Interi përshëndet Moratin me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2013 | 11:41

Interi përshëndet Moratin me fitore

Inter-LivornoInteri fiton kundër Livornos, por ajo që humb është loja e bukur. Zikaltrit i falen në pjesën e parë një autogoli flagrant të portierit Bardi (në pronësi të Interit, por i huazuar te Livorno), ndërsa në sekondat shtesë të takimit Nagatomo vulos shifrat finale në 2-0, që u japin tri pikët e radhës milanezëve. Me këtë sukses, skuadra e Valter Maxarrit përshëndet në mënyrën më të mirë presidentin historik, Masimo Morati, i cili bëhet gati që t’ia pasojë “timonin” e skuadrës Erik Tohirit.
Dhuratë e Bardit Teksa Maxarri e kishte quajtur perfekt Interin që fitoi në Udine dhe shpresonte të shihte të njëjtin ritëm tani e në vazhdim, dje zikaltrit zbresin në fushë të përgjumur, thuajse i kishin detyruar që të luanin këtë takim. Prandaj, më shumë sesa skuadra në fushë, ishin banderolat dhe koret e tifozerisë që mundën t’i jepnin një buzëqeshje Masimo Moratit, i cili ishte vendosur si zakonisht në vendin e tij, në tribunën VIP. Dhe, nëse nuk do të kishte qenë për një autogol të turpshëm të Bardit në minutën e 30-të, Morati vështirë se do të kishte ofruar shpërthimin e tij festiv të veçantë. Xhonatan zbret me shpejtësi nga e djathta dhe lëshon në zonë një krosim pa shumë pretendime, por Bardi, në vend që ta bllokojë, e grushton për në rrjetë topin dhe i fal avantazhin 1-0 Interit. Por, as zhbllokimi i takimit nuk nxeh djemtë e Maxarrit, të cilët limitohen vetëm që të mbrohen. I vetmi i frymëzuar duket Rikardo Alvarez, por shpërthimi i tij i parë drejt zonës livorneze vjen vetëm në minutën e 45-të, kur me një diagonale të rrezikshme arrin t’i dhurojë disa duartrokitje Bardit, që në këtë mënyrë shlyen disi gabimin fatal.
Vulos Nagatomo Skuadrat dalin nga dhomat e zhveshjes me të njëjtin ritëm, me shpresën se duke hedhur në fushë elementë të rinj diçka mund të ndryshojë. Por ky takim as që ka ndër mend të ndizet, sepse ndërsa Livorno provon të shtojë dozën sulmuese me ish-interistin Benasi dhe francezin Emegara, Maxarri nga ana e tij zgjedh Kovaçiçin që zëvendëson një Alvarez jo të frymëzuar, me shpresën se kroati do ndihmojë një Palasio të humbur mes zonës kundërshtare. Por, deri në mesin e pjesës së dytë asgjë nuk ndryshon, sepse të dyja ekipet luajnë sikur të jenë programuar që të mos sulmojnë. Përjashtim bën vetëm një goditje me kokë pa shumë pretendime e Palasios, por në një pozicion shumë të prirë me portën ai as që e frikëson “gardianin” kundërshtar. Prandaj, “San Siro” gjen motivim te figura e Moratit dhe te kapiteni Zaneti, që zbret në fushë në minutën e 82-të për të bërë zhurmë, për t’i dhënë pak zjarr një sfide të zymtë. Por, ashtu si në 45 minutat e para, emocioni dhe rreziku i vetëm shndërrohet në gol, me Kovaçiçin që në të 91-ën minutë lëshon një asist për Nagatomon mes katër mbrojtësve livornezë dhe japonezi nuk gabon, shënon po nuk ka me kë të festojë, sepse të gjithë janë hedhur te Zaneti, te kapiteni i tyre që u rikthye në fushë pas 6 muajve dëmtim.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"