Interi ngec në debutim me Torinon, super “Handa”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2014 | 8:25

Interi ngec në debutim me Torinon, super “Handa”

torino-inter-0-0-torino-inter-0-0-serie-aFituan me 6 gola në fundjavë, por mbase kundër Stjarnanit, Interi është dëfryer më shumë seç duhej, pasi skuadra dukej e lodhur kundër Torinos. Përveç vapës mbytëse në “Olimpiko”- n e Torinos, edhe ndeshja ishte mbytëse për të dyja skuadrat, pasi asnjëra nuk arriti të “çante” tjetrën. “Granatat” kishin rastin më të mirë për ta bërë këtë në pjesën e parë, por penalltia shumë zemërgjerë në favor të Kualiarelës u ndal nga Handanoviç, i cili konfirmohet mbreti i 11-metrave. Por sikur të mos mungonte kjo, Nemanja Vidiç përjashtohet me karton të kuq në minutat shtesë, pas një duartrokitjeje ironike ndaj arbitrit të sfidës.
Super “Handa” – Të dyja skuadrat zgjedhin formacionet e tyre më të mira, ato që në mesjavë kishin fituar dhe që “regjistruan” vetën në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Edhe pse Interi tenton të bëjë lojën që në fillim, Torino mbyllet, por në kundërsulm di të dalë mirë dhe drithëron portën zikaltër me dy goditje të Kualiarelës. Në minutën e 19-të, i gjithë stadiumi është në këmbë, Vidiç tërheq lehtësisht nga fanella Kualiarelën dhe “bilbili” Doveri ekzagjeron duke akorduar penallti. Larrondo largon El Kadurin dhe merr përsipër ekzekutimin, por “Handa” hipnotizon rivalin e tij duke mbajtur shifrat në 0-0. Edhe pse rreziku lihet pas, skuadra e Maxarrit nuk bën shumë për t’i dhënë një tjetër ritëm sfidës dhe 45 minutat e para mbyllen pa emocione të tjera. Pjesa e dytë nis pa zëvendësime, me Interin që i afrohet golit në minutën e 50- të, por Hernanes dhe Ikardi nxitohen në kundërsulmin e tyre. Torino përgjigjet dhe kundërpërgjigjet me Larrondon dhe Kualiarelan, por sërish shënjestra nuk është e saktë. Minutat kalojnë dhe milanezët dorëzohen, Torinos gjithashtu i pëlqen pika, ndërsa Vidiç e nis keq aventurën e tij. Në minutën e 92- të, një debat dhe një duartrokitje ironike me arbitrin i kushton atij kartonin e kuq, një mungesë që peshon shumë, ndonëse rivali i ardhshëm, Sasuolo, nuk duket edhe aq i frikshëm në letër për Interin.
Ndeshjet e tjera – Në sfidat që kompletuan javën e parë të Serisë A, një fitore në ekstremin e kohës ka arritur Napoli në Xhenoa. Pas pjesës së parë të mbyllur në shifrat 1-1, De Guzman debuton siç duhet me të kaltrit, duke tundur rrjetën në të 95- ën minutë dhe i dhënë një gëzim të madh tifozërisë së irrituar pas eliminimit nga Liga e Kampioneve. Me fitore debuton edhe Udineze, që mundon lehtë Empolin në shtëpi. Surprizën e madhe e bën Çezena që mund Parmën 1-0, ndërsa të gjitha sfidat e tjera si Atalanta-Verona, Palermo- Sampdoria dhe Sasuolo- Kaljari u mbyllën në barazim, me gjashtë ekipet që i kënaqen pikës së marrë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"