË: 18.927

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"